E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet Kolonel Bunker

Shfaqet sot në kinemanë e AQSHF-së filmi i regjisorit Kujtim çashku

Në kuadër të aktiviteteve që do të organizohen deri në dhjetor nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, sot në mesditë në kinemanë e këtij institucioni do të shfaqet filmi “Kolonel Bunker” i regjisorit Kujtim çashku. Filmi rikthehet në vëmendjen e publikut pikërisht sot, sepse përkon edhe me 60-vjetorin e lindjes së kineastit çashku. E për të gjithë ata që nuk e kanë parë ndonjëherë, ose dëshirojnë t’i kthehen nostalgjisë së kinemasë, “Kolonel Bunker” është një parabolë politike e bazuar në fakte, portrete të ngurtësuara, mbi të cilat regjimi paranojak terrorizoi popullin tonë. është viti 1974 dhe tipi stalinian i qeverisë shqiptare që ka tjetërsuar virtytin e gjithë qyteteve të botës, tërhiqet brenda një lloj izolimi neurotik. Filmi fokusohet mbi përshkrimin e një burri, i cili jeton me ankthe reale. Ai është Muro Neto, një ushtarak profesionist, që njihet si Kolonel Bunker. Nën interpretimin e aktorëve: Agim Qirjaqi, Anna Nehrebecka, çun Lajçi, Gulielm Radoja, Kadri Roshi, Petrit Malaj, Fatime Lajçi, Sefedin Nuredini, Xhevat Limani etj., ky film është vlerësuar me çmimin e kritikës në Bastia Mediterranean Film Festival në vitin 1998, si dhe me çmimin e UNESCO-s në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecia në po të njëjtin vit. Sipas kritikut dhe historianit britanik Garreth Jones, çashku zbërthen në detaje epokën e Hoxhës te "Kolonel Bunker" (1996). Ai vijon më tej duke thënë se në këtë film mund të këqyrim shpirtin e një artisti krijues, i cili më në fund u çlirua nga censura. Të punoje për Enver Hoxhën ishte një punë në teh të thikës dhe disa personazhe si kolonel Nuro Meto i filmit nuk i mbijetojnë dot kryeneçësisë dhe fatit të çashkut. I ngritur nga shtrati prej alarmeve të mesnatës dhe i përplasur deri brenda selisë qendrore të partisë, kolonel Nuro informohet për detyrën e re që merr përsipër nga zëri telegrafik i diktatorit inekzistent, sepse urdhrat e tij janë paraprakisht të regjistruara dhe transmetuara në shirit, si një ‘zë nga përtej botës’ ose si një orakull që lëshon një mallkim, që do ta ndjekë pas karrierën e Nuros pambarimisht.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›