Shirat shkaktojnë rrëshqitje toke në varreza
Shirat e ditëve të fundit kanë rikthyer problemin e rrëshqitjes së tokës në varrezat publike të qytetit të Fierit. Shumë varre rrezikojnë të shemben, ndërkohë që drejtuesit e shërbimeve funerale në bashkia pohojnë se po mbaron edhe sipërfaqja e lirë për varre. Madje, sipas kreut të Shërbimeve Funerale në Bashkinë e Fierit, Edmond Strati, vendet e lira premtojnë për afro tre muaj. Për t‘u paraprirë këtyre fenomeneve shqetësuese, Bashkia e qytetit të Fierit ka miratuar një fond në vlerën e 6 milionë lekëve për mbrojtjen e varrezave publike të qytetit. Në projektin e hartuar nga Departamenti i Shërbimeve Publike përfshihet ndërtimi i mureve mbrojtëse, si dhe përmirësimi i infrastrukturës së brendshme të varrezave. Sipas drejtoreshës së Departamentit të Shërbimeve Publike në Bashki, Elida Qyrana, shirat e vazhdueshëm të këtyre ditëve kanë bërë që të ketë rrëshqitje dheu në territorin ku shtrihen varrezat publike. "Vetë pozicioni, përbërja dhe struktura e tokës e favorizon fenomenin e rrëshqitjes së dheut. Bashkia ka miratuar një fond për financimin e projektit të mbrojtjes së varrezave. Ka filluar në fakt ndërtimi i mureve mbrojtëse me gur e beton. Për t‘u ardhur në ndihmë qytetarëve, brenda territorit të varrezave do të shtrohen dhe asfaltohen rrugët e brendshme", thotë Qyrana. Prej dy ditësh, në varrezat publike të qytetit të Fierit kanë nisur të ndërtohen prita që do të ndalojnë rrëshqitjen e tokës. Sipas drejtoreshës së Departamentit për Shërbimet Publike në Bashki, në varrezat ekzistuese nuk ka më vende të lira për varre të reja. Për këtë arsye, bashkia ka nisur procedurat për shpronësimin e një sipërfaqeje shtesë prej 500 metrash katrorë, pranë varrezave ekzistueseve. "Ne po i paraprijmë problemit, pasi sipas përllogaritjeve të statistikave mortore në qytetin tonë, në varreza ka vende dhe për një periudhe tremujore", tha Qyrana.