Bin Ladeni është 'shitur' nga gruaja e tij

Ka kaluar gati një vit që nga momenti kur pjesëtarët e një njësie elite të SHBA-së vranë Bin Ladenin në Pakistan. Por ende mbeten të paqarta detajet, të cilat mundësuan ndërmarrjen e aksionit. Kjo e hidhëron tej mase Shaukat Qadirin. Ky gjeneral në pension flet me ironi për kinse padijeninë e bashkëkombësve të tij.
“SHBA-ja e ka vrarë, ndërsa ushtria e Pakistanit nuk ka ditur asgjë? Apo mos ka qenë vallë ajo bashkëpjesëmarrëse në këtë aksion?”
Qadir, 64 vjet, jeton në Ravalpindi, në një pjesë të qytetit, në të cilën janë vendosur shumë ish-oficerë. Ai ka qenë i angazhuar në këmbësori, në momentin kur u dërgua para kohës në pension, për shkak të gojës së tij, siç thotë ai. Edhe më tutje ai po provokon opinionin, me tezat e tij për vdekjen e Bin Ladenit në Abbottabad dhe për rolin që ka luajtur ushtria pakistaneze në këtë aferë. “Ishte kjo një katastrofë për të gjithë pakistanezët”, thotë ai.
Për këtë arsye ai u vu në kërkim të së vërtetës, pasi që shumë pyetje mbetën pa përgjigje: Si e kuptoi CIA se Bin Ladeni po fshihej në Abbottabad? Kush ju ndihmoi amerikanëve?
Ai ka hartuar një raport prej 30 mijë fjalë, të cilin ende nuk e ka bërë publik. Teza më e rëndësishme e tij në këtë raport:”Mund të nisemi nga ajo se Khairiah Saber, gruaja e tretë e Bin Ladenit, e ka tradhtuar atë”.
Qadir thotë se Saber ka qenë xheloze, para se gjithash ndaj Amal Ahmed al-Sadah, më e reja në mesin e pesë grave të Bin Ladenit dhe më e adhuruara e tij.
Së bashku me të ushtarët amerikanë e gjetën Bin Ladenin, në katin e epërm të strehimores së tij, kur e sulmuan shtëpinë, më 2 maj të vitit 2011. Amal ka lindur fëmijët më të ri të Bin Ladenit, në vitin 2006 dhe 2008, në Abbottabad. Sipas Qadirit, Bin Ladeni ka qenë seksualisht aktiv dhe nuk ka qenë aq sëmurë, siç është pohuar.
Qadirit gjatë hulumtimeve të tij i ndihmoi fakti se shefi aktual i shërbimit të fshehtë të Pakistanit, ISI, ka qenë nxënës i tij dhe se ka shërbyer së bashku me shefin aktual të ushtrisë së Pakistanit.
Falë kontakteve të mira, ai siguroi qasje në protokollin e bisedave mes grave të Bin Ladenit dhe në raportet e hetuesve pakistanezë.
Qadir ka vizituar katër herë shtëpinë, tashmë të rrënuar, në të cilën ishte fshehur Bin Ladeni. Atij i kanë mbetur vetëm dy xhirime, të cilat i ka bërë në brendi të shtëpisë. Në njërin xhirim shihet shkallet e mbuluara me gjak, ndërsa në tjetrin shihet kuzhina. Qadir thotë se xhirimet tjera ja ka shkatërruar shërbimi i fshehtë.
Nga bashkëshortja e tij e parë Bin Ladeni u nda në vitin 2001, ndërsa gruaja e dytë e kishte braktisur në vitet e 90-ta. Psikologia e fëmijëve, Khairiah, ekspertja për gjuhë, Siham Saber dhe Amal e re dhe e paedukuar jetonin në Abottabad.
Tri gratë dhe të gjithë fëmijët dhe nipat e Bin Ladenit e mbijetuan sulmin dhe po mbahen nën vëzhgim nga ISI. Ishte paraparë që gratë dhe fëmijët të dërgoheshin në vendlindjet e tyre, në Arabinë Saudite dhe Jemen, por së fundi u bë e ditur se që të tri gratë janë paditur nga autoritetet, për shkak të hyrjes së paligjshme në Pakistan.
Edhe hetuesit e kanë cilësuar Khairiah si xheloze dhe një femër me personalitet të vështirë. Atmosfera në shtëpi, ku jetonin 27 persona, nuk ka qenë fare e mirë. Amal i ka thënë hetuesve se telashet filluan, kur Khairiah kishte arritur në shtëpi, disa javë para vrasjes së Bin Ladenit. Ajo jetonte një kat më poshtë, nën dhomën, në të cilën Bin Ladeni u vra para syve të gruas së tij më të re.
Khairiah pas hyrjes së forcave të NATO-s në Afganistan kishte shkuar në Iran, ndërsa mal kishte qëndruar me Bin Ladenin në Afganistan dhe e kishte shoqëruar më vonë në Pakistan.
Në Iran, Khairiah ishte vendosur nën arrest shtëpiak. Tek në vitin 2010 ajo u lirua, në shkëmbim të një diplomati iranian, të rrëmbyer në Pakistan. Fillimisht, ajo shkoi në strehimoren e Al Qaedës në Tora Bora. Aty ajo shprehu dëshirën që të shkojë te bashkëshorti i saj, i cili jetonte në Abbottabad.
“Ishte kjo mundësia për njeriun numër dy të Al Qaedës, Ayman Al Zavahri, që shefin e tij tashmë të padëshiruar t’ia dorëzojë amerikanëve”, thotë Kadir.
Sipas hetuesve pakistanezë, Zavahri qysh në vitin 2003 kishte dashur të heq qafësh Bin Ladenin. Qadir thotë se ka gjasa që Bin Ladeni të jetë tradhtuar edhe nga ndihmësi i tij, Abu Ahmed al-Kuëaiti, i cili ka jetuar gjithashtu në shtëpi. (Der Spiegel)