E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rimbursimi, për 5 ilaçe 1.4 miliardë lekë

• Vetëm për pesë alternativa ilaçesh, të futura këtë vit në listën e rimbursimit, me insistim të Ministrisë së Shëndetësisë, ISKSH-ja do të harxhojë rreth 1.4 miliardë lekë.

zirina llambro

Këto para zënë 1/3 e fondit total që do të shpenzohet për 351 medikamentet e skemës, i cili për këtë vit është 4.2 miliardë. Pikëpyetja me këtë përzgjedhje vihet mbi cilësinë e barnave nga mjekë e specialistë të fushës. Sipas tyre, kjo formë e funksionimit të skemës është gati e papërshtatshme. Pavarësisht kësaj, listës së rimbursimit për 2008-ën i është dhënë dje dora e fundit. Në mbledhjen e Këshillit Administrativ të ISKSH-së u vendos për alternativat e reja, si dhe barnat që do të hiqen nga skema. Pas komisionit të hartimit dhe rishikimit të listës, mbledhja e djeshme konkludoi duke u bazuar mbi llogaritjen e kostos totale të medikamenteve që do të përballohet nga ISKSH-ja. Për ilaçe të reja nuk bëhet fjalë, por janë futur 21 alternativa. Për këtë grup në listë ka aktualisht barna me gati të njëjtat efekte për trajtimin e sëmundjeve si diabeti, zemra, skleroza. Jashtë skeme u vendos të nxirren 9 ilaçe, ndërsa 5 prej tyre u zëvendësuan me alternativa të reja. Ato, sipas specialistëve, nuk cenojnë trajtimin e pacientëve që përfitojnë. Po t'i referohesh debateve të një jave më parë në komisionin e listës, mes përfaqësuesve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe atyre të ISKSH-së, mbledhja e djeshme ka qenë më shumë vendosja e vetos nga ministri Nard Ndoka sesa një mbledhje produktive në dobi të pacientëve.
Kosto e papërballueshme
Ilaçi më i kontestuar qoftë nga mjekët, qoftë nga ISKSH-ja,  kombinimi Valsa-rtan+Amlodipin (barna për sëmundjet e zemrës) është futur në listë. Ndonëse kostoja prej 25 milionë lekë të reja më shumë, sipas përfaqësuesve të ISKSH-së është e papërballueshme financiarisht. Por duket se instituti ka ndryshuar mendim për aq kohë sa i vetmi argument që jep për futjen e kombinimit të ri në skemë është "insistimi i ministrit të Shëndetësisë". Për alternativën e re të trajtimit të të sëmurëve me zemër, shefi i katedrës së kardiologjisë, prof.dr. Spiro Qirko, anëtar i komisionit, ka deklaruar një javë më parë se, nuk ka pasur asnjë bazë në përzgjedhje. "Ju lutem më sqaroni se mbi ç'bazë është përzgjedhur ky kombinim? A ka një studim për rezultatet? Ju garantoj se unë jam shef i katedrës dhe nuk di gjë për këtë propozim. Nuk duhet të futen barnat në këtë formë në listë, por ato të dalin nga forumet universitare si propozime", është shprehur Qirko në mbledhjen e komisionit të hartimit të listës. Të njëjtin pretendim kanë pasur edhe përfaqësuesit e ISKSH-së, të cilët i bie të kenë ndërruar mendim. Alternativa të tjera barnash që kanë ngjallur debate në mbledhjen e djeshme ishin insulinat. Nga komisioni i hartimit të listës ishin propozuar për t'u futur në skemë 4 variante. Ato do t'i kushtojnë ISKSH-së plot  110 milionë lekë të reja. Pra, rreth 1 miliard lekë. Shifra është llogaritur nga vetë specialistët e ISKSH-së. Vetëm për këto ilaçe i bie që instituti të harxhojë rreth 1.4 miliardë lekë ose e thënë më qartë 1/3 e të gjithë fondit që ka në dispozicion për listën e rimbursimit, që në total ka rreth 351 barna. "Me insistimin e ministrit të Shëndetësisë, bordi pranoi futjen e këtyre barnave, por duke u saktësuar që do të ketë një monitorim të fortë për të mbajtur kostot nën kontroll", thuhet në njoftimin për mediat të ISKSH-së.

Ndryshimet në skemë

Barnat që hiqen nga lista

1.     Acidum ursodeoxycholicum 300 mg caps
2.     Insuline Humane Biosintetike Bifazike Izofane lOONj.N/ml -3 ml
    10/90 pen
3.     Insuline Humane Biosintetike Bifazike Izofane lOONj.N/ml -3 ml
    20/80 pen
4.     Bezafibrate 200 mg drazhe
5.     Neomycini Sulfas+Bacitracinum(0.5g+50000Nj.N)% -30 g tub.
6.     Methylergometrinum maleas 0.025% -15 ml fl
7.     Testosterone propionate 50 mg/ml -1 ml amp
8.     Mazipredonium Chloratum 30 mg -1 ml amp
9.     Cefaclor Hydrochloride 250 mg caps

Barnat zëvendësuese

1.     Sulfadiazinum argenticum 1% - 40 g
2.     Betamethasonum Dipropionaturn 0.05% - 20 g
3.     Estradiol + Drospironone (1 + 2)mg
4.     Methylprednisolone 125 mg
5.     Ipratropium Bromide * 200 doza inh.- 10 ml

“Pensionistët jetojnë  me 1.5 dollarë në ditë”
Krahasuar me 3 vite më parë familjet shqiptare janë varfëruar ndjeshëm. Kategoria më e prekur mbeten pensionistët. "Janë rreth 87 mijë familje të moshuarish që jetojnë me 1.5 dollarë në ditë, nga 2 dollarë që shpenzonin në 2005. Kjo situatë është krijuar për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve e energjisë elektrike", pohoi dje kryetari i sindikatës së pensionistëve, Isa Gorica. Nga të dhënat e bëra publike prej tij të bazuara mbi studimet e kryera nga sindikata rezulton se, veç pensionistëve për 400 mijë familje shqiptare të ardhurat ditore kanë zbritur nga 1.8 dollarë në ditë, në 1.2 dollarë. Sindikata i ka bërë thirrje qeverisë për të mbajtur premtimet e bëra lidhur me rritjen reale të pensioneve. "Gjithashtu duhet të merren masa që të luftohet evazioni fiskal dhe puna e zezë, e cila kap shifra alarmante deri në 40%", sqaroi Isa Gorica. Pensionistët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre edhe për listën e rimbursimit të ilaçeve. Sipas tyre, në skemë vazhdojnë të mungojnë një sërë barnash të shtrenjta, për të cilat të moshuarit kanë nevojë dhe detyrohen t'i blejnë vetë në farmaci. "Në disa raste janë hequr alternativat më të shtrenjta, por mjaft të efektshme për ne dhe janë zëvendësuar me ilaçe të lira, po që s'kanë pikë ndikimi tek sëmundja. Edhe pse skema si rregull duhet të ketë në përbërje të saj alternativat më të lira, për ne si pacientë kjo është mjaft e dëmshme", është shprehur kreu i sindikatës së pensionistëve, Isa Gorica. Një tjetër problem i ngritur nga sindikata është edhe ai i sorollatjeve të shumta të pacientëve për të marrë ilaçet e rimbursueshme, madje ka pasur raste që i kanë blerë me paratë e tyre. Në pikëpyetje është vënë disa herë edhe cilësia e barnave të listës. Ilaçet në disa raste janë konsideruar nga kategoritë që i përfitojnë si jo efektive, çka i ka detyruar që të shpenzojnë para nga xhepi për të kuruar sëmundjet e tyre. Ndonëse për aq kohë sa përfitojnë nga rimbursimi, një pjesë e mirë e tyre i marrin falas dhe shteti duhet t'u garantojë cilësinë.

1.5 dollare
në ditë shpenzojnë plot 87 mijë pensionistë për të jetuar nga 2 dollarë në 2005-ën. Sipas sindikatës, kjo kategori është varfëruar në 3 vitet e fundit

400 mije
familjeve shqiptare u kanë zbritur të ardhurat ditore nga 1.8 dollarë në ditë në 1.2 dollarë. Të dhënat vijnë nga studimet që sindikata ka realizuar në popullatë

Alternativat shmangin monopolet
Sipas bordit të ISKSH-së, futja e 21 alternativave të reja në skemë shmang monopolet e barnave. "Eshtë pozitive futja e alternativave të barnave, por gjithnjë duke pasur parasysh buxhetin përkatës që ka ISKSH-ja, i cili është i kufizuar", u shpreh në mbledhje drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana. Ministri i Shëndetësisë, i cili është njëkohësisht kryetar i bordit të ISKSH-së u shpreh se, ky është një hap pozitiv në krijimin e konkurrencës. Drejtoresha e ISKSH-së shtroi në bord çështjen e listës alternative, që tashmë është hartuar nga ISKSH-ja në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, duke e konsideruar mjaft të vlefshme për pacientët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›