Rikthimi i Adrianos

Adriano ka vetëm dy kilogramë më tepër se pesha e tij ideale, por është ende larg nga gjendja më e mirë fizike. Sulmuesi brazilian i Corinthiansit, i cili dikur si një prej futbollistëve kryesorë të Interit terrorizonte mbrojtjet kundërshtare, është duke punuar shumë për t’u kthyer ai që ishte dikur, dhe për të siguruar një vend në Kombëtaren braziliane. Adriano dëshiron që sërish të jetë ‘Imperator’.
Gjatë një interviste për Tv Globo, ish-anëtari i Interit dhe Romës ka përshkruar vitin e fundit, pas ardhjes së tij në Corinthians duke kaluar nga lëndimet e shumta që e kanë penguar në rrugëtimin e tij. Shumë momente të vështira, por Adriano ka filluar të shohë dritë në fund të tunelit.
“Kam filluar të hyjë në formë. Tite (trajneri) flet shumë me mua, më thotë gjithmonë se do të vijë momenti im. E di se duhet të përmirësohem ende, i njoh aftësitë e mia, jam duke luajtur vetëm në fundjava për të hyrë në formë sa më parë që është e mundur, kurse nuk mund të qëndroj dy ditë pa u stërvitur. Për të qenë në 100 për qind më nevojitet edhe një muaj”, deklaroi ai.
Shumë shpesh flitet për peshën e tij, por Adriano insiston se gjendja nuk është aq e rëndë. “Më duhet të humb edhe dy kilogramë. Tani peshoj 100, por pesha ime ideale është 98 kilogramë. Paraqitja në dy ndeshjet e fundit më ka ndihmuar”, shtoi ai.
Adriano pranon se gjërat të cilat i ka bërë dikur në fushë tani nuk arrin t’i bëj. “Problemi im nuk është pesha, por kjo vështirësi, mosarritja e realizimit të gjërave të cilat u bien ndërmend. Më duhet të lëviz në mënyrë të ndryshme për të shënuar gol, kam filluar të përmirësohem por më mungon ende një 50-përqindësh”, theksoi braziliani.
30-vjeçari beson se mund të kthehet ai i dikurshmi. “Edhe pse njerëzit duhet të kuptojnë sa e vështirë është të ktheheni pas frakturës në thembër. Mendoj se është e mundshme të kthehem ai Adriano i vjetër, i kam të gjitha për t’u kthyer ai i dikurshmi. Mjafton të punoj dhe të kem besim, nuk do të ndalem”, vazhdoi ai.
Pas tre muajsh do të skadojë kontrata e tij me Corinthiansin. Adriano duhet të luftojë edhe për konfirmimin e tij në klub. Për këtë është optimist.
“Ende nuk kam biseduar me drejtuesit e Corinthiansit, por besoj se duan të më mbajnë dhe do të më pëlqente të mbetem”, shprehet Adriano, i cili nuk dorëzohet as në shpresë për rikthimin e tij me fanellën e Brazilit.
“Për t’u kthyer në Kombëtare duhet të kthehem ai Adriano i tri viteve më parë. Por, rruga është e duhura, kërkohet durim. Objektivat e mia janë të fitoj në Libertadores dhe të kthehem në Seleçao”, përfundoi ai.