E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shteti të mos bëjë dallime mes bizneseve në tatime dhe dogana

06/03/2005  Kryetari i PDR-së, Genc Pollo, në Berat, në vijim të turit “Kthimi i Besimit”, theksoi nevojën për hapjen e më shumë vendeve të punës dhe të respektit, që duhet të ketë shteti për biznesin e ndershëm. “Nëse flasim për varfëri, atëherë duhet të shprehemi për vende pune, e nëse flasim për vende pune, duhet të shprehemi për ndërmarrjet e vogla e të mesme. Por, nuk mund të flasim për to, pa thenë qartë se ato po asfiksohen nga arbitrariteti dhe trajtimi i nënës dhe i njerkës në Tatime e Dogana. Sepse vërtet themi se do të ulim taksat me ligj e të paguajmë pa përjashtim, por sot ligji mbetet po ai dhe taksat apo referencat i ndryshon me shkresë dore drejtori i madh dhe ai i vogël. Kjo praktikë duhet të ndryshojë e pas saj edhe ligji e taksa zyrtare", tha Pollo. Në tubim merrnin pjesë sekretari i Përgjithshëm i PDR, Ferdinand Xhaferri, shefi i Organizimit, Sali Kelmendi, Andrin Tahiraj, anëtar i PDR-së, si dhe kryetari i PDR-së Berat, Yzedin Hima dhe sekretari i degës Simon Vrusho. Xhaferri, në qëndrimin e tij, tha se me parti opozitare, të afërta me PPE-në, po shikohen format më të përshtatshme të bashkëpunimit. Në këtë mënyrë, demokratët dhe një herë janë shprehur për një bashkëpunim sa më të ngushtë mes partive të opozitës, në mënyrë që rotacioni i pushteteve, në zgjedhjet parlamentare të jetë i garantuar. Qëndrimi i dhënë në Berat ka ardhur vetëm pak ditë pasi kryetari i Grupit parlamentar i PDR-së, Nard Ndoka, ka nisur bisedimet me krerët më të lartë të Partisë Demokratike, ndërsa në mesin e javës pritet një tjetër takim zyrtar mes reformatorëve dhe demokratëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›