E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet uji në QSUT, normalizohet situata



Klinika –Kirurgjikale do të rinisë punën e saj pas më shumë se një javë ndërprerje të operacioneve të planifikuara dhe urgjencave. Shkak për ndërprerjen e tyre ishte bërë mungesa e ujit, për të cilën janë bërë kontrolle në rrjetin e ujësjellësit dhe është riparuar defekti. Drejtoria e QSUT-së ka pasur një takim ditën e djeshme me mjekët e Klinikës –Kirurgjikale, ku është diskutuar për problemet që kanë sjellë ndërprerjen e operacioneve në këtë urgjencë. Njëkohësisht është folur edhe për funksionimin e rregullt të punës gjatë stinës së verës. Në këtë mënyrë pacientët, tashmë do të kenë mundësinë të kryejnë ndërhyrjet kirurgjikale vetëm në rastet e urgjencave. Pasi gjatë sezonit të verës në QSUT, numri i mjekëve që do të jenë në punë do të jetë i reduktuar. Kjo, pasi si në çdo institucion tjetër shtetëror edhe mjekët do të marrin pushimet e verës. Por një pjesë e mjekëve do të marrin më tepër ditë leje nga lejet e zakonshme. Kjo sepse, shumica e tyre janë pjesë e stafit akademik në Fakultetin e Mjekësisë. Dhe si çdo pedagog, ata do të kenë rreth dy muaj leje. Në këtë mënyrë, profesorët do të largohen edhe nga rutina e përditshme e spitaleve. Ndërsa të gjithë bluzat e bardha do të vendosin datat e lejeve sipas një kalendari të përcaktuar nga ata vetë. Në mënyrë të tillë do të koordinohen për të qëndruar në punë gjatë ditës apo dhe mjek roje për të pritur rastet e urgjencave, apo në raste të tjera, për t’iu qëndruar pranë pacientëve që janë shtruar në pavijone të ndryshme të Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”. Ndërsa ata që do të përballen me vështirësi më të mëdha shëndetësore do të jenë pacientët. Ata janë të detyruar që të caktojnë datën për kryerjen e operacioneve në muajin shtator. Pacientët do të marrin shërbim ambulator derisa mjekët të vendosin për kryerjen e operacioneve.

3 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›