Rikthehen sërish reshjet e dëborës
Rikthehet moti i keq në verilindje të vendit. Qarku i Kukësit dhe i Dibrës është përfshirë sërish nga reshje dëbore dhe luhatje të temperaturave. Dëbora e fundit ka krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve në rrugë. Kështu, aksi Kukës-Peshkopi mbetet ende i bllokuar, ndërsa akset e tjera nacionale kanë funksionuar pa ndërprerje. Drejtoria e ndërmarrjes rajonale të Mirëmbajtjes së Rrugëve në Kukës po mban nën mbikëqyrje akset kryesore rrugore, të cilat janë të kalueshme për të gjitha llojet e automjeteve, ndërsa në afërsi të Kalimashit dhe Qafës së Malit është e nevojshme vendosja e zinxhirëve. Për mbajtjen në funksionim të vazhdueshëm të akseve rrugore kombëtare si Kukës-Qafë Shllak (të rrugës Kukës-Tiranë) etj. po mbahen në gatishmëri dy borëpastruese, si dhe një ekip punëtorësh. Ndërkohë, një pjesë e komunave të rrethit të Kukësit, si dhe fshatra të veçantë në Has dhe Tropojë mbeten të bllokuar që prej shumë ditësh. Komuna të bllokuara janë Arrni, Zapodi, Gryka e Çajës, ndërsa mbetet shumë e vështirë për t‘u përshkuar rruga Kukës-Shishtavec, Kukës-Kalis etj. Ndërkohë në qarkun e Dibrës, dhjetëra komuna vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuara nga bora. Problem në këto zona mbetet furnizimi me energji elektrike, për shkak të defekteve në linjat e transmetimit, duke lënë kështu mijëra banorë të këtyre zonave në errësirë.