Rilindja e një fëmije
Ajo tashmë buzëqesh. Flokët që dikur nuk i kishte, tash i rrinë mbi ballë dhe me gëzim pret t’iu bashkohet shoqeve në shkollë. Kjo është Besjana Musliu nga Skenderaj, vajza 14-vjeçare e cila ka pasur fat në fatkeqësi. Fëmijëria e saj ishte e mbushur me dhimbje të cilat duket se më në fund, edhe për të përfunduan. 15 operimet e kryera në fytyrë, përveçqë i kanë rikthyer disa gjymtyrë të djegura në kohën e luftës së fundit, asaj i është kthyer shpresa për të jetuar.
Për jetën e re që ka nisur nga shtatori i këtij viti, kur pas dhjetë vjetësh, më në fund përfundoi procesin e gjatë të shërimit nga djegiet e shkallës së tretë që kishte pësuar në kokë dhe fytyrë, ajo ka një adresë së cilës i drejton tërë falënderimet.
Është organizata humanitare japoneze ADRA, e nëpërmjet saj, popullit të këtij vendi, të cilët kanë bërë të mundur që ajo, tash e tutje, të bëjë jetën e një vajze të zakonshme. Besjana dhe familja e saj tregojnë se ajo e cila ka qenë gjithmonë pranë tyre, është Shoko Hashimoto, tashmë drejtoreshë e programeve në ADRA.
“Ashtu siç isha më parë, nuk doja të shkoja në shkollë, vetëm qaja. Por tash jam ndryshe, e përveç pamjes sime, kam dy nëna dhe dy atdhe”, thotë e lumtur Besjana për Express.
Diçka që në fillim dukej e pamundur, tashmë është bërë realitet. Shefqeti, babai i Besjanës, thotë se gjithçka i duket si një ëndërr.
“Falë ADRA’s dhe popullit japonez, vajza ime ka rilindur. Shpresoj se Zoti do t’i shpërblejë sepse ne nuk mundemi”, thotë ai.
“E si t’i shpërblejë, apo ta shërojë vajzën time, unë një invalid lufte i UÇK’së me 200 euro. Askush nuk më ka ndihmuar, as Komuna, as Qeveria, askush. I jam mirënjohës përjetë Shoko Hashimotos dhe popullit japonez që kanë ndryshuar jetën e vajzës dhe familjes sime”, thotë Shefqeti për Express.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...