Të rinjtë e teatrit, larg dramës shqipe
Aplikimet për konkursin e regjisorëve të rinj janë mbyllur. Në Teatrin Kombëtar ndodhen dosjet e artistëve që tentojnë të fitojnë një projekt teatror. Janë 13 të tilla. Mes tyre janë emra regjisorësh të rinj që kanë konkurruar edhe më parë, të tjerë janë edhe fitues të çmimeve të para. Vetëm një regjisor, Sabri Pajaziti, vjen nga Kosova. Andia Xhunga ka konkurruar me veprën “Andi dhe Normani” të Neil Simon, Armela Demaj me “Juda Iskariot” përpunuar nga ajo vetë, Sabri Pajaziti me “Fluturim, çfarë kënaqësie” të Doru Motoc, Alma Hoti, fituesja e edicionit të shkuar me pjesën “Familja e antikuarit ose vjehrra dhe nusja” nga Carlo Gordoni, Enton Kaca konkurron me pjesën “Zemër qeni” të Mihkail Bulgakov, Rozina Kostani me “Përse nuk rri për mëngjes”, një komedi nga Gene Stone dhe Ray Cooney, Najada Elmazi me “Muzika 2” të Marguerite Duras. Lista vazhdon me Esmeralda Stafën me pjesën “Të çmendur” të Luigi Mccione, Elis Mataj me “Art” të Yasmina Rezi, Klodiana Kadillari me “Pikëllim dhe dashuri”, një monodramë për Nënë Terezën shkruar nga ajo vetë dhe Fahri Hysaj, Luljeta Hoxha me “Huadhënësit” e August Strindberg, Elma Dorezi me “Let’s have sex” të Valentin Krasnogorov dhe Sonila Kapedani me dramën e Haqif Mulliqit “Për mua, atë dhe të tretin”. Siç shihet nga titujt, regjisorët e rinj kanë zgjedhur vepra bashkëkohore dhe gjini të ndryshme teatrore për të sprovuar veten. Drama, komedi, monodrama, duke tentuar t’u shmangen veprave të vështirave të autorëve të njohur të tillë edhe për regjisorët profesionistë, të cilët i kemi hasur në festivalet e shkuara. Por është e dukshme se regjisorët e rinj shumë pak kanë zgjedhur dramën shqipe për të konkurruar. Vetëm Sonila Kapedani ka tentuar me dramën e Haqif Mulliqit, i pranishëm edhe më parë për publikun shqiptar si skenarist, por edhe si regjisor dhe Klodiana Kadillari, e cila ka bashkëpunuar me Fahri Hysajn për të shkruar një dramë mbi Nënë Terezën. Ndoshta është e kuptueshme kur këtyre viteve, edhe për regjisorët profesionistë, ngjitja në skenën e dramës shqipe ka qenë një sfidë, në të shumtën e herëve jo e suksesshme.
Secili prej konkurrentëve ka futur brenda dosjes materiale të specifikuara si për platformën regjisoriale, bocete të skenografisë dhe të dhëna për aktorët e përzgjedhur. Mes këtyre 13 projekteve, një juri që do të ngrihet posaçërisht për shqyrtimin e dosjeve do të zgjedhë katër platformat më të mira. Juria, në përbërje të së cilës do të jenë përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, të Teatrit Kombëtar dhe specialistë të fushës, ende nuk është mbledhur. Projektet fituese në fakt parashikohet që të shpallen në fund të këtij muaji apo në fillim të shtatorit, në mënyrë që regjisorët të kenë mundësi të fillojnë provat. Ashtu siç është bërë e ditur që në fillim të shpalljes së këtij konkursi, shifra e vënë në dispozicion për regjisorët e rinj është rreth 4 milionë lekë të reja, një fond i reduktuar në krahasim me vitin e shkuar. Katër platformat fituese (nëse do të jenë kaq e jo më pak), do të shfaqen veçmas për publikun në Teatrin Kombëtar e pastaj së bashku në Festivalin Teatror të të Rinjve. Më herët, gjatë një konference për shtyp, Herida Duro, shefe e sektorit të promovimit të artit pranë MTKR-së, shpjegoi se për këtë edicion rregullat e çmimeve fituese që do të dalin nga festivali kanë ndryshuar. Fituesit e shpallur nga Festivali i të Rinjve, që mendohet të jenë tetë të tillë, nuk do të marrin si më parë një shumë monetare (p.sh. 1 milion lekë të vjetra). Nga shtatori 2010 deri në dhjetor të 2011-s këta fitues do të bëhen pjesë e organikës së Teatrit Kombëtar. Do të punojnë dhe do t’i përgjigjen çdo lloj angazhimi të institucionit. Artistët e rinj, për të cilët Teatri Kombëtar ka qenë një mision i pamundur në këto vite, e kanë pritur mirë këtë propozim, por duhet parë se sa rezultat do të ketë në praktikë kjo formulë.
#