E Shtunë, 31 Tetor 2026

Firmëtarët: Rama të mos kandidojë

 

Aristir Lumezi

Një grup prej 37 socialistësh, ish-deputetë, ministra, anëtarë kryesie, por dhe drejtues të pushtetit vendor kërkojnë moskandidim të Ramës. Përmes një letre të hapur publike drejtuar kongresit të jashtëzakonshëm të PS-së, ata kërkojnë në radhë të parë analizën për nxjerrjen e shkaqeve të humbjes së PS-së në zgjedhjet 28 qershorit. “Kërkojmë zbatimin rigoroz dhe pa kushte të statutit të PS-së që parashikon ndërprerjen automatikisht të mandatit të kryetarit në detyrë dhe mosrikandidimin e tij dhe
hapjen e garës për zgjedhjen e kryetarit të ri sipas përcaktimeve statusore të paraprihet nga analizat përkatëse politike dhe organizative në të gjitha nivelet elektorale të PS-së dhe në forumet drejtuese të saj (në detyrë)”, thuhet në letrën e tyre. Ata shprehen se janë bashkëthemelues të PS-së dhe shohin me shqetësim të madh zhvillimet e fundit në parti pas zgjedhjeve. “Në prag të mbledhjes së Kongresit të Jashtëzakonshëm të PS-së që do të mbahet më 29 Gusht 2009, një grup bashkëthemeluesish të Partisë Socialiste, kryetarë partie, deputetë, kryetarë bashkish dhe komunash, nga mbarë vendi dhe që prej themelimit të saj, u drejtojnë një apel publik qytetarëve shqiptarë që më 28 qershor 2009 votuan për alternativën e majtë, anëtarëve dhe simpatizantëve të PS-së”, shprehen ata. Sipas tyre, qëndrimi në krye të PS-së i Edi Ramës, do të çonte në një përçarje të mëtejshme të kësaj partie, për shkak të frymës autoritariste në drejtimin e partisë prej tij. Sipas tyre, kjo frymë dhe ky model drejtimi i partisë çoi në dështimin e përsëritur të zgjedhjeve nga PS, por dhe të ndryshimeve kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor përmes bashkëpunimit me PD-në. “Vazhdimi i drejtimit të PS-së nga ana e Ramës mund të çojë në eksperimente të tjera të dhimbshme për popullin e majtë, në dështime politike të njëpasnjëshme dhe në humbje të reja elektorale; kryetari në detyrë i PS-së është pjesë e historisë politike të kësaj partie dhe çfarëdo përfshirje e tij e drejtpërdrejtë në zhvillimet e ardhshme politike dhe institucionale të partisë rrezikon përçarje të reja në gjirin e saj”, shprehen firmëtarët në letrën e tyre.
Qëndrimi
Rama në krye të PS-së sipas firmëtarëve do rriste frymën autoritare, por dhe ndërhyrjet e mëtejshme të grupeve të interesit në parti. “Vazhdimi i drejtimit të PS-së nga Rama do të thellonte më tej frymën autoritariste, do të lehtësonte ndërhyrjet e grupeve të interesit në vendimmarrjet më të rëndësishme të kësaj force politike, etj.
Humbja e 28 qershorit për PS-në dëshmoi jo vetëm mungesën e vizionit strategjik të kryetarit Rama në qeverisjen e PS-së, por edhe mungesën e vizionit politik të tij në ndërtimin e aleancave zgjedhore, duke u vetëshpallur misionar i fitores, i vetëm, pa lidership, pa program dhe pa ekip”, shprehen grupi i socialistëve firmëtarë. Duke shprehur shqetësim e tyre për situatën në PS pas zgjedhjeve, ish-deputetët dhe anëtarët e kryesisë, kërkojnë zhvillimin e një analize të plotë për të nxjerrë shkaqet që çuan në humbjen e zgjedhjeve. “Çfarëdo përpjekje për keqpërdorimin e ndjeshmërisë elektorale të socialistëve me synim largimin e vëmendjes nga çështja kryesore e Kongresit të Jashtëzakonshëm: analiza për shkaqet e humbjes së zgjedhjeve parlamentare dhe marrja e përgjegjësive përkatëse; shpërndarja e përgjegjësive tek parti të tjera, tek komisionerët socialistë, etj., thjesht do ta shndërronte forumin më të lartë politik të PS-së në një mburojë fiktive të Ramës, për mbajtjen me çdo kusht të uzurpuar prej tij të postit të Kryetarit të PS-së, do të sillte rrënimin e mëtejshëm të kësaj force politike dhe zhytjen e saj në një krizë ideore, organizative, strukturore me pasoja të rënda dhe afatgjata”, shprehen në letrën e tyre. Sipas tyre kongresi duhet të ushtrojë kompetencat e tij statusore. “Në këto rrethana dhe në kuadrin e përgatitjes së Kongresit të Jashtëzakonshëm të PS-së të datës 29 gusht 2009, me dëshirën që jeta politike në PS të normalizohet sa më parë dhe Shqipëria të bëhet pjesëtare e denjë e familjes evropiane edhe me kontributin e PS-së tashmë në opozitë, apelojmë që Kongresi, si forumi më i lartë politik vendim-marrës i PS-së të ushtrojë përgjegjësitë e veta statusore, përfaqësuese dhe politike në interes të së ardhmes së kësaj partie”, thuhet në letër.

Lista e firmëtarëve

Agron Tato
Arber Qilimi
Ardian Myslymi
Astrit Kola
Bardhyl Agasi
Bukurosh Stafa
Durim Hushi
Elida Tepelena
Flamur Hoxha
Flamur Rogu
Ilirjana Kërçuku
Lekë Çukaj
Maksut Balla
Natasha Paço
Nazmi Bilani
Rajmonda Stefa
Rrapush Tola
Shpëtim Kateshi
Xhemali Xhixha
Zamira Caka
Zihni Beqiri
Viktor Doda
Agron Duka
Zef Preçi
Bashkim Habilaj
Kolë Malajt
Krenar Suku
Artur Kurti
Ismail Demi
Nikollaq Mata
Ramiz Palluqi
Ilir Kokona
Isuf Baku
Leonard Goga
Neki Hyska
Pandeli Sara
Shkëlzen Gjoka

Zëdhënësja e Kryesisë bën publike vendimet e dy ditëve më parë
Kodheli: Kongresi transparent vetëm në dy momente

Zëdhënësja e Kryesisë së PS-së, anëtarja e këtij forumi, Mimi Kodheli në konferencën e djeshme për shtyp ka bërë prezent vendimin për të pasur kongres me dyer të hapura vetëm në dy momente kryesore. “Mbledhja e djeshme e Kryesisë së Partisë Socialiste diskutoi rreth organizimit të Kongresit dhe procesit të zgjedhjes së kryetarit të PS. Në mbledhje u ra dakord që të sigurohet publikut transparencë e plotë për dy çështje kryesore, për të cilat është thirrur kongresi i jashtëzakonshëm. Së pari, për të vërtetën e krimit elektoral të 28 qershorit, duke iu dhënë mundësinë shqiptarëve të shohin një pjesë të provave dhe fakteve që pohojnë katërçipërisht deformimin e procesit zgjedhor dhe të rezultatit që rrjedh prej tij. Së dyti, transparencë e plotë për platformat politike të kandidatëve që do të konkurrojnë për kryetar të PS, duke mundësuar transmetimin e drejtpërdrejtë edhe të kësaj seance për publikun”, tha Kodheli. Ndërsa ka publikuar edhe arsyet se pse Kryesia rrëzoi platformën “Blushi”, duke mos pranuar që ta paraqesë në Kongres. “Në Kryesi mbizotëroi mendimi që është e nevojshme kryerja e një reforme statusore dhe e rregullave që normojnë funksionimin e Partisë Socialiste, e cila nuk duhet të jetë e diktuar nga ndërhyrje pjesore dhe në kushtet e emocionalitetit të konkurrimit politik”, tha Kodheli. Ndërsa për kandidimet, ajo theksoi se “Kryesia shprehu vullnet të plotë për të mbështetur dhe administruar një proces konkurrimi ndërmjet kandidatëve për kryetar të PS konform kodit zgjedhor të partisë duke iu garantuar akses të plotë të gjithë kandidatëve nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në të gjithë piramidën e strukturave, që do të merren me organizimin e këtij procesi”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›