"Humbje e detyruar, na kërcënuan tifozët"
Sulmuesi uruguaian, Santiago Silva, golashënuesi aktual i kampionatit "Apertura" argjentinase me bluzën e skuadrës Banfield, zbulon për gazetën e njohur vendase "Ole" se ka humbur një ndeshje në marrëveshje me shokët e tij, për shkak të frikës së kërcënimeve nga ana e tifozëve të skuadrës së tyre. Faktet, të cilave u referohet Silva, datojnë tre vite më parë, kur luante në radhët e skuadrës tjetër argjentinase, Gimnasia y Esgrima La Plata. Ndeshja në fjalë është ajo e luajtur kundër Boka Xhuniors, që në atë kohë rivalizonte për titull me Estudiantes, kundërshtaren e Gimnasias. Që këtu nisin kërkesat dhe kërcënimet e tifozëve: "Duhet ta humbnim atë ndeshje, sepse Estudiantes po luftonte për titull me Bokan", rrëfen Silva, i cili ka zbuluar kështu edhe një mënyrë tjetër të trukimit të ndeshjeve. Gjithsesi pritet që tashmë çështja të merret nën hetim nga organet përkatëse argjentinase.