E Diel, 1 Nëntor 2026

TIRANE/ Hume Bakalli u dënua në mungesë me 4 muaj burg, për ngjarjen e vitit 2009 Kallëzon përdhunimin, arrestohet Policia: 21-vjeçarja gënjeu në denoncim, nuk e prekën

Denoncoi rrejshëm për përdhunim, tashmë i duhet të kalojë 4 muaj burg. Policia e Tiranës arrestoi dje 21-vje-çaren, Hume Bakalli, punonjëse në një lokal, e dënuar në mungesë dy muaj më parë për denoncim të rremë në organet e rendit.

Ngjarja për të cilën vajza ka përfunduar nën hetim e më pas është gjetur fajtore e dënuar nga gjykata, ka ndodhur mbrëmjen pas 15 tetorit të vitit të kaluar. Ajo ka denoncuar në polici, se më 15 tetor 2009 është takuar pasdite rastësisht te Zogu i Zi me shtetasin E.M., i cili i ka propozuar për të shkuar në një lokal me muzikë, por ajo nuk ka pranuar. Pas refuzimit, sipas kallëzimit të saj, ai e ka kapur prej flokësh dhe e ka futur në makinë me forcë, ku e ka çuar në afërsi të fshatit Mullet dhe e ka mbajtur për një kohë të gjatë brenda në automjet. Më pas ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me të, por nuk ka mundur. Gjatë përpjekjeve për përdhunuar 21- vjeçaren, E.M. i ka marrë asaj çantën dhe portofolin ku ndodheshin rreth 300 euro, ndërsa ajo i ka thyer xhamin e derës së prapme të makinës. Pasi ka mundur të largohet prej saj, ajo ka lajmëruar policinë nëpërmjet numrit 129, të cilët kanë vajtur dhe e kanë marrë në vendin ku ajo u kishte thënë se ishte. Pas shoqërimit të E.M. e disa personave të tjerë, hetuesit u kanë marrë atyre deklarime, si dhe i kanë ballafaquar dëshmitë me kallëzimin e vajzës. Në deklarimet e datës 16 tetor ora 15:00, Hume Bakalli ka ndryshuar thëniet dhe ka pranuar se ka bërë kallëzim të rremë, pasi asnjë person nuk kishte tentuar të kryente marrëdhënie seksuale me dhunë me të. Ajo ka pranuar se atë natë, bashkë me E.M. dhe disa djem të tjerë, ka vajtur me dëshirën e saj në një lokal me muzikë nate, ku pasi kanë pirë, janë kthyer për të shkuar në shtëpitë e tyre. Rrugës ata kanë pasur një konflikt se kush do shkonte i pari në shtëpi. Grindja është acaruar derisa ajo ka thyer xhamin e pasagjerit të mjetit të E.M., ka dalë nga makina e ka telefonuar policinë, duke i gënjyer se është te ura e Farkës dhe po e ndiqte një djalë me makinë. Në deklarimet e saj ka pranuar më vonë se E.M. nuk ka tentuar ta përdhunojë, por këtë gjë e mendonte nëse ai do ta çonte në shtëpi të fundit dhe do të ishin vetëm të dy në makinë. Nga dëshmitë e E.M., I.T. dhe R.H. të dhëna në gjykatë, është provuar se Bakalli ditën e ngjarjes ka qenë në punë deri në orët e vona të natës dhe është dërguar në shtëpi nga R.H., pronari i lokalit ku ajo punonte. Pasi ka vajtur në shtëpi, Humja është lidhur me telefon me E.M. e I.T. dhe e shoqëruar prej tyre, me dëshirën e saj, ka shkuar në një lokal me muzikë nate. Pasi kanë dalë nga lokali janë nisur për shtëpi me makinën e E.M. Gjatë rrugës midis saj dhe E.M. ka pasur konflikt fillimisht verbal, se kush do të shkonte i pari në shtëpi. Vajza ka thyer xhamin dhe ka dalë nga makina duke u larguar me vrap. Ajo i ka telefonuar policisë, ku ka bërë kallëzim, megjithëse e dinte se kjo nuk ishte e vërtetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›