Gjeopolitikisht Shqipëria është futur në NATO që më 22 mars 1992
Nga dr. Arian STAROVA
Më 1 prill, bashkë me dërgimin e protokolleve të anëtarësimit në Uashington DC, përfundoi edhe procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Dje, u shënua zyrtarisht një ngjarje madhore në historinë e Shqipërisë, u bë e sigurt përkatësia e re gjeopolitike e saj dhe e të gjithë shqiptarëve të rajonit të Ballkanit. Që prej kësaj dite të mbarë, për të cilën, simbolikisht, shqiptarët kanë ëndërruar e janë përpjekur në forma të ndryshme gjatë gjithë historisë së tyre, do të jenë më në fund të garantuar e të sigurta edhe themelet e demokracisë së re shqiptare. Nesër, në mbledhjen e nivelit të lartë të NATO-s, në Strasburg e Kehl, Shqipëria merr pjesë si anëtare me të drejta të plota e një Aleance të fuqishme politike e ushtarake që mbron me sukses për 60 vjet vlerat e qytetërimit të familjes së vendeve demokratike perëndimore. Gjëja më themelore e këtij anëtarësimi në NATO, që nuk duhet ta harrojmë kurrë, është fakti se Shqipëria u pranua nga të gjitha vendet e familjes euroatlantike se e meriton të jetë pjesë e vlerave të saj dhe të jetë e mbrojtur në mënyrë të përbashkët.
Me Shqipërinë anëtare të NATO-s, bëhet më i sigurt për herë të parë në të gjithë historinë e tij edhe rajoni ynë i Ballkanit, pikërisht sepse shqiptarët më në fund u shndërruan nga një komb që lufton për mbijetesë në aktor politik të rëndësishëm ndërkombëtar rajonal.
Me Shqipërinë në NATO, përshpejtohet përparimi i Shqipërisë në një rrugë që bëhet edhe më e shkurtër drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Elita politike e Shqipërisë, prandaj, nuk ka arsye thelbësore për t’u grindur brenda vetvetes rreth çështjeve të tilla, siç po ndodh ditët e fundit, nëse duhet bërë kërkesa tani apo më vonë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Është rasti që të gjitha forcat politike shqiptare të mendojnë në mënyrë konsensuale, ashtu siç kanë bërë me sukses edhe për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, dhe të mbështetin paraqitjen sa më shpejt të kërkesës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Nëse janë dëgjuar edhe zëra autoritarë prej Bashkimit Evropian për mosngutje në lidhje me këtë kërkesë, kjo ndodh vetëm sepse jehona e sherreve dhe grindjeve publike që vijnë nga opozita, përplaset deri në zyrat e tyre dhe ata, natyrisht, nëse shohin mungesë konsensusi për kërkesën, përpiqen të ndihmojnë që ai të gjendet në një kohë tjetër, por pa qenë në thelb kundër bërjes së kësaj kërkese për anëtarësim në BE tani.
Si dita e parë pas këtij akti historik, si deputet i një vendi anëtar të NATO-s, do të doja t’u shprehja mirënjohjen e t’i përshëndes, në emër të Bashkimit Liberal Demokrat, por edhe si president i Këshillit Atlantik të Shqipërisë, të gjithë shqiptarët për mbështetjen e përhershme e të plotë të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Natyrisht, në përfundimin me sukses të këtij procesi me rëndësi strategjike për Shqipërinë e rajonin tonë, ka meritë të padiskutueshme edhe qeveria “Berisha”, e cila përshpejtoi përafrimin e Shqipërisë me standardet politike e demokratike të NATO-s.
Mirënjohje të veçantë meritojnë edhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë, të cilat, me sakrifica të shumta, janë shndërruar në pjesë të respektuar të NATO-s kudo që kanë dhënë ndihmën e tyre për sigurinë euroatlantike ose ndërkombëtare.
Më lejoni të shpreh mirënjohjen time më të lartë, gjithashtu, për të gjitha vendet anëtare të NATO-s dhe në mënyrë të veçantë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën e pamasë e të përhershme që i dhanë vendit tim për anëtarësimin në NATO.
Sot ndiej detyrim, së pari ndaj vetes, t’u them edhe atyre që ditën bërtasin për merita politike konsensuale për anëtarësimin në NATO, kurse natën bëjnë analistin politik ose realistin e shtirur, duke thëne se Shqipëria u fut në NATO vetëm për arsye gjeopolitike apo se donin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se gjeopolitikisht Shqipëria është futur në NATO që më 22 mars 1992, kur forcat demokratike fituan zgjedhjet në Shqipëri, por që prej asaj kohe është punuar për të plotësuar me sukses edhe standardet e kërkuara nga kjo Aleancë, është punuar për ta merituar anëtarësimin në NATO. Të nënvleftësosh meritat e anëtarësimit që i përkasin Shqipërisë, është njëlloj sikur të përçmosh punën e të gjithë atyre, shqiptarë ose të huaj, që punuan dhe dhanë mbështetjen e tyre për këtë anëtarësim.
Mendoj se na përket të mos harrojmë se Shqipëria e ka merituar anëtarësimin në NATO edhe si një vend që, në shekuj, ka qenë paqësor e ka bërë luftë vetëm kur ka qenë i detyruar, në mbrojtje të lirisë e vlerave të qytetërimit dhe në njëzet vjetët e fundit, ka qenë shembull i politikës së paqes e dialogut në rajon, vlera këto që hyjnë ndër standardet e anëtarësimit në NATO.
Duke përfunduar fjalën time, do të doja të theksoj se anëtarësimi në NATO do të thotë më shumë përgjegjësi për ta bërë Shqipërinë një vend anëtar sa më të respektuar dhe, pse jo të shquar, të kësaj Aleance.
Në fund, do të doja t’i propozoja këtij Kuvendit shpalljen e njërës prej ditëve të para të prillit si ditë zyrtare e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ose si “Ditë e NATO-s”.