E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlerësimet e jurisë në Eurovision, Shqipëria, humbësja më e madheNga Ashtu siç dhe kishte premtuar, European Broadcasting Union, EBU, organizatori i festivalit të këngës evropiane, Eurovision, bëri të ditur këto ditë dhe vlerësimet që kishte dhënë ju

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Vlerësimet e jurisë në Eurovision, Shqipëria, humbësja më e madheNga

Ashtu siç dhe kishte premtuar, European Broadcasting Union, EBU, organizatori i festivalit të këngës evropiane, Eurovision, bëri të ditur këto ditë dhe vlerësimet që kishte dhënë juria për këngëtarët që garuan në natën finale.

Ajo çka bie në sy është se Shqipëria është humbësja më e madhe përmes këtij vlerësimi. Në rast se juria nuk do e vlerësonte kaq dobët Kejsi Tolën, ajo do kishte pasur një pozicion shumë më të mirë. Pa votat e jurisë, Tola ndodhej në vendin e 11, dhe juria e ka pozicionuar atë në vendin e 23, dy vende para fundit, duke bërë që ajo të renditej thjesht e 17.

Duket se Tola ka paraqitur në këtë festival një këngë që synonte shikuesit, por një këngë shumë pak profesionale.

Ndërkohë, përfituesja më e madhe nga votat e jurisë është Franca, e përfaqësuar në këtë festival nga Patricia Kaas. Ajo ka përfituar nga juria vendin e katërt, por është “ndëshkuar” nga publiku, duke u votuar vetëm e 17. Në total, Franca është renditur në vendin e 8.

Për herë të parë gjatë këtij festivali u vendos që vlerësimi të mos jepet vetëm nga votuesit përmes mesazheve, por të ketë dhe një juri profesionale, të përbërë nga pesë profesionistë në fushën e muzikës. Shkak për këtë u bë dhe fakti se televotimet vitin e kaluar, kur festivali u bë në Beograd, ishin shumë të ndryshme nga vlerësimet që u bënë nga ekspertët e jurisë mbështetëse, që na fakt nuk ka peshë në vendimin për fituesin.

Por është për t’u theksuar se vlerësimet e publikut me ato të jurisë në disa raste duket se nuk kanë qenë fort të ndryshëm. Për shembull, juria ka qenë në një mendje me publikun për të vlerësuar si këngën më të mirë atë që fitoi, me titull “Fairytale”, kënduar nga Alexander Rybak. Edhe për këngën që u rendit e dyta vlerësimet kanë qenë të përafërta. Publiku në këtë rast nuk ka gabuar. Por një gjë tjetër duhet thënë gjithashtu se kënga fituese po korr suksese dhe në renditjet evropiane, duke u bërë kënga e tretë më e shitur në Evropë. Përgjithësisht këngët fituese të Eurovision kanë pasur sukses në gjithë Evropën. Festivali, edhe pse ka disa kohë që ka rënie, ndiqet me shumë kureshtje, e kap audienca gjithmonë mbi 100 milionë shikues.

Votimet e publikut që pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, përgjithësisht kanë qenë të orientuara gjeopolitikisht. Vendet e Evropës Perëndimore, të cilat kanë dominuar çmimet e mëparshme, shumë rrallë shihen të jenë ndër vendet e para. Gjermanët e anglezët janë të dështuarit e mëdhenj këto vitet e fundit. Vazhdimisht ata kanë kërkuar që të merren masa për të pasur një vlerësim më korrekt për këngët që garojnë.

Festivali do të zhvillohet vitin tjetër në Norvegji, që është dhe vendi fitues. Shqipëria paraqitet në Eurovision me këngën fituese të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar. Shpesh kënga fituese e Eurovision është vënë në qendër të akuzave, e po ashtu këngët që ka dërguar Shqipëria në këtë festival kanë qenë në qendër të debateve dhe të akuzave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›