E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkolla gati të shembet, nxënësit mësojnë në një ish-stallë

Godina e shkollës 9-vjeçare dhe të mesme në fshatin Higë, në komunën Poshnje, të Beratit, prej kohësh ka dalë jashtë funksionit. Përveç kushteve minimale teknike, shkolla rrezikon të shembet nga dita në ditë. Alarmi ka kohë që është dhënë nga mësuesit dhe drejtori i shkollës, por pavarësisht se ishte premtuar rikonstruksioni i godinës në fillim të vitit shkollor, ende nuk është bërë asgjë. Inspektorët e Drejtorisë Arsimore e kanë vlerësuar godinën si të papërshtatshme për zhvillimin normal të procesit mësimor. Gjatë inspektimit ka rezultuar se muret e shkollës kanë shumë lagështirë, mungojnë xhamat e dritareve dhe dyert, si dhe tavani rrezikon të shembet. Në këto kushte, inspektorët kanë ndaluar kategorikisht të vazhdohet mësimi në ambientet e kësaj shkolle, ku në fillim të këtij viti janë regjistruar 600 nxënës të arsimit parashkollor, 9-vjeçar dhe të mesëm. Por, veç përcaktimit si "i papërshtatshëm", nuk u dha asnjë zgjidhje se çfarë do të bëhej me këta nxënës. Në këto kushte që prej fillimit të kësaj jave, mësimi është zhvilluar në një objekt të marrë me qira, që është veçse një ish-stallë e një fermeri. Kështu, stalla që dikur përdorej nga fermeri për rritjen e lopëve, është shndërruar në një shkollë për zhvillimin e mësimit. Objekti në fjalë, që vetëm shkollës nuk i ngjan, është ndarë në klasa të improvizuara me perde, ku zhvillojnë mësimin 215 nxënësit e arsimit 9-vjeçar dhe 50 fëmijët e arsimit parashkollor, pjesa tjetër e nxënësve ka braktisur mësimin. Drejtori i shkollës, Gramoz Bybashi, shprehet se zhvillimi i mësimit në ambientet e stallës është zgjidhja e vetme për mos ndërprerjen e mësimit. Kjo është parë si zgjidhja e vetme në kushtet ku në fshat nuk ka ambiente të tjera të lira. Në lidhje me shqetësimet e ngritura nga drejtuesit e shkollës, burime pranë Drejtorisë Arsimore bëjnë të ditur se është kërkuar ndërhyrja nga Ministria e Arsimit, por nuk kanë marrë përgjigje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›