USAID: Zgjedhjet, kusht për Shqipërinë për t’u anëtarësuar në BE
Drejtoresha e USAID-it, Roberta Mahoni, deklaroi se zgjedhjet e 28 qershorit janë sfida më e rëndësishme për Shqipërinë. Mahoni u shpreh se zgjedhjet parlamentare do të jenë një kusht për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. “Zgjedhjet janë një provë e rëndësishme. Shqipëria duhet të tregojë se është në gjendje të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme. Kam shpresë se shqiptarët do t’i përgjigjen pozitivisht kësaj sfide”, - u shpreh Mahoni në një intervistë për VOA-n. Ajo tha se SHBA-të mbështesin integrimin e Shqipërisë në BE. Sipas drejtoreshës së USAID-it, vendit i mbetet shumë punë për të bërë, në veçanti në luftën kundër korrupsionit. “Korrupsioni është problem në Shqipëri dhe duhet luftuar në mënyrë të vazhdueshme”. Sipas saj, “progreset e Shqipërisë në këtë drejtim do të shpërblehen me anëtarësimin e saj në BE, por për këtë ka ende punë”.
G99-a prezanton kandidatët për qarkun e Durrësit
Erion Veliaj prezantoi dje kandidatët e kësaj partie për të gjithë qarkun e Durrësit. Listën e kandidatëve për deputetë në këtë qark e udhëheq Erion Veliaj. Emri që vijon i dyti pas Veliajt është ai i Milva Ekonomit, ish-drejtoresha e INSTAT-it. Veliaj tha se një ndër kriteret për t’u përzgjedhur në këtë listë ishte pasioni për njerëzit, për ëndrrat dhe shqetësimet e tyre, ato që përbëjnë lëndën e parë të politikës. “Kur kemi zgjedhur këta kandidatë nuk kemi pasur parasysh vetëm rrënjët dhe lidhjen e tyre personale me Durrësin, por, mbi të gjitha, atë lidhje që ata kanë me banorët e këtij qarku, me shqetësimet dhe planet e tyre për jetën”, - tha Veliaj.
Kandidatja Milva Ekonomi theksoi se grupi i të rinjve përfaqëson një mençuri dhe një energji të veçantë me të cilën mund të sillet ndryshimi për të cilin ka nevojë vendi. “Të rinjtë këtu në Durrës kanë ide fantastike dhe mbi të gjitha tek ata vlerësoj sensin e vlerësimit të publikes, e asaj që na përket të gjithëve dhe që duhet përmirësuar”, - u shpreh Ekonomi.
Lista e plotë e kandidatëve të G99-s për qarkun e Durrësit:
1 Erion Veliaj
2 Milva Ekonomi
3 Etjen Xhafaj
4 Eduart Shota
5 Arlind Vata
6 Marsida Virioni
7 Klodjan Kapiti
8 Valmira Greca
9 Dorian Hatibi
10 Leka Filto
11 Eftali Koci
12 Anisa Rrutja
13 Çlirim Duro
21 Maj 2009