E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthimi i Mel Gibsonit

Si aktor dhe regjisor ka regjistruar vetëm suksese, ndërsa si njeri vazhdon të “prodhojë” vetëm debate. Pas 7 vitesh mungesë, Mel Gibson rikthehet në ekran me një rol që i shkon shumë për shtat

“E ke vrarë ti vajzën time?”, pyet detektivi Thomas Craven një prej keqbërësve. Pistoleta është e mbushur, sytë duken si të atyre që nuk falin dhe të gjithë e dinë se si do përfundojë. Kjo është një nga skenat më pikante mes shumë të tillave në filmin “Jashtë kontrollit”, ku Mel Gibson interpreton rolin e një polici të qetë që pas vrasjes së të bijës shndërrohet në një hakmarrës të vetmuar. Aktor, regjisor, producent dhe skenarist i shumë filmave në Hollivud, Mel Gibson, 54 vjeç dhe me pasuri që vlerësohet rreth 850 milionë dollarë, rikthehet në ekranin e madh pas shtatë vitesh mungesë. Protagonist i padiskutuar i një serie të gjatë filmash, pas “Signs” në vitin 2002 Gibson u largua nga aktrimi. Një vendim ky që u pasua me të tjera probleme në jetën private. Që atëherë ka pasur probleme me alkoolin, u nda nga bashkëshortja Robyn Moore pas 28 vjetësh martesë, u bë babai i një vajze që erdhi në jetë nga lidhja e tij me këngëtaren Oksana Grigorieva, dhe “bëri” edhe disa armiq për shkak të bindjeve ultrakonservatore dhe antisemite, përveç fyerje ndaj gazetarëve që e pyesnin për jetën e tij private. Me pak fjalë, një burim i pashterueshëm; lajmi për tabloidët dhe gazetat rozë. Kur Mel u prezantua në takimin me shtypin për premierën e filmit dukej sikur sapo kishte dalë nga një sheshxhirimi. Kishte veshur një këmishë me kuadrate, një bluzë të bardhë sipër saj dhe një palë xhinse. “Nuk e vras mendjen, s’ka rëndësi më është premierë apo jo. Unë vishem ashtu si më pëlqen”, tregon ai.

është ky një rikthim zyrtar në skenë?

Meqë ti po më pyet dhe meqenëse kam ndenjur larg ekraneve për ca kohë, besoj se po. Por gjatë gjithë kësaj kohe kam drejtuar filma, i kam prodhuar, shkruar dhe kam organizuar gjithçka që duhej për ta.

Po në filmin e ri, keni thjesht rolin e aktorit?

Edhe këtu kam dhënë kontributin tim. Disa skena të tij i kam krijuar vetë.

Personazhi që interpretoni nuk qesh aspak: humbet vajzën. Vuajtja është një tipar në shumë filma tuaj. Si ka mundësi?

Vuajtja është pjesë e jetë, dhe këtë duhet ta kuptojnë të gjithë. Por ndonjëherë mund të jetë edhe e domosdoshme. Nga vuajtja mund të mësosh shumë gjëra për jetën.

Maturia është një dhuratë e moshës. Ju jeni 54 vjeç: “plakja” ua ka bërë jetën më të lehtë?

Eh, kush e ka thënë një gjë të tillë. Me kalimin e moshës gjërat përkeqësohen. Pas të 50-ave e kupton se koha që ke në dispozicion është duke përfunduar. Për këtë arsye nuk dua të qëndroj më jashtë skenës. Me kalimin e kohës nuk mund të bësh asgjë, veçse të peshkosh apo të jesh kopshtar.

Një tjetër temë e filmave tuaj është ajo e drejtësisë...

Protagonisti, i mbytur nga dhimbja kërkon të hakmerret i vetëm.
Nëse do të kishte drejtësi, ata bankierët e “Goldman Sachs” tani do të ishin duke larë dyshemetë tona. Por ja që nuk ka, ndaj njerëzit e kërkojnë te kinemaja.

Ju do ta vendosnit drejtësinë i vetëm?

Varet se për çfarë, ku, kush, përse. Një herë në televizor pashë historinë e një të çmenduri që rrëmbeu një fëmijë, pastaj e terrorizoi, torturoi dhe e vrau. Pas arrestimit, i ati priste që ta transportonin nga një burg në tjetrin. Iu afrua në aeroport dhe e goditi me një të shtënë në kokë. Pas kësaj hodhi pistoletën, ngriti duart dhe bërtiti: “Mbaroi dhe kjo punë”. E kuptoj plotësisht atë baba.

D.m.th, edhe ju do e godisnit në kokë një njeri?

Nëse ma kërkoni tani, do t’ju përgjigjem jo. Por e di që kur në mes janë fëmijët reagimi është ndryshe. Po ju them se për fëmijët e mi do ta bëja.

Po kjo nuk do ta ndihmonte aspak imazhin tuaj?

Imazhi im është dita-ditës më pak i rëndësishëm. Ka të tjera gjëra shumë më të rëndësishme në jetë.

Ju keni një nuhatje të veçantë. Keni krijuar filmin “Paparazzi”, sepse jeni shumë i ndjeshëm ndaj temës së privatësisë. çfarë mendon për faktin se sot çështjet politike të botës kalojnë nga “vrima e çelësit”?

është e pabesueshme se ku kemi përfunduar. Vazhdoj të lexoj skandale që na shpërqendrojnë nga ajo që ka rëndësi vërtet.

Megjithatë, ju me gazetarët nuk jeni treguar shumë i butë. Para pak kohësh e quajtët “trap” një gazetar që po ju kërkonte llogari për disa nga sjelljet e tua?

Po, në SHBA nuk u fol për gjë tjetër për ca kohë. Po ashtu prej muajsh po bëhen sondazhe të tipit: kush është trapi i vërtetë në këtë mes, Mel Gibsoni apo gazetari. Gjëra të pavlera që duke i përmendur shpesh bëhen të mëdha. E ndërsa ne merremi me këto idiotësira në një vend të globit që zien nga lufta dhe njerëzit nuk mund të shijojnë një ditë të qetë një ushtar i ri ka humbur jetën dhe për të nuk flet askush. Buja dhe thashethemet shënojnë fundin e qytetërimit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›