E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Rikthehet" operacioni i mbledhjes së armëve

Ngjarjet e fundit në vend, me disa të vrarë detyrojnë policinë të nisin krehjen e personave që lëvizin me pistoletë në brez


TIRANË- Numri i lartë i ngjarjeve kriminale që shoqërohen edhe me përdorimin e armëve të zjarrit ka detyruar Policinë e Shtetit të hartojë një plan operacioni për kapjen e personave që mbajnë armë pa leje, i cili që në mesin e muajit mars të këtij viti është dërguar për zbatim në të gjitha drejtoritë e policisë në qarqe.


Në një reagim zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit thuhet se qëllimi i këtij plani është identifikimi i të gjithë atyre personave që mbajnë armë zjarri pa leje, duke ushtruar kontrolle në banesa, lokale apo edhe në akset rrugore në vend, për të sekuestruar armët. Sipas policisë ky aksion ka për qëllim shmangien e ngjarjeve kriminale që me përdorimin e armëve kanë sjellë shumë viktima, por edhe krijimin e një mjedisi më të siguritë për qytetarët.


Për afro një muaj policia ka organizuar disa operacione në shkallë vendi duke sekuestruar 60 armë të llojeve të ndryshme dhe ka arrestuar 52 persona, si posedues të armëve të zjarrit, ndërkohë pesë të tjerë do të ndiqen ën gjendje të lirë.


Nga të dhënat zyrtare të Policisë së shtetit mësohet se janë sekuestruar 16 armë zjarri automatike, 29 pistoleta të llojeve të ndryshme, 6 pushkë, si dhe sasi municioni. Për të gjitha armët e sekuestruara do të kryhen ekspertimet balistike, me qëllim verifikimin nëse këto armë zjarri janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.


Pre datës 16 mars të vitit 2010, plani operacional për identifikim e personave që mbajnë armë zjarri është dërguar në të gjitha strukturat vendore të policisë, dhe secila prej strukturave lokale do të vazhdojë operacionin në territorin që mbulon, duke ushtruar kontrolle në shtëpi, lokale, akse rrugore dhe për këtë operacione Policia e shtetit ka angazhuar një numër të madh efektivash nga strukturat e hetimit të krimit, të rendit publik dhe nga forcat lëvizëse operacionale.


Mësohet se fillimisht do të mblidhet një informacion i nevojshëm për personat që posedojnë armët dhe vendet ku ato i mbajnë, për të nisur më pas edhe operacionet për sekuestrimin e tyre dhe arrestimin e pronarëve të armëve.

****************

Arrestohet i dyshuari si shpërndarës droge

TIRANË- Një i ri i cili mbahej nën vëzhgim nga policia, u arrestua dy ditë më parë nga agjentët e antidrogës në Policinë e Tiranës, si i dyshuar për shpërndarje droge në disa zona të kryeqytetit.


Andi Ibrahimllari, 24 vjeç, me banim në Tiranë, u prangos mesditën e së mërkurës, pasi ishte shpallur në kërkim që në fillim të këtij muaji për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.


Nga burimet zyrtare të Policisë së Tiranës mësohet se pas informacioneve për aktivitetin e 24- vjeçarit, Prokuroria e Tiranës ka lëshuar urdhrin e ndalimit të tij më datë 1 prill 2010, pasi dyshohej se shpërndante lëndë narkotike në kryeqytet. Ibrahimllari pasi është arrestuar nga oficerët e Antidrogës është marrë në pyetje për aktivitetin e tij.


Mësohet se hetimet ndaj të arrestuarit vazhdojnë nga prokuroria e Tiranës për akuzën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›