E Diel, 1 Nëntor 2026

Thellohet zhvlerësimi i lekut, kreditë kushtojnë 10 për qind më shtrenjtë



Zhvlerësimi i monedhës tonë kombëtare, lekut, po vijon në javët e fundit me një shpejtësi të lartë kundrejt monedhave të huaja, sidomos atyre kryesore, euros dhe dollarit. Si pasojë e këtij zhvlerësimi, shqiptarët duhet të paguajnë sot 10 për qind më shumë për të shlyer kreditë e tyre të marrë në bankat private, e cila mund të jetë marrë në euro pranë, si pasojë e zhvlerësimit të lekut. Sipas llogaritjeve, për një kredi 10 mijë euro, me interes 8 për qind dhe afat 10-vjeçar, në dhjetor klienti paguante 14.750 lekë në muaj këste, por aktualisht atij i duhet të paguajë 16 mijë lekë në muaj. Ndërsa, për një hua 20 mijë euro, me të njëjtat kushte, nga 29.500 lekë, aktualisht duhet të paguhen 32.000 lekë ose 2.500 lekë më shumë. Ndërkohë, interesi bazë i euros është në minimumet historike, por sipas bankierëve, euribori nuk mund të jetë faktori i vetëm përcaktues i normës së interesit.

Evazioni fiskal, Tatimet, marrëveshje me Metrologjinë për ta luftuar

Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë firmosi dje, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Metrologjisë, një marrëveshje bashkëpunimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Marrëveshja e bashkëpunimit me Drejtorinë e Tatimeve, e firmosur nga drejtoresha e DPM-së, Myrvete Pazaj dhe drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, konsiston në minimizimin e evazionit fiskal, që lidhet me fshehjen e të ardhurave për mos derdhjen e detyrimeve tatimore faktike si rezultat i instrumenteve matës të pakontrolluar apo kryerjen dhe deklarimet e matjeve të pasakta. Drejtoresha e DPM-së, Myrvete Pazaj u shpreh se "DPM do të jetë një partner i sigurt për Drejtorinë e Tatimeve në përmbushje të detyrimeve tona ligjore, pasi është një përpjekje e përbashkët për të forcuar atë ekonomi dhe këtë tregti, që duhet të shkojë në bazë të konkurrueshmërisë dhe vlerave më të mira, që duhet të adoptojë". Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, duke shprehur mbështetjen e administratës tatimore për DPM-në, tha se, "me këtë marrëveshje të dyja palët do të përfitojnë një vlerë të shtuar reale, por duke aplikuar vlera të njëjta në tregun e lirë, ku sot Shqipëria ka hyrë fuqishëm". Ndërsa marrëveshja me Fakultetin e Shkencave të Natyrës për bashkëpunim në fushën e matjeve të kimisë dhe rrezatimeve jonizuese, u nënshkrua nga dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Ilir Malollari dhe drejtoresha e DPM-së. Kjo marrëveshje ka për qëllim përmirësimin dhe ngritjen cilësore të matjeve në fushën e kimisë dhe rrezatimeve jonizuese, për t'iu përgjigjur nevojave të vendit dhe njohjes ndërkombëtare të tyre.

21 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›