E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet pas 12 vitesh Leonidha Bullgari

Pas 12 vitesh mungese, piktori Leonidha Bullgari ka çelur në sallën e Muzeut Historik Kombëtar një ekspozitë personale, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 2 maj. Piktori fierak, pas vitesh jetese e studimi në Greqi, thotë se e ka çelur këtë ekspozitë personale në Tiranë, pasi kishte ardhur momenti për të sjellë eksperiencën e përftuar në shtetin fqinj. "Krijimtaria ime është e konsiderueshme. Unë kam çelur disa ekspozita në Greqi", thotë piktori. Ai ka synuar të mbledhë e të sjellë në atdhe punimet e tij më cilësore e kompozimet më pikante. Në fakt, ai i përket rrymës së kubizmit, një linjë të cilën e ka ndjekur edhe i mirënjohuri Ibrahim Kodra, por edhe shqiptari tjetër, Artur (Anastas) Tashko. "Kudo që eksperimenton, piktori e bën këtë me synimin për të gjetur veten, mundohet që brenda këtyre caqeve të japë diçka", shton më tej ai. Ndër punimet e tij, një vend të veçantë duket se e zë figura e femrës. Ai thotë se femra në pikturë e ka rrëmbyer që në krijimet e para. "Ajo është shumë delikate, gjë e shenjtë, e çuditshme, aq sa dhe jetësore". Bullgari që është diplomuar në shkollën e arteve "Fernando Fenes Pirea" në Greqi, thotë se i është dashur shumë punë dhe përkushtim për të arritur sukses në një vend të huaj. "Integrimi nuk është i lehtë, por jeta e një artisti është sa e vështirë, aq edhe e çuditshme", komenton piktori. Leonidha Bullgari ka çelur disa ekspozita vetjake në Fier, Ballsh, Tiranë. Pas largimit në Greqi, ai ka mundur të çelë edhe në Athinë disa ekspozita personale. Ndërkaq, ka qenë pjesëmarrës edhe në ekspozita në grup, në vende si Italia e Anglia.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›