E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shën Valentini, dashuri në kohën e krizës

Të gjithë flasin për krizë ekonomike, por ka mjaftuar ardhja e ditës së Shën Valentinit, që askush të mos mendojë se sa do të shpenzojë për atë që i do zemra më shumë. Më të kënaqurit në këtë ditë "të ngjyrosur me të kuqen e dashurisë", duket se janë tregtarët. Ata që fshihen pas vitrinave të mbushura me dhurata, pellusha nga më të ndryshmit, ku natyrisht nuk mungojnë fjalët e dashurisë të shprehura... vetëm në anglisht. Por edhe ata që sheshin bizhuteri, parfume dhe lule nuk mbesin prapa.

Janë ngritur këtë herë në lartësinë e dhuratave të festave edhe dyqanet e pajisjeve elektronike, një joshje e pakundërshtueshme në rritje e sipër, për meshkujt e të gjitha moshave.

Tregtarët, ndonëse edhe vetë janë pjesë e festës, këtë ditë e shijojnë ndryshe, por me po aq dëshirë. "Sa mirë që ka Shën Valentin, 7-8 mars, Vit të Ri, Krishtlindje. Këto janë ditët që po shesim se për të tjerat ç‘të themi ju e shikoni vetë nuk ka fuqi blerëse". Kështu komenton Kristina, pronarja e një dyqani bizhuterish, që më shumë se sa për veten në këtë ditë e ka mendjen tek shitjet dhe klientela. Për vete as që i shkon ndër mend për ndonjë dhuratë. Tashmë e konsideron veten të thyer në moshë dhe për Shën Valentinin thotë "le ta gëzojnë të rinjtë, ne i hëngrëm tonat".

Të duash a të marrësh

Por duket se dhuratat në këtë festë kanë kapërcyer shprehjen e dëshirës, të joshjes apo faljes së kënaqësisë. Çdo vit e më fort ato marrin përmasat e një detyrimi, ku mburrja një ditë më pas e femrave me dhurata të majme, nuk ka se si t‘i shpëtojë "petaleve të dashurisë". "Gjithmonë për Shën Valentin marr dhurata të shtrenjta. Zakonisht e zgjedh vetë atë që dua, se po të jetë për burrat nuk dinë asnjëherë të zgjedhin", pohon Greta, një e sapofejuar e lumtur, punonjëse në njërin nga institucionet ndërkombëtare në Tiranë. E tërhequr pas modës së fundit, ajo edhe këtë vit e ka shfaqur hapur dëshirën e saj dhe nuk është se do të mahnitet nga ndonjë surprizë e paparë. "Kam zgjedhur këpucët që më pëlqejnë, janë firmë dhe kushtojnë jo pak", shton ajo, ndërsa përpiqet që të justifikojë veprimin si e zënë në faj: "Edhe unë i kam blerë bashkëshortit butona ari, ku kam gdhendur inicialet tona".

Por shijet ndryshojnë nga një çift te tjetri dhe sigurisht edhe portofolat e festës. Ata më të rinjtë që shijojnë çdo ditë si të ishte një Shën Valentin special përpiqen që të sajohen me ç‘të mundin, ama jo të ngelin pa gjë. "Po ja, kam marrë ca lekë borxh dhe do t‘i blej të dashurit një shall dhe një unazë nga këto që vihen te gishti i madh", tregon si pa të keq 17 vjeçarja, F.M. gjimnaziste në Tiranë. Rrëfimi i saj edhe për dhuratat e shoqeve për të dashurit e tyre, të mbush jo pak me optimizëm për jetën, që mund të shijohet edhe me "veprime modeste".

Të martuarat e moshës së mesme, që përjetojnë rritjen e fëmijëve me kërkesa të shtuara, që përmbushen mes mundësive ekonomike "shtrëngo e liro", janë ato më të shtrënguarat. Pushtojnë dyqanet e veshjeve dhe ulin e ngrenë këmishat, pantallonat apo pulovrat e burrave në dilemën mes çmimit dhe cilësisë, por edhe tundimit të dizenjove a nevojave. "Është e vështirë t‘u mbushësh mendjen grave. Me zor vendosin për të blerë. Çdo gjë u duket e shtrenjtë", ngre zërin Olti, pronari i një butiku në një rrugë tregtare mjaft të njohur në kryeqytet. Duket i mërzitur nga ndonjë kliente e vështirë.

Burrat dhe sekreti

Më të ndrojtur në rrëfimin e dhuratave janë burrat, që bëjnë sikur nuk u intereson edhe aq shumë festa. Ndërkohë që në telefona kanë të regjistruara edhe prenotimet që kanë bërë në restorante për drekën ose darkën e festës. "Do kalojmë një ditë pushimi, fat që qëllon ditë e shtunë", thotë pak i sikletosur Vasili, drejtor i rëndësishëm në një ministri. Kur e pyet për dhuratën për bashkëshorten përgjigja të vjen gati dhe e paketuar. "Eh, këto janë gjëra që i përkasin familjes". Të gjithë përpiqen të bëjnë nga pak indiferentin, ndërsa nxitojnë të përmbushin kërkesën e parathënë apo të paramenduar të së shoqes apo të së dashurës.

Fluturimet jashtë

Kureshtarë, por edhe me disa mundësi më shumë: paratë dhe të drejtën për të udhëtuar jashtë kufijve. Elita e re e pasanikëve, por edhe atyre që punojnë fort për "ca ditë të bardha" preferon një tjetër mënyrë të festuari. Tendenca më në modë në ditët e sotme është "pushime jashtë shtetit". Parisi, qyteti më i bukur në botë, sot do të mbajë në rrugët e tij edhe shumë shqiptarë, të cilët kanë zgjedhur si mënyrën e shprehjes së dashurisë, një udhëtim romantik nën aromën dehëse të Champs Elysees, mahnitjes së kopshteve të Tuilerive apo qoshkat rinore të San Mishel. Por në krye të listës qëndrojnë edhe shumë kryeqytete të tjera evropiane, të promovuara fuqishëm dhe me oferta "bujare" nga agjencitë turistike. Drejtuesit e këtyre të fundit përgjithësisht janë të kënaqur me ecurinë e biznesit. Madje një kompani e njohur turistike ka shpërndarë nëpër botë, plot 300 shqiptarë për të festuar në paketa të shkurtra tre ose katër ditore Shën Valentinin. Çmimet nuk kanë ndryshuar as këtë sezon. "Ndërkohë që për këtë vit është rritur numri i vizave që jepen nga ambasadat të cilat janë në ‘schengen‘. Ky numër është 2 ose 3 fishuar" shprehet drejtori i kësaj agjencie turistike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›