Dita e Verës, çelet panairi tradicional
Koha e bukur dhe aktivitetet e shumta i kanë dhënë pamjen festive qytetit të luleve dhe të ballokumeve.
Elbasani dje ka qenë “i pushtuar” nga vizitorët e shumtë, që kanë mbërritur nga të gjitha anët për të festuar Ditën e Verës.
FestivaliFestivali i Këngës Popullore Qytetare zbriti për të dhjetin vit radhazi në qytetin e Elbasanit, i njohur si qytet i kulturës dhe arsimit. Edhe në këtë edicion nuk kanë munguar spektatorët, të cilët për dy net radhazi kanë mundur të shijojnë interpretimin e 13 grupeve artistike jo vetëm nga vendi, por edhe Ballkani. Në natën e dytë të festivalit, në sallën e teatrit “Skampa” janë ngjitur në skenë grupet artistike të Shkodrës, Kavajës, Dibrës, Gjakovës, Fierit, Durrësit dhe Elbasanit. Juria e përbërë nga kryetari Agim Krajka, si dhe anëtarët Miaser Dibra, Roland çene, Xhavit Ujkani e Beatriçe Balliçi, vlerësuan me çmimin e parë grupin artistik të Dibrës, me çmim të dytë Shkodrën, dhe me çmim të tretë grupin e ansamblit “Isuf Myzyri” të Elbasanit. Në këtë festival nuk kanë munguar edhe çmimet speciale, ku janë vlerësuar orkestra e Beratit, si dhe grupi i ansamblit i ardhur nga Selaniku i Greqisë, i cili e ka përshëndetur këtë festival.
Panairi tradicionalDje është çelur panairi tradicional “Dita e Verës 2010” në ambientet e pallatit të sportit “Tomorr Sinani”, të qytetit të Elbasanit. çeljen e këtij panairi e ka përshëndetur kryetari i bashkisë, Qazim Sejdini, presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Veli Kazazi, si dhe prefekti i Qarkut të Elbasanit, Shefqet Deliallisi. Si çdo vit, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, si dhe Bashkia e Elbasanit, organizojnë pjesëmarrjen e firmave të interesuara në këtë panair. Këtë vit marrin pjesë 45 firma të reja, si dhe tradicionale, që sipas Sejdinit: “Tregojnë për një rritje të mëtejshme të bizneseve të Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë”. Këtë vit është vënë re një pjesëmarrje e gjerë e qytetarëve, të cilët kanë treguar interes për të parë nga afër stendat e shumta të panairit, i cili do të qëndrojë i hapur për dy ditë. Panairi “Dita e Verës 2010”, hapet një ditë përpara festës pagane të Ditës së Verës, e cila festohet prej më shumë se një shekulli në këtë qytet.
Sidoqoftë, festa nuk ka mbaruar këtu. Në sheshin e qytetit, orë pas ore ka pasur shfaqje muzikore, duke nisur nga ai i ansamblit “Isuf Myzyrit” i qytetit, për të vazhduar me grupe të huaja, si dhe një koncert i mirorganizuar nga forumi rinor demokrat, ku kanë kënduar deri në orët e vona të natës, këngëtarë të njohur vendas dhe të huaj. Vetëm kur janë shuar tingujt e muzikës, pas ritualit të fishekzjarrëve mbi godinën e bashkisë së qytetit, miqtë dhe pritësit kanë nisur festën e pagjumë nëpër shtëpi e lokale. Festa në ditën e sotme ia la vendin natyrës në kodrat e Qafë-Kërrabës, Krastës, luginës së Shkumbinit e deri te vendi i njohur si “Ulliri i Qejfit” në pjesën veriore të ullishtës së qytetit. Miq priten edhe në ditën e sotme, mes tyre edhe politikanë të të dyja kampeve. Nata e mbrëmshme ka qenë e pagjumë në qytetin e Elbasanit, mes mishit të pjekur, verës, ballokumeve, rakisë e këngëve tradicionale.
#