E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina mbyll debatin për protokollin me JO!

 

Institucionet e Kosovës kanë vendosur të mbyllin përgjithmonë diskutimet për nënshkrimin e një protokolli mes EULEX-it dhe Serbisë, duke e kundërshtuar me vendosmëri atë. Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi ua komunikuan vendimin e tyre shefit të EULEX-it, Yvev de Kermabo, si dhe Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, Piter Feith, gjatë një takimi të mbajtur dje në Prishtinë. Pas marrjes së këtij vendimi, që të mos ketë më debate e biseda për këtë protokoll, duke e cilësuar atë të papranueshëm për Kosovën, ka reaguar misioni i EULEX-it, që ka vendosur të njoftojë Brukselin për këtë qëndrim. Presidenca e Kosovës pas takimit lëshoi një komunikatë për media, ku thuhej se “institucionet e Kosovës janë institucione sovrane dhe rrjedhimisht marrin vendime sovrane në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Republika e Kosovës nuk merr asnjë obligim dhe përgjegjësi për çështjet, për të cilat nuk ka vendosur në mënyrë sovrane”. Në të njëjtën linjë ka qëndruar edhe kryeministri Hashim Thaçi, i cili tha se marrëveshjet për Kosovën dhe në emër të saj i nënshkruajnë vetëm institucionet e Kosovës dhe asnjë mision tjetër. “Qëndrimi i institucioneve të Kosovës sa i përket situatës së krijuar me të ashtuquajturin protokoll bashkëpunimi me Republikën e Serbisë, është shumë i qartë. Ne e kemi theksuar edhe në takim, por edhe publikisht, se kjo çështje mbyllet përfundimisht sot. Mbyllet çdo debat, çdo takim, por edhe çdo bisedë për këtë temë. Tanimë, Kosova është shtet dhe përgjegjësitë shtetërore nuk i bart tek asnjë mekanizëm tjetër dhe asnjë mekanizëm tjetër nuk ka të drejtë të flasë, të diskutojë e të vendosë për Kosovën, pa Kosovën”, tha Thaçi. Zëdhënësja e misionit evropian, Karin Limdal, tha se EULEX-i ka nxjerrë konkludimet nga takimi i sotëm i shefit të këtij misioni, Yves de Kermabo, me liderët kosovarë dhe përfaqësuesin e BE-së, Piter Feith, dhe për këto zhvillime do ta njoftojë edhe Brukselin. Por megjithëkëtë acarim në lidhje me Protokollin, Kosova mbetet e vendosur të bashkëpunojë ngushtë me EULEX-in dhe përfaqësuesit e tjerë ndërkombëtarë që punojnë në Kosovë. Protokolli i EULEX-it me Serbinë është kundërshtuar nga të gjitha partitë politike në Prishtinë. Tani pritet reagimi i Brukselit pas vendimit të Sejdiut e Thaçit, që kjo çështje as të mos diskutohet më në takimet e përbashkëta të krerëve vendorë dhe atyre të pranisë ndërkombëtare në Kosovë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›