E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rindërtimi i së majtës, e vetmja alternativë

Ermira Danaj 

Le të vazhdojmë diskutimin dhe analizën mbi të majtën në Shqipëri dhe mbi Partinë Socialiste në veçanti, si partia më e madhe jo vetëm e spektrit të majtë, por më e madhja në Shqipëri. Dhe kur themi më e madhja do të thotë që ka numrin më të madh të votuesve në Shqipëri , fakt ky që e bën automatikisht të domosdoshme analizën e së majtës në Shqipëri. Ajo që është e rëndësishme është se kësaj analize i duhet shkuar deri në fund. Një ndër të metat e PS ka qenë pikërisht “ngrirja” e situatave problematike në parti për hir të “kohezionit”, “kundërshtarit” etj. Dhe kjo ngrirje problemesh ka bërë që të mos ofrohej zgjidhje, por vetëm të propozoheshin masa arnuese. Dhe ja ku jemi përsëri përballë së njëjtës situatë. Partia Socialiste gjendet sot mbas dy humbjesh radhazi, atë të vitit 2005 dhe këtë më të freskëtën të zgjedhjeve të 28 qershorit. Prej disa ditësh tashmë ka një diskutim nëse duhet bërë apo jo një analizë e rezultatit që pati PS në këto zgjedhje apo duhet “të bëjmë opozitë”. Personalisht e kam të vështirë të besoj se mund të bëhet opozitë e suksesshme për t’iu “hapur sytë” shqiptarëve mbi keqqeverisjen e PD nëse mbyllim sytë për atë që ndodh brenda vetë PS, nëse mbyllim sytë për atë çfarë ndodh me PS dhe me të majtën në Shqipëri, nëse përsëri marrim ndonjë masë arnuese sa për të dalë nga kjo situatë debatesh dhe vetëm kaq. Problemi më i madh i diskutimit mbi PS dhe të majtën në Shqipëri është se ai në disa raste bie në nivelin e mbrojtjes së Ramës, dhe në argumentet kundër kandidatëve të tjerë potencialë për kreun e PS. Ndërkohë që kreu i PS është vetëm një ndër shumë elementët që duhen marrë sot në analizë, dhe nuk mund të jetë kurrsesi kryesori. Emrat e përveçëm nuk mund të jenë kurrë aq të rëndësishëm sikundër është çështja e të majtës në Shqipëri. Po flitet sot për bashkimin e së majtës në formë konfederatash etj. Fatkeqësisht më duhet të përsëris se që të bashkohesh duhet më parë të bëhesh. Pra, pika e parë me të cilën duhet të merremi është të vendosim nëse PS do të jetë përsëri një parti e majtë, apo një parti përtej të majtës dhe të djathtës. Pika e parë me të cilën duhet të merrem sot është rindërtimin e së majtës. Dhe të flasësh për rindërtimin e së majtës në Shqipëri do të thotë të mos mbetesh vetëm tek rregullimet parametrike (ndryshime statuti apo formati), që janë të vlefshme, por që janë dytësore para diskutimit për ndryshime paradigmatike, sikundër është ai i mësipërmi, mbi identitetin politik të PS. Prej disa vitesh një ndër problemet e Partisë Socialiste ka qenë pikërisht se është marrë me ndryshime dhe arnime parametrike dhe ka evituar analizat e thella të problemeve brenda saj. Është pikërisht ajo që ndodhi edhe pas zgjedhjeve të 2005, edhe pse analiza e historisë super të pasur të Partisë Socialiste që prej 1991 mjaftonte për të gjetur zgjidhjet dhe propozimet për të ardhmen e saj. Ajo që u propozua edhe në zgjedhjet e vitit 2009 ishte e njëjta pamje e vitit 2005, por me ngjyra të tjera. Edhe pse Rama u përpoq të sillte diçka komplet të re në politikën shqiptare sikundër ishte turi i Dialogut me Shqipërinë gjatë 2007-2008, përsëri fushata elektorale u përqendrua më së pari tek elementi anti-Berishë. Ashtu siç dështoi antiberishizmi në 2005, ashtu dështoi edhe këtë herë, ku ngjarja e tmerrshme e Gërdecit u përdor në kohën e gabuar dhe në mënyrën e gabuar deri në inflacion dhe ku u soll përsëri në skenë viti ’97, por nganjëherë nga përfaqësues të PS që nuk e kishin idenë se çfarë kishte ndodhur në ‘97 dhe ku argumenti iu kthehej në boomerang. Nuk mund të ishte kurrsesi antiberishizmi element fitoreje për një parti kaq të madhe sa PS, që në të njëjtën kohë kërkon të jetë edhe një parti moderne. Antiberishizmi funksionoi gjatë viteve në opozitë të PS kur bëhej fjalë për ruajtjen e demokracisë së sapolindur dhe funksionoi kundër praktikave dhe politikave diktatoriale të PD. Por nuk mund të funksiononte  në 2009, në një konfigurim krejt tjetër shoqëror në radhë të parë dhe politik në radhë të dytë. Nuk mundet që misioni i Partisë Socialiste për të sjellë progresin e vërtetë në Shqipëri të njehsohej thjesht me të qenit anti-Berishë. “Anti” është votë desktruktive, ndërsa PS ka nevojë për një platformë të re pro Shqipërisë. Por për një platformë me ide dhe alternative dhe jo veç për një slogan, sepse e ardhmja bazohet tek idetë, ndërsa sloganet shërbejnë vetëm për manipulimin me të ardhmen.
Përveç kësaj, fushata u bazua tek një ndër pikat më të forta të Ramës, karizma e tij, që në vetvete nuk është një element i gabuar fushate, ose më saktë nuk do të ishte element i gabuar nëse nuk do të ishte tipari kryesor i fushatës së PS në këto zgjedhje. Fushata elektorale nëse në aspektin “kundër” kishte Berishën, në aspektin “pro” kishte vetëm Edi Ramën. Gjithçka u lidh me emrin e tij, pikërisht duke u bazuar në atë çka ai ka arritur si kryetar bashkie dhe në të qenit një ndër personazhet më karizmatikë të politikës në Shqipëri. E njëjta gjë kish ndodhur edhe në 2005, ku antiberishizmi i bazuar tek viti ‘97 dhe mbështetja tek karizma e Nanos ishin dy elementët kryesorë që iu servirën shqiptarëve për t’iu kërkuar votën. Por, politikanët shqiptarë duhet ta dinë se të qenit karizmatik nuk mund të jetë parakusht për të fituar zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri. Dhe për më tepër pushteti i bazuar tek karizma zgjat vetëm aq kohë sa zgjat karizma e një lideri, sikundër thotë Maks Veberi. Kjo u vërtetua më së miri në dy zgjedhje radhazi, edhe pse me një ndryshim. Në 2005 Partia Socialiste përdori vetëm elementin anti-Berishë dhe pro-Nano, pa asnjë ide apo alternativë të majtë moderne për qeverisjen e vendit, pasi kishte qeverisur gjatë viteve të fundit me një miks politikash të majta e të djathta. Në 2007, Rama hodhi disa teza mbi të majtën moderne, mbi PS e shekullit të ri, mbi Shqipërinë e re sociale, teza të cilat, e përsëris, u transformuan gjatë rrugës në një inflacion bosh të termit “politikë e re” dhe “përtej të majtës dhe të djathtës”. Dhe mbështetja tek elementi “kundër” dhe tek karizma dështuan si në 2005, ashtu edhe në 2009.
Si në vitin 2005 edhe në vitin 2009, udhëheqja e Partisë Socialiste u shfaq pa identitet të qartë politik, ose më saktë pa identitet të majtë të qartë. Për më tepër me një tendencë të theksuar fshirjeje të memories historike të PS (personalisht e gjykoj një gabim të pafalshëm tendencën për ta filluar historinë e PS në 2005. Një gjë është të kritikosh gabimet që ka bërë udhëheqja e PS në parti apo në qeveri dhe një gjë tjetër e pafalshme është të mohosh historinë e partisë më të madhe në Shqipëri). Një parti moderne vërtet nuk mund të mbetet gardiane e së shkuarës së saj. Por kjo parti nuk mund të jetë kurrë moderne pa të shkuarën e saj. Këto ishin vetëm disa nga gabimet që udhëheqja socialiste bëri në 2009, pikërisht sepse nuk arriti dot të analizojë dështimin e zgjedhjeve në 2005. Dhe me sa duket tani tentohet të bëhet e njëjta gjë, të evitohet çdo lloj analize, për hir të një arsyeje që mbetet më shumë në nivele personale të X dhe Y sesa në nivelin e së ardhmes së PS. Megjithatë, të analizosh gabimet dhe atë që nuk funksionoi kjo nuk është edhe aq e vështirë. Ajo çka është më e vështirë është të kuptosh se çfarë duhet bërë dhe kush është zgjidhja.
Dhe këtë të dytën mund ta bëjë një parti politike moderne, e cila bën analiza, por ama di të japë edhe zgjidhje. Sot në Shqipëri e majta duhet rindërtuar dhe ky rindërtim fillon nga kthimi i PS tek e majta moderne. Dhe kur them kthimi tek e majta, flas për një shprehje të qartë të politikave që PS do të ndjekë kur të vijë në pushtet, për një shprehje të qartë kundër shoqërisë së tregut dhe pro ekonomisë së tregut nëpërmjet një kontrate të re sociale – sepse tregu në fund të fundit është vetëm një instrument shkëmbimi të mirash, po nuk prodhon solidaritet, integrim apo mundësi të barabarta. PS duhet të shprehet qartë kundër politikave mëshiruese të ndjekura deri më sot dhe pro politikave integruese dhe solidaritetit, kundër konceptit “zbutje varfërie” dhe pro konceptit “rritje mirëqenie”, kundër konceptit “më i forti fiton” dhe pro mundësive të barabarta për të gjithë etj., etj. Të gjitha këto duhet të jenë më parë pjesë e platformës politike të majtë të Partisë Socialiste e më pas të përkthyera në platformë qeverisëse. Rindërtimi i së majtës do të thotë që Partia Socialiste të fillojë një proces reformimi, por e përsëris, jo reformime në ndryshim njerëzish, por reformime në thelb, që kanë të bëjnë me ideologjinë e partisë, me funksionimin e saj dhe me raportet e saj me shoqërinë shqiptare. Le të përmendim në këtë shkrim vetëm disa prej elementëve të reformimit të Partisë Socialiste për t’i zgjeruar më tej në një analizë të ardhshme. I pari prej tyre është rinkonceptimi i grupit parlamentar socialist. Një parti moderne e së majtës në pluralizëm i jep përparësi grupit të saj parlamentar (një ndër shembujt e shumtë është Partia Socialiste zvicerane). Për sa kohë themi që politika bëhet në Parlament, aq kohë deputetët e së majtës duhet të jenë të lirë të bëjnë politikë. Grupi parlamentar duhet të jetë në zbatim të programit politik të partisë dhe jo në zbatim të porosive të çastit me celularë apo mbledhjesh rrufe.
Gjithashtu, Partia Socialiste duhet të rishikojë raportin me shoqërinë civile dhe abuzimin me termin “progresist”. Në mjaft raste pas këtyre nocioneve janë fshehur grupe dhe klane të caktuara, të cilët madje kanë dalë edhe hapur duke thënë se nuk e njohin Partinë Socialiste, por njohin vetëm kryetarin e saj. Mjafton t’i referohemi shumë sociologëve apo edhe një dokumenti politik siç është Manifesti Bler-Shrëder për të ritheksuar se roli i shoqërisë civile është ai i ruajtësit dhe kontrollorit ndaj abuzimeve të pushtetit. Ndaj dhe nuk mund të ketë gjoja shkrirje të një partie politike me shoqërinë civile sepse kjo do të kishte për qëllim vetëm manipulimin dhe abuzimin me pushtetit.  Ndërsa nëse i referohemi nocionit të “progresistëve” dua të them se në gjirin e shoqërisë shqiptare ka me mijëra progresistë, por tek Partia Socialiste vijnë vetëm ata që përqafojnë Programin Politik të saj dhe që kanë bindjet e tyre të majta (termi progresist nuk është tregues mbi bindjet politike!!). Forca më e madhe politike në Shqipëri nuk ka nevojë për drejtues apo deputetë me qira, por vetëm për socialistë të shekullit të ri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›