E Diel, 1 Nëntor 2026

Rimbursimi, ja barnat që shtohen dhe hiqen nga lista

 

Sipas Komisionit të Hartimit të Barnave, këtë vit janë shtuar 25 barna të reja dhe janë hequr 11 nga lista aktuale

Listës së barnave të rimbursueshme do t'i shtohen barna të reja këtë vit. Kështu, listës së re do t'i shtohen 25 barna të reja. Por nga ana tjetër, listës aktuale do t'i hiqen 11 barna nga lista ekzistuese pasi ato nuk do të prodhohen më në atë formë. Kjo u vendos dje në mbledhjen e Komisionit për Hartimin dhe Rishikimin e Listës së Rimbursimit, që u mblodh në Ministrinë e Shëndetësisë.

Barnat e reja

Lista e barnave të rimbursueshme tashmë do të zgjerohet dhe barnat që do t'i shtohen kësaj liste kanë të bëjnë pikërisht me sëmundjet kronike. "U diskutua dhe u vendos që në Listën 2008 të shtohen 20 alternativa barnash. Gjithashtu do të bëhet zëvendësimi i 5 barnave ekzistues në listën aktuale me të njëjtat barna, por që kanë një përshtatje të formedozës me të cilën ato janë regjistruar dhe qarkullojnë në Shqipëri",- bëjnë të ditur burime zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë. Barnat e reja do të jenë kryesisht për sëmundje të përhapura, si për sëmundjet e zemrës, hipertensionit, diabetit dhe sëmundjet nefrologjike. Sipas Komisionit të Hartimit të Listës së Barnave, barnat e reja që do të shtohen, janë cilësore dhe kushtojnë shumë. Përfituesit e këtyre barnave do të jenë të gjithë ato kategori që plotësojnë kriteret për t'i përfituar ato. Megjithatë, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka ritheksuar vazhdimisht faktin se, në buxhetin e vitit 2008 nuk mund të përballohet futja e barnave të reja në listë. Sipas tyre, buxheti i miratuar për këtë vit është më i vogël se ai që ishte parashikuar nga ISKSH-ja dhe kjo, sipas tyre, ndikon pikërisht në listën e barnave. Madje ky institucion vetëm pra disa ditësh ka dhënë alarmin se futja në listë e barnave pa kriter, rrezikon edhe marrjen e barnave që ndodhen në listën aktuale.

Barnat që hiqen

Në listën e re nuk do të ketë vetëm shtim të barnave të reja, por edhe heqje të disa barnave të tjera që ekzistojnë në listën aktuale. Komisioni i Hartimit të Listës së Barnave ka dhënë disa argumente për largimin e këtyre barnave nga lista. Kështu, u vendos që të hiqen nga lista e barnave të rimbursueshme 11 barna të cilat jo vetëm që nuk cilësohen të domosdoshme por ato janë jashtë tregut. "U shqyrtua dhe u vendos që të hiqen nga lista 11 barna, të cilat nuk janë në qarkullim në vendin tonë ose janë deklaruar nga vetë fabrikuesit e tyre, që nuk do të prodhohen më në atë formë",- pohojnë burime zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë duke theksuar se për ato sëmundje të cilat trajtoheshin më parë me këto barna, ekzistojnë në listën aktuale alternative të njëjta për trajtimin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›