E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet bora dhe problemet në Veri

Reshjet e dëborës që kanë nisur të bien dje në mëngjes në Veri të vendit kanë sjellë problemet e para në qarkullimin rrugor në disa akse. Ndërkohë, shiu i rrëmbyeshëm ka sjellë probleme në portin më të madh detar të vendit dhe ka mbajtur edhe dje larg detit peshkatoret dhe anijet e vogla.

Kukës

Burime nga Drejtoria Rajonale e Rrugëve në Kukës njoftuan dje se reshjet e dëborës kanë shkaktuar vështirësi në lëvizjen e mjeteve në aksin kryesor rrugor që lidh Tiranën me Kukësin dhe me doganën e Morinit. Trashësia e dëborës në këtë zonë ka arritur mbi 10 centimetra dhe për normalizimin e situatës është dërguar një borëpastruese. Nga të njëjtat burime mësohet se shiu i dendur dhe dëbora në zonat e larta kanë shkaktuar bllokimin e akseve që lidhin komunat e Arrnit, Grykë-Çajës, Zapodit e Kalisit me pjesën tjetër të vendit. Në disa fshatra të këtyre komunave trashësia e dëborës ka arritur mbi 30 centimetra. Reshjet e shiut e dëborës kanë shkaktuar probleme edhe në rrugët që lidhin Kukësin me Shishtavecin e Peshkopinë, ku ka pasur rrëshqitje dheu e gurësh në trasenë e rrugës. Ndërkohë, janë intensifikuar përpjekjet për të mbajtur hapur akset kryesore rrugore, veçanërisht atë Morin-Kukës - Qafë-Shllak ku është dhe lëvizja më e madhe e automjeteve.

Shkodra

Megjithëse Shkodra prej dy ditësh është përfshirë në reshje të dendura shiu, ende nuk ka zona apo rrugë të cilat paraqesin rrezik përmbytjeje. Por ndërsa situata në zonat fushore duket normale, në zonat malore të Qarkut Shkodër reshjet e dëborës kanë filluar të krijojnë probleme. Kështu, në disa komuna të thella të Pukës, Shkodrës dhe Malësisë së Madhe reshjet e dëborës kanë nisur të izolojnë fshatra. Konkretisht, në Komunën e thellë të Iballës në kufirin mes Pukës dhe Tropojës, disa fshatra e kanë të pamundur komunikimin, pasi rruga është bllokuar nga dëbora. Reshje dëbore ka pasur edhe në qytetin e Pukës, ku trashësia ka arritur deri në 25 cm, por rruga nacionale që lidh këtë qytet me rrethet e tjera është kalueshme. Probleme të rrugës nacionale ka në aksin Shkodër - Dukagjin, ku si gjithnjë mbetet problem aksi rrugor Mali i Shoshit-Shkodër dhe Qafë e Thores-Malësi e Madhe që për momentin për shkak të reshjeve të rëna kalohen me tepër vështirësi. Ndërsa në rrethin e Malësisë së Madhe probleme paraqet Komuna Kelmend dhe zona e Vermoshit, ku në segmente rrugore që lidhin Vermoshin me këtë komunë si Qafa e Bordolecit ka mjaft probleme, pasi trashësia e dëborës ka arritur deri në 35 cm.

Durrës

Moti i keq ka krijuar probleme edhe dje në Portin Detar të Durrësit. Megjithëse era nuk ka qenë shumë e fortë, shiu i rrëmbyer ka bllokuar për orë të tëra përpunimin e anijeve të mallrave, ndërkohë që për shkak të situatës së keqe në det të hapur janë vonuar tragetet e linjave që lidhin Durrësin me portet italiane. Tragetet e nisura nga brigjet italiane kanë mbërritur në Durrës me plot 24 orë vonesë. Në orën 09:30 të ditës së djeshme u ankorua trageti i linjës Ankona-Durrës me rreth 200 pasagjerë dhe 60 automjete në bord. Trageti duhet të kishte mbërritur në Durrës të premten në mesditë. Po kështu me një ditë vonesë arritën edhe tragetet e linjës Bari - Durrës, të cilët të enjten në mesnatë nuk arritën të shkëputeshin nga kalatat e Portit të Barit për shkak të detit të trazuar. Sipas Kapitanerisë së Portit të Durrësit, deti dje ka qenë më i qetë dhe nuk ka probleme për anijet e tonazhit të rëndë dhe trageteve, por peshkatoret dhe anijet e vogla nuk mund të dalin në det të hapur.

Parashikimi

"Shi dhe erë gjatë gjithë javës që vjen"

Ditët e ftohta dhe të lagështa, që në pjesën më të madhe të tyre do të na "ofrojnë" shi, do të na shoqërojnë përgjatë gjithë kësaj jave. Është ky parashikimi meteorologjik që vjen nga sinoptikanët e qendrës MeteoAlb. Edhe dje në mbrëmje në të gjithë vendin kanë vazhduar shirat e dobët, ndonëse më pas vazhduan vetëm disa vranësira dhe pati shira të izoluar. "Deri nё kёto momente nё Tiranё kanё rёnё qё nga mesnata rreth 21 mm shi. Reshjet nё territor kanё shёnuar vlerat mё tё ulëta nё Jug prej 4mm dhe mё tё lartat nё Veri-Perёndim, deri nё 45 mm", shprehen përfaqësuesit e Meteoalb. Ndërsa bëjnë të ditur se edhe mesdita e sotme do të sjellë shira, por mё të dobët, kryesisht në Jug dhe më pak në pjesën tjetër të vendit. Java tjetër, parashikojnë sinoptikanët, do të nis me vranësira dhe shira të dobët. Kёshtu, e hёna dhe e marta do tё sjellin shira, kryesisht gjatё pasditeve. Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare në fundjavë dhe dallgë 2 m në det. Por e hëna do të sjellë edhe forcimin e erës dhe të dallgëve deri në 3 metra lartësi.

Gjithashtu, edhe tё martën paradite dallgëzimi do tё arrijё deri në lartësinë 3 metra, ndërsa pasdite do tё zbresë nёn 2 metra. Parashikuesit e motit kanë kujtuar se maksimumi i erёs arriti ditën e premte, me deri 60 km/h nё tokё, pёr momente tё shkurtra, dhe mbi 70 km/h nё detin Jon. Këto shënuan edhe vështirësi në ankorimin e anijeve dhe trageteve lundruese drejt Portit të Vlorës dhe atij të Durrësit. Ndërsa lidhur me temperaturat e ajrit, sinoptikanët shprehen se nuk do të pësojnë ndryshime të dukshme në fundjavë dhe ditën e hёnё ato do tё regjistrojnё afërsisht vlerat: Në zonat malore si Peshkopi dhe Ersekë 2-7 gradë Celsius; në zonat e ulëta 9-18 gradë Celsius dhe në bregdet 11 dhe 16 gradë Celsius.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›