Rikthehet Shumaker, i 3-ti në provat e lira
MADRID- Mikael Shumaker tregoi për herë të parë këtë sezon se është 7 herë kampion bote, duke zënë vendin e tretë në provat e lira për çmimin e Madh të Spanjës. Piloti gjerman i Mercedes ka marrë kritika të forta që pas rikthimit në pistë, por në Barcelonë ai kërkon të tregojë se epoka e tij nuk ka mbaruar. Në cirkuitin spanjoll, dy pilotët e Red Bull Sebastian Fetel dhe Mark Veber ishin sërish më të shpejtët, duke konfirmuar formën e mirë të këtij fillim sezoni. Fetel ka zënë tre herë pole-positionin në 4 garat e para, ndërsa pritet të jetë një nga favoritët edhe për provat e së shtunës. Fernando Alonso u rendit i katërti, ndërsa menjëherë pas tij Ljuis Hamilton dhe Robert Kubica. Ndërkohë, në sesionin e dytë të provave ishin dy makinat MekLaren të Ljuis Hamilton dhe Xhenson Baton ato që kanë dominuar, por ky sesion mbaroi shpejt për shkak se Niko Hulkenberg përplasi Uilliamsin e tij. Gara e Barcelonës është e para në Evropë për këtë sezon të Formula 1. Botërori i këtij viti udhëhiqet nga Xhenson Baton me 60 pikë, i ndjekur nga Niko Rozberg me 50 dhe dyshja Alonso-Hamilton me nga 49 pikë.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)