E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi qeverisë, tani një muaj kohë për të gjetur punë

Ky vendim është i vlefshëm vetëm për të papunët e regjistruar

Jonida Tashi

Të papunët që duan të gjejnë në punë dhe janë të regjistruar në Zyrat e Punësimit tani nuk iu duhet të presin më shumë se 1 muaj që të fillojnë punë. Qeveria në mbledhjen e djeshme të Këshillit të ministrave ka vendosur të shkurtojë kohën e vlerësimit të një punëkërkuesi nga data e regjistrimit. Para miratimit të këtij vendimi çdo punëkërkues pasi regjistrohej në zyrat përkatëse të punësimit për një vend pune duhet të priste 3 muaj për të gjetur një punë. Ndryshim i këtij afati kohor është bërë për arsye se punëkërkuesit e papunë kanë të drejta të tjera që u lindin nga statusi i tyre i të qenit i papunë, si për shembull, këshillimi dhe orientimi, ndërmjetësimi, formimi profesional,pagesa e papunësisë, ndihmës ekonomike etj. Zyra kompetente e punësimit vlerëson dhe regjistron si punëkërkues të papunë çdo person të papunë, i cili kërkon punë dhe është i gatshëm të paraqitet sa herë që i kërkohet një gjë e tillë. Një pretendues mund të vlerësohet si punëkërkues i papunë të paktën një muaj kalendarik pas ditës së paraqitjes së tij të parë në zyrën kompetente të punësimit për këtë qëllim.
Sigurimi
Të papunët që janë pjesë e “Programit për nxitjen e punësimit, nëpërmjet formimit në punë” do të sigurohen nga zyrat e punësimit për aksidentet gjatë këtyre trajnimeve. Programi i nxitjes së punësimit nëpërmjet formimit në punë parashikon përfshirjen e punëkërkuesve të papunë në programe mësimi të profesionit nëpërmjet punës. Sipas këtij programi, të papunët që marrin pjesë në këtë program dhe janë të përshirë në aktivitet e ndërmarrjes apo institucionit, në procese të rregullta pune me makineri të ndryshme, të cilat mund të bëhen shkak për aksidente në punë. Për këtë arsye qeveria dje ka vendosur që ti sigurojë pjesëmarrësit për aksidentet në punë gjatë periudhës së trajnimit në ndërmarrjen ku punojnë. Kështu, sipas vendimit të djeshëm të Këshillit të Ministrave, zyra përkatëse e punësimit bën edhe derdhjen e kontributit për sigurimin nga aksidentet në punë, në masën 0.5 për qind të pagës minimale, i cili derdhet në degën përkatëse të sigurimit shoqëror të detyrueshëm. Me këtë ndryshim punëkërkuesit duke iu derdhur kontributi nga shteti për aksidentet në punë dhe në rast se iu ndodh një fatkeqësi e tillë, përfitojnë masën e sigurimit të mbledhur. Personat, të cilët kundërshtojnë vende pune apo pjesëmarrje në programe të tjera shtetërore, të ofruara nga zyra përkatëse e punësimit, hiqen nga lista e punëkërkuesve të papunë.
Pagesa
Financimi nga shteti i punëdhënësit punëson me kontratë të papunë nuk do të bëhet më nga muaji i nëntë i vitit deri në mbylljen e tij, por me pagesa të ndara. Përkatësisht qeveria ka vendosur dje që këto pagesa të kryhen në masën 100 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, duke filluar nga muaji i pestë dhe i gjashtë dhe në muajin e njëmbëdhjetë dhe të dymbëdhjetë të kontratës. Ky është i vetmi ndryshim që ka pësuar ligji “Për masën dhe kriteret e përfitimit nga programi i nxitjes së punësimit të punëkërkuesve të papunë në vështirësi”. Në vendimin e mëparshëm pagesa e punëdhënësit, që punëson me kontratë, me kohëzgjatje njëvjeçare, punëkërkues të papunë në vështirësi, bëhej për katër muaj, në masën 100 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, duke filluar nga muaji i nëntë, për të gjithë vitin e zbatimit të kontratës.
Punëdhënësi, që punëson me kontratë, me kohëzgjatje njëvjeçare, punëkërkues të papunë në vështirësi, mund të përfitojë: mund të përfitojë: një financim për një vit, në masën 100 për qind të sigurimeve të detyrueshme shoqërore të pjesës së punëdhënësit. Kjo skemë filloi të zbatohet që në fillimi të këtij viti në dhe kohëzgjatja e saj do të jetë 5 vjet. Financimi i punëdhënësit ndërpritet në rastin kur punëdhënësi, pas përfitimit të financimit, në zbatim të këtij vendimi, zgjidh, pa shkaqe të arsyeshme, kontratat e punës së punëmarrësve të tjerë, të punësuar pranë tij.
Libreza
Personat, që për shkak të papunësisë ose të varfërisë, kërkojnë të përfitojnë nga programet shtetërore të mbështetjes në të ardhura, duhet që në çdo rast, të vërtetojnë nga zyra kompetente e punësimit për gjendjen e tyre si të papunë. Zyra kompetente e punësimit vërteton të qenit i punësuar, i papunë ose punëkërkues i papunë për vetë personin ose organizmin shtetëror, të interesuar për këtë. Shërbimi Kombëtar i Punësimit nxjerr dhe pajis me libreza personale punësimi të tërë punëmarrësit, klientë të zyrave të punësimit dhe që e pranojnë një gjë të tillë. Në librezën e punësimit shënohen nga punëdhënësi dhe nga zyra kompetente e punësimit marrëdhëniet e punës së mbajtësit të librezës që nga çasti i lëshimit të saj. Zyra kompetente e punësimit shënon në librezë profesionet, specializimet, kurset e kualifikimit dhe të dhëna të tjera, që kanë të bëjnë me formimin dhe aftësitë profesionale. Libreza qëndron e depozituar te punëdhënësi gjatë tërë periudhës që vazhdojnë marrëdhëniet e punës. Zyra kompetente e punësimit vlerëson dhe regjistron si të papunë çdo person i cili paraqitet pranë saj, deklaron se nuk është në marrëdhënie pune, nuk është i vetëpunësuar dhe që depoziton pranë saj librezën e punësimit. Shërbimi Kombëtar i Punësimit nxjerr dhe pajis me kartë personale papunësie tërë personat që pranojnë një gjë të tillë. Në kartën e papunësisë bëhet vërtetimi nga zyra kompetente e punësimit e të qenit punëkërkues i papunë i mbajtësit të kartës. Pajisja me kartë papunësie bëhet kundrejt depozitimit në zyrën kompetente të punësimit të librezës së punësimit dhe anasjelltas. Karta e papunësisë përmban numër serie dhe ka elemente sigurie. Një personi i jepet vetëm një kartë papunësie. Dublikatat për humbjen e origjinalit ose për arsye të tjera të pranueshme shënohen në regjistra dhe janë të ndryshme në formë nga origjinali.

Punëkërkues të papunë në vështirësi janë

Personat, që përfitojnë ndihmë ekonomike
Personat, që përfitojnë pagesë papunësie
Personat, që hyjnë për herë të parë në tregun e punës, të moshës 18-25 vjeç
Personat mbi 45 vjeç, që nuk kanë një arsimim më të lartë se arsimi i mesëm ose ekuivalent të tij
Personat me aftësi të kufizuar
Personat nga komuniteti rom

Akademia “Vojo Kushi”, së shpjeti me Bibliotekë

Mjediset e ish-mensës së studentëve në Akademinë “Vojo Kushi”, do të shërbejnë për ngritjen e Bibliotekës Kombëtare të Sportit. Qeveria, vendosi dje, dhënien në përdorim, pa shpërblim, Akademisë së Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”, dhënien e këtyre mjediseve. Ish-mensa e studentëve të kësaj akademie, që është pronë publike, ndodhet në katin përdhes të ndërtesës së konviktit, që është po brenda territorit të Akademisë “Vojo Kushi”. Për zabtimin e këtij vendimi, qeveria ka autorizuar Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës të lidhë kontratën me Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi” në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.
Bibliotekws Kombwtare tw Sportit

3 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›