Cani: “Shpenzimet elektorale, frytet do ti vjelim në pjesën e dytë të vitit”
Ish-guvernatori i BSH-së flet për pasojat e shpenzimeve të mëdha të fushatës. Kredia me kushte tregtare, e marrë nga qeveria, do të ketë pasoja pas zgjedhjeve
Ervin KOÇI
Shpenzimet e larta që qeveria shqiptare ka bërë përpara fushatës elektorale për të mbuluar mosrealizimet e 4 viteve qeverisjeje, si dhe kreditë tregtare të marra së fundi, kanë alarmuar ekspertët e ekonomisë. Këta të fundit e kanë ndjekur me shqetësim situatën ekonomike të vendit të vënë tashmë në “darën” e krizës ekonomike, duke i tërhequr vëmendjen qeverisë për të reaguar në kohë. Sipas tyre, indiferenca që ka treguar qeveria “Berisha” përballë pasojave të krizës është alarmante dhe do të jetë me pasoja për vendin, sidomos në pjesën e dytë të vitit 2009. Kjo situatë është e patolerueshme për ish-guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, i cili e ka komentuar ditët e fundit si “dramatike” situatën ekonomike ku po rrëshqet vendi. Sipas tij, shpenzimet e pakontrolluara që po kryhen për përmbylljen e investimeve të parealizuara nga qeveria para datës së zgjedhjeve, më 28 qershor, do të kenë një kosto të pallogaritshme dhe do të rëndojnë mbi cilëndo qeveri që do të dalë nga zgjedhjet e reja. “Shpenzimet e mëdha dhe të pakontrolluara të qeverisë aktuale pritet të pasqyrohen me pasoja negative për ekonominë e vendit në muajt pasardhës, pra në pjesën e dytë të vitit, pavarësisht qeverisë që do të jetë në pushtet”, - deklaroi dje për gazetën “Albania” ish-guvernatori i BSH-së, Shkëlqim Cani.
Parashikimi
Në rolin e ekspertit të ekonomisë, ish-guvernatori Cani ka kursyer notat e optimizmit në lidhje me ecurinë ekonomike të vendit për muajt në vazhdim, pas zgjedhjeve të përgjithshme. Sipas Canit, “kreditë e marra së fundi në tregun ndërkombëtar nga qeveria mund të jenë të domosdoshme për zhvillimin e një vendi, por interesat e larta dhe mënyra se si po përdoren këto para bëjnë që të mos realizohet qëllimi i marrjes së këtij borxhi”. Mungesë e theksuar likuiditeti në treg, ndërprerja në mes e investimeve dhe vonesa në pagimin e punonjësve buxhetorë do të jenë disa nga pasojat më të para, sipas ekspertit. “Kjo është panorama e muajve të parë të pasfushatës elektorale”, - thotë ish-guvernatori Cani. Ai shton se “është hera e parë që një qeveri, mbulon shpenzimet operative me të ardhura të siguruara nga kreditë”. Sipas tij, pikërisht pak muaj para fushatës për zgjedhjet e 28 qershorit, qeveria po bën shpenzime të mëdha pa marrë parasysh presionet negative që pasqyrohen në vend nga kriza ekonomike që ka përfshirë shumë shtete të fuqishme si dhe të gjithë rajonin tonë. "Ndërkohë që buxheti nuk po realizon të ardhurat e parashikuara, janë duke u shpenzuar shuma të mëdha parash. Në qoftë se kemi një përmbushje të nevojës për likuiditet në këto dy muaj si pasojë e kredive të marra së fundi, çështja është se si do të përballohen muajt e tjerë të vitit", - tha Cani.
Pasojat
Sipas një analize që ish-guvernatori Cani i bën situatës makroekonomike në vend për muajt e ardhshëm, ai vë theksin te fakti se ata që pritet të preken të parët nga mungesa e likuiditetit në treg do të jenë personat që kanë paga minimale. Sipas tij, niveli i lartë i normave të interesit të rreth 500 milionë dollarëve kredi që janë marrë së fundi në tregun ndërkombëtar nga qeveria, është tepër problematik, pasi do të ketë ndikimin e tij në rritjen e çmimeve, në shtimin e parasë në qarkullim, në zhvlerësimin e mëtejshëm të lekut dhe në rritjen e inflacionit. Ekspertët, nga ana tjetër, thonë se mund të gjendeshin edhe burime të tjera financimesh me kosto më të ulët. Një rrugë e mundshme, sipas Canit, do të ishte përfshirja e sa më shumë shqiptarëve në tregun e bonove të thesarit, duke marrë parasysh edhe vetë besueshmërinë që ofron ky i fundit. "Mund të ndiqej një politikë e tillë, ku nëse dikush nuk do të kishte besim t'i investonte kursimet e tij duke i depozituar në bankë, të stimulohej për të blerë bono thesari, pasi edhe fitimi është i lartë për këtë të fundit. Qeveria e kishte më mirë që t'i ofronte interesa deri në 9 për qind në lekë atyre që blejnë bono, se sa të marrë kredi me norma interesi 11 për qind në euro", - theksoi Cani.
21 Maj 2009