Xhevahir Spahiu merr çmimin Kurora e Festivalit Poetik Ballkanik
Rreth 70 poetë të ardhur nga Greqia, Bullgaria, Maqedonia, Kroacia, Kosova dhe Shqipëria kanë marrë pjesë në festivalin poetik Ballkanik, “Trëndafilat e Elbasanit”. I kthyer tashmë në traditë, në edicionin e tij të 10-të ky festival ka pritur me dhjetëra poetë të huaj dhe vendas, të cilët në sallën e teatrit “Skampa” kanë recituar poezitë e tyre. Kjo ditë për poetin elbasanas njëherazi dhe kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Kostandin Kristoforidhi”, Milianov Kallupi, cilësohet si dita e veroreve, dita e luleve, e vjollcave, e karafilave, e gjelbërimit të natyrës dhe shpirtit njerëzor. Me mbështetjen e Bashkisë së Elbasanit, poetët të ndarë në grupe kanë recituar në sallën e teatrit “Skampa”, ku edhe janë duartrokitur poezitë e tyre nga spektatorët e shumtë që kishin mbushur sallën. Në këtë ditë juria ka vlerësuar me çmimin “Kurora e Festivalit Poetik Ballkanik”, “Trëndafilat e Elbasanit”, poetin e mirënjohur Xhevahir Spahiu, emrin e të cilit mban edhe pema e mbjellë dje në “Lulishten e poetëve” para godinës së Bashkisë së Elbasanit për nder të tij. Ky çmim, sipas Kallupit, përkon edhe me 65-vjetorin e lindjes së poetit.
#