E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurostat: Ekonomia e BE-së shënon rritje me 1 për qind



Ekonomia e Bashkimit Europian ka shënuar rritje prej 1 për qind gjatë tre muajve të fundit. Sinjalet pozitive vijnë nga Agjencia e Statistikave të BE-së, Eurostat, e cila tregoi se rritje më të madhe ka pasur ekonomia gjermane me 2.2 për qind, ndërsa në total ekonomia e eurozonës është rritur me 1 për qind në tre muajt e fundit. Statistikat paraprake të dhëna nga qeveria gjermane treguan për këtë rritje reale, duke konsideruar se kështu shënohet ecuria më e mirë e ekonomisë gjermane që prej ribashkimit. Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Zhan-Klod Triket, është shprehur me nota shumë optimiste për sa i përket ecurisë së ekonomisë në Eurozonë. Në mënyrë optimiste, ai është shprehur se ekonomia e zonës euro po rritet jashtëzakonisht dhe ka një vlerësim shumë të mirë. Triket u referohet rezultateve të tremujorit të dytë të këtij viti, ndërsa për tremujorin e tretë, ai u shpreh se rritja ekonomike do të jetë më e mirë nga sa pritet. Ndërkohë, Presidenti i BQE-së e ka përjashtuar mundësinë e një recesioni të dytë në Europë, si ai i pari pas “shpërthimit” të krizës ekonomike globale. Ai tha se këshilli i Bankës Qendrore Europiane po përpiqet të ruajë normën e referencës, e cila konsiderohet e përshtatshme për situatën ekonomike aktuale.
Sinjale pozitive vijnë edhe nga vendet e tjera si Franca dhe Spanja, të cilat kanë shënuar rritje në periudhën prill - qershor, megjithë krizën e borxhit grek që tronditi rajonin në fillim të këtij viti. Por, rritja e ekonomisë gjermane është më e madhe se ajo e vendeve të tjera dhe, në fakt, është një rritje rekord edhe për vetë Gjermaninë që nga unifikimi i saj, sipas zyrës kombëtare të statistikës, “Destatis”. Një nga faktorët për këtë rritje të madhe të ekonomisë janë eksportet e forta të ndihmuara nga brishtësia e euros. Sipas të dhënave të lëshuara nga Zyra e Statistikave të Gjermanisë, GDP-ja u rrit me 2,2 për qind në tremujorin e dytë të 2010, si kundër tremujorin e mëparshëm, si pasojë e rregullimit të çmimeve të tregut. “Kjo rritje e ekonomisë nuk është regjistruar kurrë më parë në Gjermaninë e ribashkuar” është shprehur kreu i Entit të Statistikës, Destatis. Në tremujorin e parë, ekonomia gjermane ka shtuar 0,5 për qind. Një tjetër vend që ka pasur rritje të ekonomisë gjatë kësaj periudhe ka qenë edhe Franca me 0,6 për qind, nga 0.2 për qind që u shënua në tre mujorin e parë.
Ndërkohë, kriza spirale e borxhit ka goditur ashpër Greqinë, Portugalinë dhe Spanjën, duke hedhur kështu një hije të brishtë në rimëkëmbjen ekonomike globale. Statistikat për vendet e tjera të eurozonës do të publikohen më vonë. Optimistë për një rritje të gjerë të ekonomisë janë shprehur edhe analistët, të cilët kishin parashikuar edhe më herët një rritje të ekonomisë gjatë tre mujorit të dytë me 0,6-0,7 për qind.

Turqi
Ekspertët çaktivizojnë një bombë në Ankara

Ekspertët në Ankara kanë çaktivizuar një bombë, e cila ishte vendosur në afërsi të një kompleksi policie në kryeqytetin turk.
Agjencia e lajmeve “Anatolia” raporton se bomba e vendosur në një çantë plastike është gjetur në afërsi të shtabit të policisë së protestave të dhunshme në rajonin e Ankarasë, Ishkitler. “CNN” bëri të ditur se ekspertët e bombave çaktivizuan bombën e cila përmbante 3.5 kilogram të eksplozivit plastik. Kjo bombë ishte e planifikuar të aktivizohej nga një aparat telefoni celular me të cilën ishte e lidhur bomba.

Britani e Madhe
“WikiLeaks” do të publikojë dokumente të tjera

Megjithë presionin e ministrisë së Mbrojtjes së SHBA-së platforma e kontestueshme e internetit WikiLeaks do të publikojë raporte të tjera të fshehta ushtarake për Afganistanin. Bëhet fjalë për afro 15.00 dokumente të papublikuara, bëri të ditur themeluesi i website, Julian Assange, në Londër, por pa përcaktuar afat. Në fund të korrikut WikiLeaks pati publikuar 77.000 raporte ushtarake amerikane të viteve 2004 deri 2010, ndër ta shumë informacione nga fronti. Ashtu si më parë qeveria amerikane tani organizata "Reporterë pa kufi" kritikoi faktin që në dokumente jepen informacione të tilla.

Rusi
Zjarret i afrohen qendrës kërkimore atomike

Zyrtarët rusë thonë se zjarret, që i janë afruar në mënyrë të rrezikshme qendrës kryesore të kërkimeve atomike, po rriten në masë. Mijëra zjarrfikës janë dërguar për t’i ndalur zjarret, që të mos i afrohen qendrës në Sarov. Në vetë qendrën kërkimore atomike nuk është regjistruar ndonjë rast i zjarrit, por rajoni i afërt Mordovia, ishte i përfshirë nga zjarri. Ministria e situatave urgjente thotë se në rajonet e tjera, zjarret po zvogëlohen. Pas temperaturave rekorde të larta gjatë muajit të fundit, dje në Moskë ka rënë shiu i parë.

SHBA
Senati miraton ligjin për kufirin

Senati Amerikan ka miratuar legjislacionin e ri për të frenuar hyrjen e emigrantëve ilegale nga Meksika dhe për të ndaluar aktivitetet e trafikantëve të drogës. Ligji i ri vjen para zgjedhjeve të rëndësishme të Kongresit që do të mbahen në muajin nëntor. Masat e reja do të kushtojnë rreth 600 milion dollarë, duke punësuar 1500 agjentë të rinj dhe roje kufitare. Xhon Kuk, kryebashkiaku i qytetit të El Pasos në Teksas në kufi me Meksikën thotë se është i kënaqur me ligjin e ri dhe shpreson në zbatimin e plotë të tij.

Pakistan
Ban ki Mun viziton vendin në prag të përmbytjeve të tjera

Ministria e jashtme e Pakistanit, njoftoi se sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun do të mbërrijë sot në Pakistan.
Kjo vizitë do të fokusohet në vërshimet më të mëdha që e goditën Pakistanit në gjithë historinë e tij. Zëdhënësi i Ministrisë së jashtme, Abdul Basit, tha se Ban Ki Mun do të diskutojë për përpjekjet për ndihma me liderët pakistanezë. Zëdhënësi i Basit ka konfirmuar se kjo vizitë bëhet dy ditë para vizitës së paralajmëruar nga senatori amerikan, Xhon Keri, i cili do të takohet me zyrtarët pakistanezë, për të biseduar për ndihmat.

Kore e Veriut
Sundimi kolonial, kërkesë Japonisë për falje dhe kompensim

Koreja e Veriut ka kërkuar nga Japonia që t ë kërkojë falje dhe të kompensojë për sundimin e rëndë kolonial japonez nga viti 1910 deri më 1945. Këto dy vende nuk kanë marrëdhënie diplomatike në mes veti edhe sot e kësaj dite. Koreja e veriut rregullisht shpreh pakënaqësi për shkak se sunduesit japonez gjatë sundimit kolonial përdornin koreanët për punë të detyrueshme dhe si skllav për qëllime seksuale. Më 10 gusht, Japonia zyrtarisht i kërkoi falje Koresë së Jugut për aneksimin e gadishullit Korean.

14 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›