E Diel, 1 Nëntor 2026

Çështja “Kurti”, pa asnjë vendim apo rekomandim

(E plotësuar) Një debat për më shumë se katër orë në Kuvendin e Kosovës për rastin e gjykimit të Albin Kurtit, nuk ka nxjerrë asnjë rezultat. Diskutimet e shumicës së deputetëve për këtë çështje kanë qenë të “zjarrta” megjithatë rezultati përfundimtar i debatit ka qenë zero, ngase Kuvendi nuk ka marrë ndonjë vendim, nuk ka dhënë ndonjë rekomandim dhe nuk ka nxjerrë asnjë përfundim, pavarësisht kërkesës së disa deputetëve që të formohet një komision “ad hoc”, për hetimin e ngjarjeve të 10 shkurtit dhe që Kuvendi të kërkojë nga EULEX-i që t’i ndërprenë gjykimet politike.

Kryesuesi i seancës, Eqrem Kryeziu ka kërkuar në fund të debateve të ligjvënësve që kryetari i Komisionit për legjislacion dhe gjyqësi, Bahri Hyseni, të jap ndonjë sqarim nëse do të nxirret ndonjë rekomandim për këtë çështje, mirëpo Hyseni ka thënë se seanca për rastin e Albin Kurtit është thirr nga Kryesia e Kuvendit dhe se nuk është kërkuar nga Komisioni që të jap ndonjë rekomandim për debatin që do të zhvillohet për këtë çështje.

Gjatë seancës së sotme, disa prej deputetëve, kryesisht nga opozita, kanë kërkuar që të formohet komisioni “ad hoc” për të hetuar rastin e protestave të 10 shkurtit të vitit 2007.

Ata kanë thënë se Kuvendi i Kosovës duhet të kërkojë nga EULEX-i që t’i ndalë gjykimet politike, kurse kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i bëjë presion Qeverisë së Rumanisë që të shpejtojë hetimet dhe t’i nxjerrë para përgjegjësisë policët rumunë që vranë Mon Balajn dhe Arben Xheladinin dhe plagosën mbi 80 protestues paqësorë më 10 shkurt të vitit 2007.

Qëndrime të ndryshme kishin ligjvënësit e pozitës dhe opozitës për këtë debat, ngase të parët kanë konsideruar se marrja e ndonjë vendimi nga Kuvendi për rastin “Kurti” do të shkaktonte precedan dhe do të ishte ndërhyrje në drejtësi, por për opozitën një konstatim i tillë konsiderohej i pakuptimtë.

Debati për rastin e liderit të “Vetëvendosjes” Albin Kurti, ka hyrë si çështje në rend dite në Kuvendin e Kosovës pas peticionit me 150 mijë nënshkrime të organizuar nga Këshilli kundër procesit gjyqësor ndaj Albin Kurtit.

Komision “ad hoc" për ngjarjet e 10 shkurtit

Ligjvënësit kanë kërkuar që të krijohet një komision “ad hoc”, për hetimin e ngjarjeve të 10 shkurtit dhe kanë kërkuar nga EULEX-i që t’i ndalë gjykimet politike, përfshirë edhe rastin e udhëheqësit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti.

Në seancën e mbajtur për rastin e Albin Kurtit, i cili ka ardhur si pikë e rendit të ditës pas kërkesës së Këshillit organizativ kundër gjykimit të Albin Kurtit, drejtuesi i seancës Xhavit Haliti ka shprehur mirëkuptim për sensibilizimin popullor që ka lindur dhe sjellë peticionin e nënshkruar nga 150 mijë qytetarë, porse siç është shprehur ai, kjo bie ndesh me shtyllat themelore të demokracisë.

“Nëse ne sot do të marrim një vendim që procesi gjyqësor të ndërpritet apo vazhdojë, kjo do të bëjë një precedent të demokracisë sonë. Albin Kurti ka mundësi të përballet me organet e drejtësisë", ka thënë Haliti.

Grupet parlamentare i kanë dhënë mbështetjen e tyre debatit për ngjarjet e 10 shkurtit të vitit 2007, ndonëse disa prej tyre kanë shprehur frikën se debati do të merrte ngjyrim politik.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Ramë Buja tha se sjellja e çështjes ‘Kurti’ në Kuvendin e Kosovës është një precedent, pasi siç tha ai, për çështje të tilla nuk bisedohet në asnjë Kuvend.

“Kemi kërkesën për përmbyllje të rastit Kurti. Kjo mund të bëhet duke respektuar diçka elementare. Qytetari përveç që ka të drejta ka edhe obligime. Secili qytetar i Republikës së Kosovës e ka për obligim që të paraqitet para gjyqit për të dëshmuar pafajësinë. i sugjeroj miqësisht Kurtit që ta bëjë këtë gjë, të shkojë e mbrojë pafajësinë”, ka thënë Buja.

Përderisa në emër të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se sa i përket peticionit, LDK konsideron se është një vullnet i shprehur në letër nga 150 mijë qytetarë dhe si të tillë grupi parlamentar i LDK-së e pranon.

“Ne si grup parlamentar dhe institucione shtetërore duhet të qëndrojmë qartë para këtyre pushteteve. Edhe njëherë po e them me gjithë rezervat që po i themi, sigurisht që e përkrahim me ato mangësi që mund t’i kemi”, ka thënë Beqiri.

Nga ana tjetër, opozita ka vlerësuar se debate për rastin e Albin Kurtit nuk është kurrfarë ndërhyrje në drejtësi.

Ahmet Isufi në emër të AAK-së, ka kritikuar fillimisht për mungesën e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, në një seancë të ndjeshme sikur kjo e sotmja, ndërkaq ka theksuar se janë përmbushur të gjitha kushtet për të debatuar këtë çështje.

“Konsideroj se përfundimisht drejtësia në Kosovë duhet të reformohet, duhet të punojnë njerëzit të cilët e zbatojnë ligjin. 150 mijë qytetarë kanë nënshkruar një peticion dhe kujtdo që i duket se është ndërhyrje në çështje të drejtësisë gabon, sepse është krijimi i një opinioni. Mendoj se në Kosova ka shumë njerëz që mendojnë se fajtorët kryesorë të vrasjes së dy të rinjve në demonstratë janë policët të cilët kanë shtënë në demonstrues”, ka thënë Isufi.

Kurse Ibrahim Makolli, shef i GP të AKR-së, ka theksuar se Kuvendi nuk mund t’i mbyll sytë para padrejtësive.

“Më 10 shkurt 2007 Kombet e Bashkuara kanë vrarë dy qytetarë dhe kanë plagosur qindra të tjerë në një protestë paqësore. Për ironi ata janë vrarë nga pjesëtarët e OKB-së. Pjesëtarët e UNMIK-ut në Kosovë kanë pasur imunitet dhe nuk janë përgjegjës para drejtësisë vendore. Por është dashur OKB-ja t’i nxjerrë para drejtësisë. Përmes këtij procesi UNMIK dëshironte të arsyetonte krimin dhe të bënte me dije se në Kosovë nuk do të lejohet shprehja e lirë përmes protestave e drejtë kjo e garantuar me konventa ndërkombëtare”, ka vlerësuar Makolli.

Ai ka thënë se Kuvendi duhet të kërkojë nga EULEX-i që të bëjë hetime të pavarura.

Ndërkaq, deputeti i LDK-së Nexhat Daci ka thënë se në qoftë se në proces gjyqësor ndaj Kurtit nuk gjendet një avokat që ta bëjë demokratik atë proces si mundet një deputet të thotë se drejtësia po funksionon mirë në Kosovë.

Deputetët në diskutimet e tyre kanë kërkuar që t’u jepet fund gjykimeve politike, ndërkaq kanë thënë se Kuvendi duhet të kërkojë nga EULEX-I që të bëjë hetime për protestat e 10 shkurtit, duke drejtuar gishtin nga policët rumunë, si fajtor për vrasjen e dy të rinjve në këtë protestë dhe plagosjen e afër një qind protestuesve paqësorë.

Deputeti i pavarur, Bujar Dugolli, i cili është edhe njëri nga bashkëpunëtorët e Kurtit në kohën e lëvizjes studentore të vitit 1997, ka dënuar vrasjen e qytetarëve të Kosovës nga policia e UNMIK-ut dhe i ka bërë thirrje Kuvendit që të kërkojë nga EULEX-i që të ndalën gjykimet politike.

“Duhet të bëhet presioni mbi qeverinë rumune që t’i përmbyllë hetimet dhe të mos i ikë përgjegjësisë që e kanë pasur policët. U tha se Kuvendi s’duhet të përzihet në kompetenca. Absolutisht ajo duhet të qëndrojë. Prandaj, Kuvendi e ka në detyrën e vet të angazhohet, të monitorojë dhe t’i japë këshilla sistemit të drejtësisë. Kuvendi po ashtu duhet të deklarohet kundër proceseve dhe ndjekjeve politike në Kosovë, qoftë me rastin Kurti, qoftë me raste tjera, sepse ne jemi dëshmitarë se ka pasur procese politike në Kosovën e pasluftës”, ka thënë Dugolli.

Ai po ashtu ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës që t’i drejtohet Qeverisë së Rumanisë me një notë proteste lidhur me këtë çështje dhe ka kërkuar formimin e një komisioni ‘ad hoc’, i cili do t’i intervistojë akterët relevantë në këtë proces, në mënyrë që të përmbyllet rasti i Albin Kurtit.

Diskutimet e deputetëve lidhur me rastin e Albin Kurtit, po vazhdojnë ende në Kuvendin e Kosovës me qëndrime të ndryshme mes ligjvënësve, sidomos lidhur me atë nëse një vendim i Kuvendit do të jetë ndërhyrje në drejtësi apo jo, ndërkohë që i mbetet Kuvendit të vendos nëse do të marrë ndonjë vendim apo jo lidhur me rastin e Albin Kurtit. /kosovapress/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›