E Diel, 1 Nëntor 2026

Sektori privat në vështirësi, thellon diferencën e pagave me sektorin shtetëror

Nga Fitim Zekthi

Pagat mesatare të sektorit privat në Shqipëri janë 34% më të ulëta sesa ato të sektorit shtetëror dhe kjo diferencë është thelluar dy vitet e fundit, pasi në vitin 2006 ishte 19%. Të dhëna zyrtare bëjnë me dije se pagat mesatare në sektorin privat kanë mbetur në vend që prej disa kohësh dhe kjo për shkak të pafuqisë së biznesit. Të dhënat tregojnë se mbi 45% e kredive të biznesit kanë shkuar për likuiditete, gjë që e bën më bindës këtë argumentim. Në anën tjetër, qeveria shqiptare ka rritur pagat në sektorin shtetëror çdo vit duke u nisur edhe nga të ardhurat që ajo ka mbledhur. Numri i punonjësve të sektorit shtetëror është rreth 100 mijë syresh, ndërkohë që në sektorin privat jobujqësor punojnë më shumë se 450 mijë punonjës, të cilët vazhdojnë të jenë me pagat e mëparshme. Rritja e të ardhurave në buxhetin e qeverisë nuk është shoqëruar assesi me rritjen e fuqisë së biznesit për të rritur pagat e punonjësve e as me fuqinë e biznesit për të rritur numrin e të punësuarve. Duhet thënë se numri i të punësuarve sipas të dhënave është vetëm 0,1% më i lartë se dy vjet më parë ose rreth 4 mijë syresh. Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i kërkuan qeverisë që të mos rrisë pagat e sektorit shtetëror disa muaj më parë me motivin e kompensimit të çmimeve të larta, pasi nuk ishte kjo kategori punonjësish që ishte prekur më shumë nga inflacioni dhe çmimet, por ishin punonjësit e sektorit privat ose të papunët ata që duhet të ndihmoheshin. Qeveria megjithatë rriti pagat në sektorin publik dhe nuk mori asnjë masë për shtresat e tjera. Aktualisht punonjësit e sektorit privat duhet të llogarisin të përballojnë jetesën me paga 34% më të ulëta sesa ato të sektorit shtetëror. Duhet thënë se në sektorin privat mund të ketë kategori pagash më të larta sesa në atë shtetëror, por gjithashtu edhe paga shumë të ulëta dhe mesatarja e tyre është 34% me e ulët sesa mesatarja e pagave të sektorit shtetëror. Duke qenë se sektori shtetëror është rreth 4 herë më i vogël se sektori privat sa i takon numrit të punonjësve, është e padrejtë që qeveria bën këtë ndarje dhe nuk merr parasysh faktin që biznesi ka fuqi të kufizuar për të rritur pagat e tij. Asnjë masë fiskale nuk është ndërmarrë, në mënyrë që biznesi të japë paga më të mëdha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›