E Diel, 1 Nëntor 2026

Rinas, 400 euro për kalimin në kufi, kapet shoku i kontrollorit

400 euro është shuma që 33- vjeçari Dorjan Doka ka përfituar nga mashtrimi i një të njohure, duke pretenduar se ajo kishte mungesa dhe pasaktësi në dokumentacionin për jashtë shtetit dhe se ky do e ndihmonte të kalonte në Rinas.

TIRANE - Prangoset sekseri i Rinasit, mashtroi se do kalonte në pikën e kontrollit një qytetare, që dispononte dokumente të rregullta. Duke u hequr se ishte person që kishte njohje në pikën e kalimit kufitar në aeroportin e Rinasit dhe duke i mbushur mendjen "viktimës" së tij se do kishte probleme gjatë kalimit, ai i ka marrë asaj plot 400 euro, por sapo ka verifikuar se nuk kishte asnjë problem dhe se kishte kaluar në pikën e kontrollit kundrejt të gjitha rregullave, gruaja e mashtruar ka depozituar denoncim në ngarkim të tij, i cili është vënë dy ditë më parë në prangat e policisë. Burime pranë policisë së kryeqytetit pohuan dje se i arrestuari është Dorjan Doka, 33- vjeç, banues në Kodër Kamëz, i cili është vënë në pranga nga specialistët e Seksionit Kundër Krimit Ekonomik Finaciar. Policia shpjegoi dje se ai është arrestuar në flagrancë, duke kaluar përmes pikës së kalimit kufitar në aeroportin e Rinasit së bashku me "prenë" e tij. Por aty, gjatë kalimit te kontrollori, ai nuk ka kryer asnjë veprim, ndërsa e mashtruara prej tij i ka kryer vetë të gjitha procedurat e zakonshme të kalimit nëpër pikën e kontrollit. Në këtë moment ajo është bindur se ishte mashtruar prej 33- vjeçarit, ndaj të cilit ka depozituar kallëzim në polici, duke pretenduar se shtetasi Doka i kishte marrë me anë të mashtrimit shumën prej 400 eurosh. Ajo ka pretenduar se ai ia kishte argumentuar "zhvatjen" e parave, duke i thënë se do e kalonte në Rinas për shkak të mangësisë dhe pasaktësisë në dokumentacion. Por verifikimi në doganë dhe kalimi i saj pa probleme ka nxjerrë në shesh mashtrimin si dhe faktin që kjo shtetase dispononte dokumente të rregullta italiane. Pas kësaj, policia i kaloi Prokurorisë materialet në ngarkim të 33- vjeçarit, për konsumim të veprës penale të "mashtrimit". fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›