E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafik armësh, në pranga grupi i shqiptarit

 

Policia kosovare ka vënë dje në pranga gjashtë persona, mes tyre një shqiptar, të cilët rezultojnë të përfshirë në një rrjet të trafikut të armëve në kufirin mes dy shteteve. Në një njoftim zyrtar, policia kosovare, pohon se agjentët e Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar kishin filluar prej disa muajsh hetimet kundër një rrjeti, që dyshohet se operonte në Republikën e Kosovës kontrabandën e armatimit. Në operacionin e koduar “Hija”, hetuesit e DKKO-së, të përkrahur edhe nga strukturat e tjera policore dhe ushtarake të Kosovës, si: Njësiti Mbështetës Operativ, njësiti K-9 dhe Krim-Teknika arrestuan gjashtë persona të dyshuar si anëtarë të rrjetit të trafikut. Pas verifikimeve ka rezultuar se pesë prej të prangosurve ishin kosovarë dhe një shqiptar. Policia pohon se një prej tyre është arrestuar në  pikën kufitare Vërmicë, tre në Lipjan dhe dy në Podujevë. Të prangosurve u janë kapur rreth 4100 fishekë të kalibrit 7.62 mm, 2 vetura “Golf 2” me targa të Kosovës dhe mbi 75 mijë euro. Operacioni ka vazhduar edhe në orët e mbrëmjes së djeshme nëpër disa fshatra të tjerë të Kosovës, ndërsa janë bastisur tre banesa në Podujevë.                         f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›