Rikthehet uji i pijshëm për 40 për qind të banorëve të Prishtinës

Pas gati dy ditë problemesh në furnizim me ujë të pijshëm, është rikthyer gjendja normale nga gjysma e ditës së enjte në Prishtinë. Problemi që shkaktoi shembja e dheut në Lagjen e Muhaxhirëve të Prishtinës, ku po ndërtohej një objekt i lartë banimi, kishte lënë 40 për qind të kryeqytetasve pa ujë. Shembja e dheut pos që ka lënë pa ujë banorët përreth, ka frikësuar ata tej mase sepse disa familje janë detyruar të evakuohen nga shtëpitë e tyre. Por, përkushtimi i punëtorëve të ujësjellësit rajonal “Prishtina” për ta kthyer në normalitet furnizimin me ujë të pijshëm ka sjellë rezultate. Diku nga mesi i ditës, qytetarët sërish janë furnizuar me ujë. Për këtë punë fajin ata ia hedhin punëkryesit, por nuk kursejnë kritikat as ndaj komunarëve.
Asdren Osaj, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, nuk ka pranuar të fliste para kamerës së KTV-së, por nëpërmjet postës elektronike është përgjigjur se Komuna nuk e pajis me leje ndërtimi asnjë kërkues, nëse ata nuk kanë një dokument me shkrim nga kompanitë publike (Ujësjellësi, KEK-u dhe Termokosi). Sipas Osajt, Komuna ka formuar një komision, i cili ka për detyrë të evidentojë të gjitha dëmet dhe të propozojë masat që duhet t’i marrë punëkryesi për të tejkaluar situatën emergjente të krijuar në këtë rast. Ai ka theksuar se Drejtoria e Urbanizmit ka marrë vendimin që t’iu pezullohen lejet e ndërtimit këtyre ndërtuesve.
As gjatë kësaj dite pronarët që kanë nisur ndërtimin e objektit të lartë banesor nuk janë dukur në vendngjarje./Indeksonline/