Kryqëzimet në Tiranë, tani me 4 korsi
Hyrje-daljet e të gjitha kryqëzimeve të Tiranës tashmë do të jenë me 4 korsi. Bashkia e Tiranës ka nisur këtë ndërhyrje për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve dhe për të mos rënduar trafikun. Por masat e marra nga bashkia vijnë në një kohë kur rikonstruksioni i një sërë akseve të kryeqytetit është cilësuar i përfunduar më parë. është një praktikë që po ndiqet për shumë rrugë, të cilat dy ose tre vjet më parë janë shtruar dhe tani hapen nga fillimi. Gjithsesi, projekti i ri i bashkisë ka nisur të zbatohet në kryqëzimin e "21 Dhjetorit", si një ndër më problematikët në kryeqytet. "Sot ky kryqëzim kthehet në një kryqëzim me katër drejtime lëvizjeje, gjithashtu dhe një kryqëzim që mundëson korsinë e dedikuar të biçikletës dhe rregullimin e aparaturave semaforike, me qëllim lehtësimin e lëvizjes", tha Enton Punavia, drejtor i Transportit në Bashkinë e Tiranës. Por, plani i masave ka përfshirë edhe përmirësimin e transportit publik, nëpërmjet vendosjes në linja të ndryshme të Tiranës, të autobusëve që kanë të gjitha kushtet, për një shërbim sa më cilësor.