E Diel, 1 Nëntor 2026

Rilindja kombëtare

Viti 1981 në Kosovë në historinë më të re do të mbetet si vit i rilindjes kombëtare të fund shekullit XX të shqiptarëve të Kosovës në veçanti, por edhe të shqiptarëve në ish Jugosllavi në përgjithësi. Ky vit shënoi një kthesë të madhe në ndjenjat tona të atëhershme rinore dhe na frymëzoi dhe inspiroi pa masë për çështjen kombwtare.

Viti 1981, isha në moshën rinore 18 vjeçare, duke ndjekur vitin e tretë të gjimnazit, kur si bubullimë nga qielli i kthjelltë, morëm lajmin për demostratat studentore me 11 mars të vitit 1981 në Prishtinë, pas së cilës pasuan ata të 25-26 marsit e 1,2,3,4 prill e kështu me rradhë. Kjo ngjarje shkaktoi jehonë të madhe në Kosovë, në ish Jugosllavi si dhe arenën ndërkombëtare. Nuk kaloi as 1 vit nga vdekja e marshall Titos kur ndodhën këto demostrata të cilët në fazën e mëtejshme u vlerësuan si një prej shkaqeve të rrënimit të ish federatës jugosllave që nisi në Kosovë dhe do të mbaronte në Kosovë. Edhe në Prizren u mbajtën demonstrata gjatë muajit mars të vitit 1981 nëpër rrugët e qytetit me ç’rast u krijua tollovi dhe u thyen ca xhama të vitrinave të dyqaneve. Ne ishim në atë kohë në klasë duke ndjekur leksionet, dhe sapo morëm lajmin, dyert e shkollës u mbyllën për të parandaluar daljen tonë në rrugë. Kjo datë shënoi fazën e ringritjes kombëtare që me të vërtet në moshën e tillë rinore shpirti i të riut është revolucionar dhe se në atë kohë vrulli dhe entuziazmi gufon nga zemrat rinore në aspektin kombëtar. Me të vërtet ato ditë të pranverës studentore qenë një inspirim të fortë për ripërtëritjen e ndjenjave tona kombëtare. Slogani më i përhapur dhe më i bukur që sot e kësaj dite ende më kujtohet ishte”Kosova Republikë, ja me hatër ja me luftë” që ishte kërkesa kryesore për arritjen e statusit të republikës dhe që ishte dëshira jonë për pozitën e barabartë në ish federatën jugosllave, pasi që edhe për kah numri i popullatës ne ishim në vendin e tretë, pas serbëve dhe kroatëve, e para boshnjakëve e sllovenëve, e të mos flasim për maqedonë e malazes.

Pasuan izolimet, burgosjet, dënimet, diferencimet, bisedat informative e çka mos, por fryma revolucionare e shqiptarëve nuk u ndal fare, por vazhdoi gjatë viteve edhe në mënyra të ndryshme. Si sot më kujtohet që në izolim u muar edhe profesori i ynë i gjuhës shqipe në gjimnaz prof.Eqerem Kryeziu, i cili do të na mbetet për kujtim të gjithë neve me bukurshkrimin që kishte, sikur të ishte një kaligrag i vërtetë dhe mjeshtër i rrallë i shkrimit. Aktiviteti i ynë i mëtejmë vazhdoi në mënyra të ndryshme, sikurse në shkrimin e parullave, ne shkarravitnim në bankat shkollore dhe karriget inicialet K.R. për të cilat iniciale sa fotografime e sa incizime e sa biseda informative u kryenin për një gjë aq të vogël, nga sigurimi i brendshëm shtetëror (UDBA) me qëllim të zbulimit të tyre, profesorët që i kishin pas me të vërtet kanë qenë në hall, në njërën anë shpirtërisht bashkëndjenin me neve, por në anën tjetër ishin të shtrënguar të veprojnë sipas udhëzimeve dhe instruksioneve të komiteteve partiake. Me të vërtet ishte në hall të madh sidomos kujdestari ynë i klasës Bibë Dulaj. Në mënyrë të fshehtë rregullisht dëgjonim radio Tiranën e cila me emisionet e veta propoganduese, sidomos të komenteve të gazetës Zëri i Popullit ndillte inspirime edhe më të vrullshme tek ne. Ne me të vërtet e kemi dashur shumë nënën Shqipëri dhe se në ndjenjat tona rinore e imagjinonim si një parajsë, përkundër sistemit të egër diktatorial të xhaxhit Enver, ne atë e kishim në zemër dhe ai për neve ishte sinonim i të qenit shqiptar, slogani më i përfolur në atë kohë te ne ishte”xhaxhi Enver jemi gati kurdoherë”. Sa për ilustrim të ceki edhe këtë shembull, nga dëshira jonë e flakët për xhaxhin Enver, edhe sot e kësaj ditë nipat e mi më thirrin xhaxhi, edhe pse te ne në Kosovë nuk përdoret termi xhaxhi por axhë, në shenjë mirënjohjeje ndaj xhaxhi Enverit.

Vdekja e xhaxhit Enver në vitin 1984 ka qenë një ngjarje që është shënuar edhe tek neve në atë kohë në Kosovë. Isha duke ndjekur studimet në vitin e dytë të fakultetit teknologjik në Mitrovicë së bashku me komandant “Hoxhën” Samidin Xhezairi, kur jehoi lajmi për vdekjen e xhaxhit Enver. Atëkohë ishim duke banuar në konviktin e studentëve në Mitrovicë, i cili sa për koincidencë gjendej i rrethuar nga ana e përparme me ndërtesën e policisë, në anën e majtë të tij gjendej ndërtesa e gjykatës së qarkut, ndërsa në anën e djathtë burgu i njohur famëkeq i Mitrovicës në formë të rrumbullakët. Prej ditës së marrjes së lajmit e gjer në varrimin e xhaxhit Enver, plot 4 ditë as miza nuk ka mundur të ndihej, ka mbretëruar qetësi absolute në konvikt, 4 ditë zie të pashpallur, gjatë asaj kohe s’ka pasur gjasa kush të lëshojë radion apo televizionin e lere më dikush të dëgjojë muzikë, plot 4 ditë në stadiumin prapa konviktit nuk ka mundur askush të luaj futboll. Vetëm nëpërmes radio Tiranës në mënyrë sekrete e përcillnim lajmet për figurën dhe rolin e tij politik të xhaxhit Enver. Pas varrimit të xhaxhit Enver, jeta studentore u kthye normales në konviktin e studentëve në Mitrovicë, i cili tani sikur fakulteti , konvikti, gjykata, burgu gjenden në pjesën veriore të qytetit të ndarë të Mitrovicës.

Kjo rilindje kombëtare në Kosovë akoma vazhdon edhe në ditët tona, me shpresë se jemi në përfundim të këtij procesi të gjatë të rilindjes kombëtare që nga viti 1981, dhe në dashtë Zoti së shpejti do të kurorëzohet me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe me njohje dhe pranim de jure ndërkombëtar të saj.

Do të përmbyll këtë vështrim me një thënie të patriotit të shquar shqiptar Hafiz Ali Korça” Atdhetar(nacionalist) jam, por edhe fetar si duhet. Atdhetari(nacionalisti) përse turp të ketë tek thotë e dua me shpirt fenë e vet”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›