Darka në Pragë, Obama nuk fton Berishën

Darka me 11 liderët e vendeve ish-komuniste bëhet për frenimin e ambicieve ruse në rajon. Reagon Meta
PRAGË - Shqipëria nuk ka marrë pjesë në darkën e organizuar dje në Pragë të Çekisë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama së bashku me 11 liderët e ish-vendeve komuniste të Europës Qendrore dhe Lindore.
Presidenti Obama, i cili vizitoi dje Çekinë, duke firmosur një marrëveshje për reduktimin e armëve bërthamore me homologun e tij rus, Dimitri Medvedev, mblodhi në një darkë liderët e vendeve ish-komuniste si; Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Sllovenia, Sllovakia, Rumania, Polonia, Estonia, Hungaria, Lituania dhe Letonia.
Të gjitha këto vende, të cilat janë anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut kanë qenë prezente në këtë darkë, përveç vendit tonë edhe pse është anëtar i NATO-s që prej prillit të vitit të kaluar.
Arsyeja e mungesës së Shqipërisë mendohet të jetë për faktin, sepse çështja që do të diskutohet në këtë darkë do të fokusohet në trajtimin e problemeve për vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, ndërkohë që vendi ynë shtrihet në pjesën juglindore të Europës.
Për t'u qartësuar më shumë rreth kësaj mospjesëmarrje është pyetur edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta. Në një prononcim për mediat, ai u përgjigj se e gjitha kjo ka të bëjë me kontekstin e kësaj darke.
Sipas Metës, kjo nuk do të thotë se marrëdhëniet midis vendit tonë dhe Amerikës janë të cenuara. "Mund t'ju them që çdo gjë ka të bëjë me kontekstin e asaj që do të realizohet atje, ka të bëjë edhe me historinë, me të kaluarën ku Shqipëria praktikisht nuk ka lidhje me kontekstin e asaj që do të realizohet atje dhe dua të siguroj se marrëdhëniet e Shqipërisë, edhe nga vizita ime e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë marrëdhënie të shkëlqyera, se Shqipëria është një nga aleatët më të besueshëm të SHBA dhe të NATO-s në rajonin e Europës Juglindore", - tha dje Meta.