E Diel, 1 Nëntor 2026

“Qeveria lëmsh biznesin me ndryshimin e ligjeve”

• Ndryshimet e shpeshta në legjislacionin fiskal jo vetëm që nuk e kanë ndihmuar biznesin, por përkundrazi, e kanë ngatërruar më shumë atë.

Fabiola Çela

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Robert Çeku, ka raportuar dje para deputetëve të Komisionit të Ekonomisë. Gjatë raportimit të tij, Çeku ka deklaruar dëmet që i janë shkaktuar buxhetit të shtetit nga shkeljet e kryera nga punonjësit e administratës, por ai ka sugjeruar mosndryshimin e shpeshtë të legjislacionit. "Ndryshimet e shpeshta në legjislacion pengojnë biznesin dhe administratën", ka thënë ai. Në këtë mënyrë, Çeku ka ndarë të njëjtin shqetësim me biznesin, i cili jo pak herë ka deklaruar se ndryshimet e njëpasnjëshme në legjislacion janë të vështira për t'u zbatuar, si për ata, si për punonjësit e administratës tatimore.
Dëmet
Për vitin 2007 KLSH-ja ka ushtruar rreth 198 kontrolle në institucionet e qeverisjes qendrore, administratës vendore, njësitë dhe projektet me financime të huaja, drejtoritë dhe degët e tatim-taksave e të doganave, si dhe institucionet në shërbim të reformave ekonomike. "Nga kontrollet e ushtruara janë zbuluar shkelje e parregullsi financiare, për të ardhurat në buxhetin e shtetit dhe për shpenzimet me fondet buxhetore, me dëm efektiv të përgjithshëm në shumën totale prej 6 miliardë lekësh", tha Çeku. Sipas tij, ky dëm efektiv i përket veprimtarisë ekonomiko-financiare të ushtruar në periudhën 2004-2006 dhe 9-mujorit të vitit 2007. Si gjithmonë dëmi më i madh në buxhetin e shtetit është shkaktuar nga administrata doganore dhe ajo tatimore. Vetëm nga shkeljet e kryera nga punonjësit e administratës tatimore, buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm mbi 3 miliardë lekë. Konkretisht, si pasojë e mosllogaritjes së detyrimeve tatimore dhe penaliteteve për tatim-fitimin, dëmi i shkaktuar në buxhet është 953 milionë lekë. "Nga moskontrolli i blerjeve dhe shpenzimeve të pasqyruara padrejtësisht në bilancet ekonomike të paraqitura nga bizneset dhe pasqyrimi i tyre pa dokumentacionin e duhur, ka shkaktuar një dëm prej 778 milionë lekësh", thuhet në raportin e KLSH-së. Por dëmet e administratës tatimore nuk përfundojnë me kaq. Dëme të konsiderueshme janë shkaktuar edhe nga moszbatimi siç duhet i ligjit "Për procedurat tatimore" dhe udhëzimeve të dala prej tij. Konkretisht kryerja e transaksioneve Cash mbi limitin ligjor nga subjektet dhe mosvendosja e penaliteteve për këto transaksione, ka krijuar një dëm prej 42.3 milionë lekësh. Një tjetër gropë e zezë për sa i përket shkeljeve mbetet edhe administrata doganore, ku dëmi arrin 360 milionë lekë. Vetëm nga mosllogaritja e saktë e detyrimeve doganore në momentin e zhdoganimit të mallrave, buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm prej 132 milionë lekësh. Një dëm i konsiderueshëm është shkaktuar edhe nga pranimi i faturave me vlera më të vogla se sa vlera reale e mallrave të importuara dhe mosverifikimi i tyre në origjinë. Vlera e këtij dëmi arrin në 76 milionë lekë.

6 miliarde
lekë është dëmi ekonomik i shkaktuar buxhetit të shtetit. Tatimet dhe doganat janë dy institucionet ku vlera e dëmeve
arrin shifrat më të larta

618 milione
lekë është dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit nga dega e tatimpaguesve të mëdhenj. Ky dëm ka ardhur si pasojë e mosllogaritjes së gjobave për tatim-fitimin dhe TVSH-në

115 milione
lekë është dëmi i shkaktuar arkës së shtetit si rrjedhojë e dhënies së shpërblimeve të pamerituara. Jo pak herë drejtuesit e administratës shtetërore marrin shpërblime të pamerituara

883 milione
lekë është dëmi i shkaktuar në sektorin e prokurimeve publike, ndërsa nga shkeljet e kryera në shitjen apo dhënien me qira e pasurive shtetërore dëmi arrin në 612 milionë lekë

Rruga Durrës-Kukës, dosja në Prokurori

Ekspertët e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë kaluar në sitën e tyre të gjithë kontratën e ndërtimit të rrugës së shumëpërfolur Durrës-Kukës. Gjatë raportimit të djeshëm në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, kryetari i KLSH-së, Robert Çeku, deklaroi se kanë konstatuar probleme ligjore në kontratën për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Sipas tij, ekspertët e KLSH-së kanë evidentuar shkelje të rënda në kontratën e rrugës Durrës-Kukës. Në këto kushte, KLSH-ja ka dorëzuar edhe kallëzime penale në Prokurori për përgjegjësit e këtyre shkeljeve, ku pritet edhe ndjekja penale e tyre. Në fakt ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës është një ndër prioritetet e qeverisë demokrate. Por ndërtimi i kësaj rruge është kthyer në një mollë sherri mes pozitës dhe opozitës. Shpeshherë kjo e fundit i ka akuzuar zyrtarët e qeverisë për mungesë transparence në ndërtimin e kësaj rruge.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›