Rikthimi dështues
Madhështia e një kampioni shpesh lidhet edhe më fundin e tij sportiv, natyrisht. Janë shumë yje të sportit që e lënë karrierën atëherë kur janë në formë, e cila vlerësohet nga sportdashësit. Mirëpo, ka prej sportistëve që e ndërrojnë mendjen dhe pas disa vitesh, rikthehen.
Kështu kishte vepruar kohë më parë legjenda e basketbollit, Michael Jordan. Tash, rrugën e tij e ndoqën edhe legjenda e Formulës 1, Michael Schumacher dhe legjenda e çiklizmit, Lance Armstrong.
Shtatë herë kampioni i botës, i cili e la këtë sport në vitin 2006, kur garonte me Ferrarin, u rikthye me ekipin Mercedes, por këtë sezon, të cilin e fitoi bashkëkombësi i tij Sebastian Vettel, 41-vjeçari zhgënjeu duke përfunduar në pozitën e nëntë, në renditjen botërore të pilotëve.
Kurse amerikani, edhe ai shtatë herë kampion bote, e kishte lënë çiklizmin në vitin 2005. Por, ai vendosi të rikthehej, mirëpo 39-vjeçari dështoi në Tour de France.
Të dy veteranëve, rikthimi u dhuroi kënaqësi dhe plot emocione. Ata shfaqën haptazi dëshirën që të ndihen të rinj, protagonistë dhe fitues. Mirëpo, në jetë arrijnë momente kur duhet të thuash MJAFT, përballë çdo aktiviteti që të prezantohet përpara. Këta të dy nuk e patën kurajon që ta bënin dhe këtë e paguan.