PRAPE NE GETO
Po të pyetën lidhur me procesin e integrimit europian, padyshim shumica dërrmuese çon menjëherë ndërmend heqjen e vizave dhe udhëtimin e lirshëm drejt vendeve perëndimore. Pikësëpari duhen qartësuar disa koncepte dhe procese. Duhet dalluar koncepti i lehtësimit të marrjes së vizave nga liberalizimi i vizave dhe nga procesi i integrimit europian me lëvizjen e lirë si pjesë përbërëse të saj. Lehtësimi i vizave është një marrëveshje e vitit të kaluar që e bën më të lehtë marrjen e vizave "Shengen" për kategori specifike të shoqërisë shqiptare. Me lëvizje të lirë nënkuptohet realiteti i të qenit shtetas i një vendi anëtar i Bashkimit Europian dhe të pasurit të drejtë për t‘u zhvendosur pa kurrfarë pengese në një vend tjetër anëtar, duke u trajtuar në këtë vend pritës si të ishe vendas. Pra, pa u bërë vend anëtar, shqiptarët e kanë të pamundur të gëzojnë lëvizje të lirë. Procesi i liberalizimit të vizave ndryshon rrënjësisht nga ideja e lëvizjes së lirë, pasi nënkupton që shtetasit shqiptarë të mund të udhëtojnë në vendet e zonës "Shengen" dhe të qëndrojnë aty deri në 90 ditë, pa pasur nevojën e vizës.
Liberalizimi i vizave është i mundshëm edhe pa ecur shumë shpejt përpara në përpjekjet e integrimit europian, e prandaj në vitin e kaluar vendet e Ballkanit Perëndimor u pajisën me një udhërrëfyes specifik, i cili paraqiste të ndara në katër kategori hapat konkretë që duheshin ndërmarrë për të mundësuar heqjen e vizave. Bëhet fjalë për masa dhe reforma që duhet të kishin për qëllim garantimin e sigurisë dhe cilësisë së dokumenteve, masa për përmirësimin e kontrollit të kufijve dhe për luftimin e migrimit të paligjshëm, reforma për të përmirësuar sistemin e drejtësisë dhe për të luftuar korrupsionin e krimin e organizuar, si dhe masa që synonin të garantonin standarde të larta të të drejtave të njeriut.
Lidhur me mundësinë për të udhëtuar lirshëm jashtë vendit, jo vetëm që shqiptarët janë duke përjetuar në një farë mënyre një vazhdim të izolimit të dikurshëm komunist, por edhe një dëshpërim kolektiv të përditshëm, që intensifikohet nga nëpërkëmbja nëpër ambasada dhe nga përmallimi i shumë qytetarëve për emigrantët e panumërt, të cilët e kanë të vështirë të takohen me bashkëfamiljarët. Prandaj, nëse do të ishin pyetur shqiptarët kush duhej të ishte prioriteti numër një, objektivi më i dëshiruar për t‘u realizuar sa më shpejt, padyshim që ky do të ishte heqja e vizave. Mirëpo, kjo gjë nuk është e vërtetë për elitën politike, e cila, në fakt, detyrë duhej të kishte pikërisht përmbushjen e nevojave dhe dëshirave të popullsisë.
Por në vend që qeveria dhe opozita të përqendroheshin te realizimi i aspiratës afatshkurtër të heqjes së vizave dhe aspiratës afatmesme të anëtarësimit në Bashkimin Europian, është përqendruar te dallaveret elektorale. Reforma elektorale ka qenë epiqendra e veprimtarisë politike shqiptare për mbi tre vjet, duke u shndërruar në një gangrenë konstante e jetës politike shqiptare, duke shteruar një pjesë shumë të madhe të vëmendjes, kohës, burimeve dhe energjive të aktorëve politikë. Ky proces shumëvjeçar ka deformuar mënyrën si është bërë qeverisja dhe mënyrën si është bërë opozita, ka eklipsuar dhe sakrifikuar të tjera prioritete më elementare të shoqërisë shqiptare, duke ngadalësuar demokratizmin, integrimin europian dhe zhvillimin ekonomik në vend. Përqendrimi i politikës shqiptare vetëm te reforma elektorale, fushata dhe zgjedhja dëshmon për papërgjegjshmërinë politike të kësaj elite dhe e ka bërë të qartë që aktorët politikë shqiptarë të të gjitha ngjyrave i shohin zgjedhjet politike jo si një instrument për të mundësuar ardhjen në pushtet për të përmbushur interesat kombëtare, për të vënë në jetë platformat apo programet politike, si dhe shpalosjen e kapaciteteve apo vizionit të tyre, por si një qëllim në vetvete. Prandaj, dështimi në mospërmbushjen e kritereve teknike që do mundësonin heqjen e vizave më 1 janar 2010, nuk duhet parë vetëm tek paaftësia e qeverisë, por edhe tek paaftësia e opozitës për ta vënë këtë çështje në qendër të vëmendjes dhe për të bërë presion ndaj qeverisë që kriteret të përmbusheshin në kohë. Shqipërisë i është dorëzuar udhërrëfyesi në qershor të vitit 2008, ndërkohë që raporti i parë paraprak është bërë në nëntor 2008. Ndërsa raporti i dytë, në maj të këtij viti. Dhe për ironi të fatit, në periudhën kur Shqipëria vizitohej nga ekspertë eurokratë, të cilët mbikëqyrnin përmbushjen e kërkesave, në mars të këtij viti sistemi elektronik TIMS (Total Information Management System) i menaxhimit të koordinuar dhe përqendruar të kufirit kishte dalë jashtë funksionit, sepse ishte harruar që të paguhej riabonimi. Një gabim banal, që ilustron në një farë mënyre papërgjegjshmërinë e pafalshme me të cilën janë trajtuar kriteret aq delikate që na janë kërkuar të përmbushim.
Por dështimi nuk duhet parë vetëm si i nivelit teknik dhe administrativ, por edhe i nivelit të politikës së jashtme dhe diplomacisë. Dihet mirë që në rrethana të caktuara gjeopolitike, Bashkimi Europian ka përdorur edhe standarde të dyfishta, duke "bërë një sy qorr dhe një vesh shurdh", duke toleruar mosrealizimin e disa kërkesave apo kritereve specifike. Kështu, Kroacia e ka marrë Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit fill pasi u rrëzua qeveria nacionaliste e Partisë HDZ, drejtuar nga Tuxhman, pa u dorëzuar ende të akuzuarit për krime lufte, Bebetko dhe Gotovina. Maqedonia e fitoi ironikisht Marrëveshjen e Stabilizimit-Asocimit në mes instabilitetit të konfliktit civil të vitit 2001. Edhe Serbia e mori marrëveshjen vitin e kaluar, pa dorëzuar ende ndonjë nga të kërkuarit e Gjykatës së Hagës dhe duke vazhduar të jetë faktor destabiliteti brenda Kosovës. Pra, në një farë mënyre ka pasur edhe hapësira diplomatike për të mundësuar përshpejtimin e procesit, në këmbim të heqjes dorë nga mjetet që këto vende kanë pasur në dorë për të shkaktuar destabilizim. Pra, MSA në këmbim të heqjes dorë nga destabilizimi. Një mundësi e qartë për të bërë "pazar" diplomatik në kushtet kur një palë kishte në dorë të destabilizonte rajonin. Dihet që në dhjetëvjeçarin e fundit çështja shqiptare ka qenë çështja thelbësore e Ballkanit dhe Republika e Shqipërisë ka pasur shumë mundësi në dorë që ta shfrytëzonte këtë koniunkturë. Mirëpo, në politikën e jashtme është parë një pasivitet dhe paaftësi e theksuar gjatë gjithë kësaj periudhe, sepse as interesat kombëtare shqiptare në vendet fqinje nuk janë mbrojtur me devotshmëri nga shteti ynë, por as nuk është siguruar gjë në këmbim të shpërfilljes së tyre. Domethënë, mirë që nuk jemi përpjekur për realizimin e interesave kombëtare shqiptare si detyrë kushtetuese që e kemi, por as nuk kemi përfituar ndonjë gjë nga dorëzimi apo heqja dorë prej këtyre interesave, sikurse kanë përfituar serbët dhe maqedonasit. Këta të fundit kanë pretenduar dhe siguruar përkrahje e përfitime prej Bashkimit Europian, duke përdorur të drejtat e shqiptarëve si plaçkë negocimi, ndërkohë që ne i kemi lënë shqiptarët e shteteve fqinje jetimë në fatin e tyre. Kësaj i thonë njësoj sikur të bëhesh spiun pa para, që mirë nuk spiunon, por as nuk përfiton.
Më 15 korrik, Komisioni Europian propozoi heqjen e vizave për malazezët, serbët dhe maqedonasit, dhe shënoi edhe dështimin e politikës së brendshme e të jashtme të Shqipërisë në realizimin e një ndër nevojave e dëshirave më të zjarrta të shqiptarëve. Vitin e ardhshëm, rasti i Shqipërisë do të rimerret sërish në konsideratë me shpresën që, nëse ecën gjithçka në rregull, edhe neve të na hiqen vizat më 2011-ën. Tanimë që dëshira e publikut dhe udhërrëfyesi europian e treguan se nuk ishin mjaftueshëm nxitëse për elitën tonë që ta motivonte për të përmbushur kriteret e nevojshme për liberalizimin e vizave, të shpresojmë të paktën që shtysa të vijë nga xhelozia e zilia ndaj komshinjve tanë, të cilët duke filluar nga janari i ardhshëm nuk do të sorollaten më ambasadave europiane, sikurse do të vazhdojmë ne.