Taksitë e palicencuara bredhin lirisht nëpër Tiranë
Në çdo rrugë të Tiranës, anës trotuareve gjen makina që mbajnë hapur derën e parë të pasagjerit. Kjo është shenja dalluese që këto automjete të ofrojnë shërbime taksi. Nuk kanë asnjë shenjë tjetër dalluese, nuk janë të licencuara, nuk paguajnë taksa, por çmimi që duhet të paguajnë qytetarët që lëvizin me këto makina, është i njëjtë me atë që të ofrojnë taksitë e licencuara. 500 lekë kushton një udhëtim me këto taksi të palicencuara që nga Rektorati i Universitetit të Tiranës deri në rrugën "Mine Peza" në kryeqytet, një çmim goxha i kripur. Kur e pyet shoferin e kësaj taksie se ku e ka taksimetrin, të përgjigjet se punon në të zezë. Madje, ka edhe makina 4+1 që janë me ngjyrë të verdhë, por që nuk janë të licencuara. Askush nuk i kontrollon, askush nuk i ndalon. Këto makina, që kryejnë shërbime taksi, lëvizin gjithë ditën përpara këmbëve të policëve të qarkullimit rrugor, rrinë në vende të hapura përballë vendeve të parkimit të rezervuara nga bashkia e qytetit për taksitë e licencuara dhe askush nuk u kërkon lejen e ushtrimit të aktivitetit të tyre. Taksistët e licencuar, që paguajnë çdo muaj detyrimet ndaj shtetit, protestojnë, por askush nuk e ndalon aktivitetin e këtyre personave që bëjnë konkurrencë të pandershme dhe që nuk derdhin asnjë kokërr leku në arkën e shtetit. Taksistët që punojnë me taksi të licencuar paguajnë taksa tatimore, taksa vendore, dëshminë e penalitetit, sigurimet shoqërore, lejen e bashkisë. Shuma e taksave vjetore, që duhet të paguhen për një taksi të vetme, është 170000 lekë. Sipas statistikave, në Tiranë janë të licencuara rreth 400 taksi, ndërsa po në kryeqytet në rrugë informale mësohet se ka pothuajse 900 taksi të palicencuara, që ofrojnë shërbim ndaj klientëve në rrugë pirate. Problem mbeten edhe taksitë e licencuara nga komunat pranë Tiranës. Nuk dihet saktësisht numri, por, tashmë, është realitet që një pjesë e mirë e tyre, megjithëse nuk kanë lejen e Bashkisë së Tiranës, punojnë brenda vijës së verdhë, duke shkelur kështu ligjin dhe sigurisht duke dëmtuar taksapaguesit e rregullt.