E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polici monumentesh ska mundesi tjeter mbrojtjeje

Objektet e trashëgimisë kulturore kanë nevojë për një Inspektoriat apo strukturë, për të parandaluar dhe vënë përpara drejtësisë të gjithë ata që dëmtojnë apo vjedhin monumentet. Shqetësimi është ngritur nga Drejtori i Monumenteve të Tiranës Arbër Kadia, i cili pranoi se aktualisht drejtoritë rajonale nuk janë të afta të identifikojnë dhe dënojnë shkelësit e ligjit.

“Do të ishte një dorë më shumë, një inspektoriat që do të merrej me vendosjen e gjobave dhe marrjen e masave deri në ndjekje penale për më shumë se 5 vjet për çdo dëmtues të trashëgimisë kulturore. Shumë nga hallkat që unë përsërita të jenë më efikase seç janë, të mos ua lënë përgjegjësinë vetëm specialistëve të restaurimit sepse ne nuk kemi as pranga as kamxhik por vetëm një zë të cilin e ngremë lart”-thotë Arbër Kadia, Drejtor i Monumenteve të Tiranës.

Sa i takon problemit, Drejtori Trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës Olsi Lafe, thotë se ligji i inspektimeve i miratuara së fundmi nga parlamenti i krijon hapësirën këtij dikasteri të krijojë këtë strukturë sanksionuese.

“Për këtë arsye me urdhër të ministrit është ngritur një grup pune në ministrinë e kulturës, pikërisht për të propozuar formën e mundshme, është hera e parë, është ligj i ri të një inspektoriati të mundshëm të trashëgimisë kulturore. Që ministria të ketë inspektoriatin e saj i cili të ketë tagrin ligjor për të ndërhyrë, gjobitur, paralajmëruar dhe të rrisë më shumë gradën e ndërhyrjes dhe rritjen e kompetencave tona, në këtë rast, në fushën e trashëgimisë kulturore”-tha Lafe.

Gjatë gjithë këtyre viteve vjedhjet dhe shkatërrimet në monumente të kategorisë së parë, kanë mbetur pa autor dhe askush nuk është dënuar apo qoftë gjobitur. Edhe pse janë bërë denoncimet përkatëse, në shumë raste hetimet e strukturave të policisë nuk kanë arritur të zbulojnë asgjë për fatin e shumë mrekullive të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Aurela Papadhima

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›