E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet mburoja me meduzë e Apolonisë

Prej 25 vjetësh, një mburojë e zbuluar në Apoloni, e vetmja e këtij lloji e gjetur deri më sot në Shqipëri, i është nënshtruar procesit të rindërtimit. E ndarë në 8153 fragmente, shefi i laboratorit të arkiometrisë dhe restaurimit, Frederik Stamati, shprehet se janë bërë mjaft studime dhe analiza për të kuptuar e ndërtuar një model të sajin. Këtë verë do të punohet për bashkimin me strukturën ekzistuese të një pjese të mirë të materialit të shkëputur, që pas këtij procesi nuk do të mund të shihet më nga publiku. "Kjo është një mburojë e zbuluar në një nga tumat e Apolonisë nga arkeologu Vangjel Dimo në vitin 1984. Ai u gjet bashkë me disa elemente të tjera, si disa enë, dy shpata prej hekuri dhe nja dy thika. Mburoja u soll që atë vit në laborator, ndërsa objektet e tjera u vodhën në vitin 1992 në Muzeun Arkeologjik të Apolonisë. Rindërtimi i saj është tepër i vështirë, sepse është pothuajse tërësisht e thërmuar. Gjatë viteve të fundit kam mbajtur kontakte edhe me specialistë të vendeve të tjera, por edhe për ta është e vështirë të japin mendime konkrete në mungesë të rasteve të ngjashme në muze të tjera", shprehet Stamati. Ai ka punuar mbi një pjesë të mirë të saj dhe pas shumë analizash ka ndërtuar edhe skicën se si mund të ketë qenë origjinali. Sipas të dhënave të dala nga analizat laboratorike, mburoja daton në shekullin III para erës së re. Sipas Stamatit, gjykuar nga objektet me të cilat u gjet edhe nga përbërja e saj, ka më shumë mundësi të ketë qenë e një prijësi nga Apolonia. "Ndoshta, por kjo mbetet ende një hipotezë; ky prijës mund të ketë marrë pjesë në ushtritë e Aleksandrit të Madh në betejat e zhvilluara prej tij. Elementet kockore të gjetura te shpatat të çonin drejt një ideje të tillë. Vetë mburoja është e tipit maqedonas pa buzë, një mburojë ceremoniale dhe jo luftarake. Ndërtimi i saj është me reliev, gjë që nuk praktikohej në fushat e betejës", shpjegon më tej Stamati. Të gjitha materialet përbërëse të saj, të shkëputura nga struktura e mburojës, gjenden në laboratorin e konservimit. Aty dallohen dorezat ku mbahej në pjesën e pasme, disa nga gozhdët që kanë shërbyer për mbërthimin e saj. Gjithçka është punuar me koeficientin e treshit. Rrathët, gjysmërrathët dhe motivet që zbukurojnë sipërfaqen e mburojës gjenden në një simetri treshe. "Kjo është e vetmja që është gjetur në Shqipëri. Në qendër ka një simbol të veçantë, meduzën, sytë e së cilës janë prej guri gëlqeror. Në këtë formë nuk kemi asnjë shembull tjetër deri më sot nga literatura në ndonjë muze të botës", shpjegon specialisti. Sipas analizave të bëra deri më sot në disa institute në Shqipëri, mburoja është e përbërë nga një fletë bronzi që ka rreth 90% bakër, 7-8% kallaj dhe 2-3% plumb. Sipas Stamatit, kjo kohë e gjatë e qëndrimit të këtij objekti në laborator është kushtëzuar nga gjendja e rëndë e objektit, i cili kërkon një përkushtim të madh. "Nuk kemi punuar shumë me të, sepse një sërë objektesh të tjera janë sjellë për restaurim gjatë viteve dhe gjithnjë kemi pasur mungesë të specialistëve për të përballuar punën. Ky është i vetmi laborator restaurimi, në një kohë që kanë qenë të shumta objektet e zbuluara nga ekspeditat arkeologjike", shprehet Stamati. Ai thekson se ka ende punë për t‘u bërë në restaurimin e të vetmes mburojë të gjetur në Shqipëri dhe nuk di të thotë një kohë të saktë kur ajo mund të jetë e ekspozueshme dhe as se ku do të vendoset një ditë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›