E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthimi te lufta brenda llojit

Tashmë është e vërtetuar se shkatërrimtarja e të gjitha proceseve politike dhe ekonomike në Shqipëri, lufta brenda llojit, ka ekzistuar, po lulëzon dhe ka gjasa të përhapet në të gjithë shoqërinë. Partitë dhe shoqëria civile po vuan sot pasojat e kësaj lufte të pamëshirshme për karrige dhe pushtet të pakufizuar, duke stopuar oponencën aq të domosdoshme për një shoqëri demokratike.

Njerëzit me pushtet, të ndarë në shumë fronte, me apo pa rol dominues, kanë përgatitur tashmë posterat e së ardhmes në kurriz të punonjësve, të papunëve dhe pensionistëve, të cilët vazhdojnë të presin pafund për të pasur më shumë punë, përkujdesje nga shteti dhe mbi të gjitha mirëqenie. Sot në arenën politike dhe mediatike bëhet zhurmë dhe debat, me synimin e vetëm për të mbajtur nën kontroll zonat e influencës, që për politikëbërësit me bindje të djathta, të majta dhe në qendër janë tepër të rëndësishme. Sloganet dhe premtimet i kanë shtrirë "rrënjët" në çdo familje shqiptare, e cila për hir të së vërtetës është mbërthyer para gazetave dhe ekraneve televizive, duke humbur kohën e çmuar. Shpirti i të bërit oponencë po shuhet, sepse ka një çoroditje totale të qytetarëve të cilët shikojnë padrejtësi pikërisht nga njerëzit që u kanë besuar votën e tyre, të pakënaqurit vazhdojnë të mbeten në frontet e tyre të kundërshtisë në pritje se çfarë do të bëhet, abstenuesit e kanë zgjedhur tashmë rrugën e tyre. Loja vazhdon, sot në një parti dhe nesër në një tjetër, po ashtu armatën e shoqërisë civile e shikon sot të bashkuar në një protestë apo në takime liderësh, ndërsa nesër në konferenca të ndarë, duke injoruar dhe përbaltur punën e njëri- tjetrit. Farsa sa vjen dhe shtohet, ku prek nga afër këtë realitet të hidhur. Larg fasadës së zhurmshme të shtrëngimit të duarve, pas luleve dhe përqafimeve mediatike vjen urrejtja, e cila në shumë raste zgjatet në pafundësi. Qytetarët besojnë, perspektiva mbetet e zymtë dhe zhgënjimi gjithashtu. Ata i bëjnë thirrje në heshtje ndërgjegjes së tyre se me kë duhet të bashkëpunohet, ku po shkojmë, a është e mirë rruga e nisur apo jo?! Të gjithëpushtetshmit, falë ndihmesës mediatike janë në gjendje të krijojnë grupime brenda një kohe sa më të shkurtër, vetëm e vetëm të thithin sa më shumë fonde nga brenda dhe jashtë, për të jetuar sot dhe për të mbijetuar nesër.

Në këtë vorbull, ku askush nuk mban përgjegjësi për atë që bën, mbetet që i vetmi fajtor të jetë qytetari.

Në këto vite ka pasur shumë deformime në vendimmarrje, largime nga puna të diktuara dhe me "dëshirë", është shkelur dhe po shkelet mbi dinjitetin e personalitetin e njeriut. Me të drejtë lind pyetja: Edhe sa kohë Shqipëria, e cila tashmë është anëtare e NATO-s, duhet të tregojë se është e përgatitur për t‘u anëtarësuar në familjen e madhe europiane? Të gjithë ne e aspirojmë një gjë të tillë. Dikush thotë një datë apo një vit, dikush premton dhe më në fund kundërshti dhe heshtje se kush është fituesi apo humbësi për të konfiguruar Parlamentin e ri. Politika e shkëputur nga problemet e ditës mbetet e gozhduar se sa dhe si do të ndahen postet ministrore, a do të japë dorëheqjen humbësi dhe përse duhet ta bëjë një gjë të tillë. Ata që deri dje ishin fanatikët e njerëzve të veshur me "veladonin" e politikës, sot i gjen në krah të skeptikëve apo të njerëzve që kundërshtojnë. Në radhë të parë ata duhet të kërkojnë brenda vetes dobësitë apo mosarritjet e tyre. Të gjithë e kemi të lehtë të bëjmë rolin e kritizerit, por askush deri më sot nuk ka marrë kurajën të nxjerrë gabimin e radhës për të mos e përsëritur atë dhe në fund të konkludojë se cila është perspektiva. Deklarimet e nxituara dhe pa sens nuk i shërbejnë qytetarit, i cili i lodhur tashmë në pritje e ka shumë më të lehtë të bojkotojë të pabojkotueshmen dhe të miratojë me dhimbje të pamiratueshmen. Gabimi bëhet mësim kemi mësuar, por sot kjo frazë ka mbetur në letër, sepse nuk mbahet përgjegjësi, njëshit i faturohet gjithçka, të tjerët mbeten pa faj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›