E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthimi i emigrantëve, radhë në doganën e Kapshticës

Kufiri mes Shqipërisë dhe Greqisë kthehet në vendin e pritjes së pafundme të emigrantëve shqiptarë që rikthehen në shtetin fqinj. Pritja dhe mundimi në kufi duket se nuk iu është ndarë asnjëherë shtetasve shqiptarë të cilët duket se janë të destinuar të kalojnë orë të gjata sfilitëse në vendkalimin kufitar të Kapshticës. Edhe ky fillim viti nuk ka shmangur mundësinë e krijimit të radhëve të gjata në territorin shqiptar. Ndërkohë nga orët e mëngjesit të sotëm, janë rishfaqur sërish automjete të vëna në një radhë të gjatë për shkak të dyndjes së menjëhershme të shtetasve shqiptarë që synojnë rikthimin në Greqi pas festave. Pala shqiptare punon me 7 sportele gjithsej 5 prej të cilave për daljet nga Shqipëria, ndërsa pala greke me 5 sportele dhe me 3 të tilla vetëm për hyrjet në Greqi. Në 24 orët e fundit kanë lënë Shqipërinë 3810 shtetas shqiptarë me 1005 automjete. Ndërkohë kanë hyrë në Shqipëri gjatë këtyre 24 orëve 1660 shtetas shqiptarë me 369 automjete. Shqetësimi mbeten radhët që për më tepër krijohen duke sjellë probleme për ata mijra udhëtarë që iu duhet të provojnë dhe temperaturat disa gradë nën zero në vendkalimin kufitar të Kapshticës. Ndërkaq më shumë se 100 mijë emigrantë kanë hyrë nëpërmjet kësaj pike për festat e fundvitit nga të cilët janë rikthyer në Greqinë fqinjë vetëm 10 mijë. Deri në datën 6 janar pritet të largohen të gjitnë emigrantët, ndërsa pas kësaj date rifillon shkolla dhe hapen të gjitha institucionet duke iu rikthyer normalitetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›