Rikthimi i dimrit izolon disa fshatra në Jug
Reshjet e shiut e të borës dhe cikloni i erës që përfshinë gjatë dy ditëve të fundit rajonin jugor të vendit, kanë shkaktuar bllokimin e lëvizjes në zonat e thella malore, bllokimin e rrugëve nga rënia e pemëve nga era, këputjen e telave të rrjetit dhe ndërprerje të energjisë elektrike, thyerjen e xhamave dhe zbulimin e çative, si dhe dëme të tjera materiale. Qarkullimi i automjeteve është ndërprerë plotësisht në aksin Gjirokastër- Poliçan-Nivan, duke izoluar komunat e Zagorisë dhe Pogonit në Rrethin e Gjirokastrës. Sipas kryetares së Komunës së Zagorisë, Anastasia Dushi, trashësia e borës në fshatrat e kësaj komune ka arritur deri në 20 centimetra. Për shkak të erërave të forta gjatë natës së kaluar, në këtë komunë është ndërprerë energjia elektrike në fshatrat Dëshnicë, Zhej dhe Dhiar. Ndërprerje qarkullimi për shkak të reshjeve të borës ka pasur edhe në Komunën Frashër të Rrethit Përmet. Si pasojë e borës së rënë gjatë natës në këtë zonë, trashësia e saj ka arritur në 30 centimetra në të 12 fshatrat e komunës, ndërkohë që aksi rrugor që lidh këto fshatra me rrugën nacionale është i bllokuar në segmentin Orgen-Frashër. Kryetari i kësaj komune, Tomor Kotorri, tha se në disa segmente rrugësh rurale trashësia e borës ka arritur deri në 60 centimetra. Ndërkohë, mësohet se për shkak të një cikloni që përfshiu lagjen "1 Maji" të qytetit të Përmetit janë shkaktuar dëme në disa dyqane, banesa dhe biznese. Era ka thyer kanatat dhe dritaret e 12 dyqaneve, dy bizneseve dhe dy banesave private, ndërkohë që nga thyerja e xhamave janë dëmtuar dy persona që ndodheshin në këto ndërtesa. Era ka shkaktuar edhe thyerjen dhe shkuljen e pemëve në anë të rrugës nacionale në Përmet, duke ndërprerë përkohësisht qarkullimit.