Islanda përpara - Ballkani ndal!Nga Agustin Palokaj Në Zagreb ndodhet “Rruga e Islandës”. Nuk është në qendër të qytetit, por ka një rëndësi të veçantë, sepse lidh pjesët vitale të lagjes “Zagrebi i Ri” dhe çon nga aeroporti, i cili lidh Kroacinë me
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Islanda përpara - Ballkani ndal!Nga Agustin PalokajNë Zagreb ndodhet “Rruga e Islandës”. Nuk është në qendër të qytetit, por ka një rëndësi të veçantë, sepse lidh pjesët vitale të lagjes “Zagrebi i Ri” dhe çon nga aeroporti, i cili lidh Kroacinë me botën. Edhe pse shumë e vogël, kjo rrugë ka një rëndësi të veçantë. Islanda, si një shtet ishull, me shumë më pak banorë se Prishtina, vështirë se ka mundur të besojë se në kryeqytetin e një shteti për ta të largët mund të ketë një rrugë që mban emrin e këtij shteti. Por ja që në Kroaci kjo ka ndodhur, sepse Kroacia dhe Islanda kanë një lidhje emocionale. Së paku kështu ndien populli kroat. Ashtu si sot Kosova, edhe Kroacia para 18 vitesh numëronte vendet që e njihnin pavarësinë e saj. Islanda ishte formalisht e para që njohu pavarësinë e Kroacisë dhe ajo për t’i shprehur falënderim emërtoi një rrugë në kryeqytetin e saj me emrin e Islandës. Kjo do të ishte sikur rruga prej Fushë-Kosovës deri te restoranti “Aviano” apo deri te xhamia e re pranë saj, e ndërtuar në formën e raketës, të mbante emrin “Rruga e Kostarikës”, sepse ky vend amerikano-latin e ka njohur i pari pavarësinë e Kosovës.
Sot Kroacia dhe Islanda shpesh lakohen si emra në Bruksel për gjëra krejt të tjera. Kroacia është vendi për të cilin është besuar se do të jetë me siguri vendi i 28 anëtar i BE së shpejti. Islanda është vend, i cili të premten zyrtarisht ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Tash, edhe pse asnjëri nga këto dy vende nuk dëshiron ta kuptojë ashtu, sepse kanë edhe lidhje simbolike, ka filluar një lloj gare se cili do të hyjë më shpejt në BE. Kjo është bërë edhe një sprovë për vetë Bashkimin Evropian dhe për kredibilitetin e Brukselit në procesin e zgjerimit të BE. Nëse do të shikoheshin procedurat ashtu siç janë, Kroacia do të duhej diku 2 vjet para Islandës të bëhej vend anëtar i BE. Islanda ka aplikuar të premten formalisht, pasi parlamenti i saj të njëjtën javë ka marrë vendim që të bëhet ky hap historik. Ministrat e Jashtëm të BE menjëherë, me procedurë të shpejtuar, të hënën do të diskutojnë për këtë kërkesë dhe Komisionit Evropian pritet menjëherë t’i kërkojnë që të përgatisë mendimin për dhënien e statusit të kandidatit Islandës. Si pjesëtare e zonës ekonomike evropiane, Islanda nuk do të ketë nevojë të negociojë 22 nga 35 kapitujt që duhet të negociohen në procesin e aderimit në BE. Islanda po ashtu është edhe pjesë e zonës së lirisë të lëvizjes në BE, edhe pa qenë vend anëtar (njësoj si Norvegjia dhe Zvicra). Po ashtu, ajo tashmë ka në fuqi mbi dy të tretat e trashëgimisë së përbashkët ligjore të BE të njohur si “aquis communnitaire”. Por edhe procedura më e shpejtë për Islandën do të thotë se deri në pranverë ajo nuk do të mund të nisë negociatat formale për anëtarësim. Deri atëherë Kroacia, jo vetëm sipas dëshirës së saj, por edhe sipas planit të Komisionit Evropian do të duhej të përfundonte negociatat e nisura që në vitin 2005, ndërsa Kroacia aplikacionin e ka dorëzuar në vitin 2003.
Edhe pse në shikim të parë duket se Islanda do të përfundojë “brenda disa muajsh“ negociatat, sepse ato janë vetëm formalitet, disa ekspertë në BE tërheqin vërejtjen se nuk do të jetë doemos aq lehtë, sepse mes kapitujve që duhen negociuar është edhe politika e përbashkët e peshkimit. Kjo është një fushë mjaft e ndjeshme për Islandën, për të cilën peshkimi është një ndër industritë kryesore. Në anën tjetër Islanda nuk do të sillet si vendet e Ballkanit, por, në vend që të pranojë çfarëdo që BE të kërkojë nga ajo, Islanda do të kërkojë vërtet të negociohet për çdo detaj në peshkim.
Përparësitë e Islandës janë megjithatë politika dhe gjeografia. “Islanda ka fqinjë miqësorë që duan që ajo të hyjë sa më shpejt në BE. Kroacia nuk e ka atë fat, sepse vetëm fqinji i saj, Sllovenia, po e pengon që Kroacia të përfundojë negociatat. Kjo tregon dallimin mes Ballkanit dhe pjesës më veriore të kontinentit evropian”, - thotë një diplomat i lartë nga një vend nordik, duke përmendur vërtet si argument se 14 kapituj në negociatat e Kroacisë për anëtarësim në BE janë bllokuar vetëm nga Sllovenia dhe asnjë vend nga 26 të tjerët në BE nuk pajtohet me Slloveninë. “Sjellja ballkanike e Sllovenisë është vetëm hyrje në atë çfarë nesër Kroacia mund t’i bëjë Serbisë e Serbia Kosovës. Prandaj shumë në BE duan ta kenë në anëtarësi Islandën, por jo edhe vendet problematike ballkanike”, - thotë ai zyrtar.
Por në rastin e Islandës janë bërë disa përshpejtime që duken joparimore. Nëse aplikimi për anëtarësim dhe diskutimi për atë aplikim janë “çështje formale procedurale”, pse atëherë për aplikimin e Malit të Zi është diskutuar 5 muaj pas aplikimit, ndërsa për atë të Islandës 4 ditë pas aplikimit.
Ministri i Jashtëm i Italisë, Frattini, ka pyetur se pse për aplikimin e Islandës do të diskutohet nga ministrat e Jashtëm në takimin e tyre të hënën, më 27 korrik, vetëm tri ditë pas këtij aplikacioni, ndërsa kërkesa e Shqipërisë është fermentuar diku në sirtarët e BE. Përgjigjja që japin disa në BE është se “Shqipëria as sot nuk mund të zhvillojë zgjedhje normale, ndërsa Islanda ka traditë demokratike hiç më pak se 1.000 vjet”.
Procesi i zgjerimit të BE është në krizë. Sllovenia ka bllokuar Kroacinë, por Kroacia disi do të hyjë në BE. Islanda po ashtu. Vendet e tjera do të duhet të presin së paku edhe 10 vjet. “Shqipëria është si një fëmijë në klasën e parë të shkollës, që ende nuk është e sigurt, nëse di të numërojë dhe shumëzojë. Këto zgjedhje e treguan këtë edhe një herë. Natyrisht që për një shtet të tillë duhet të bëjmë çmos që ta mbajmë sa më larg anëtarësimit në BE, por jo edhe t’ia humbim shpresën”, - thotë një diplomat evropian duke porositur, siç thotë ai “ballkanasit” që të mos irritohen pse i thuhet Islandës “përpara”, ndërsa Ballkanit “ndal”. Kjo thjesht dëshmon se ata që janë problematikë askush nuk i do në klub.